Jump to content

Letërkëmbimi i Fan Nolit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Letërkëmbimi i Fan Nolit me Autor: Nasho Jorgaqi. Botuesi: "ERIK". Faqet e librit 456.

Epistolari, apo letërkëmbimi, përbën një nga komponentët më të rëndësishëm të burimeve vetjake të Fan Nolit. Ai paraqitet i pranishëm në çdo etapë të jetës, si pjesë e pandarë e veprimtarisë së tij poliedrike. Fan Noli gjatë jetës shkroi me mijëra letra. Sigurisht, këtë punë ai nuk e bëri si shkrimtar.

Por duke qenë edhe i tillë, letrat në radhë të parë u diktuan nga kërkesat e kohës, nga detyrat historike dhe nevojat e ditës. Me anë të tyre, veç rrugëve të tjera, ai do të komunikonte me shokët e luftës dhe të punës, do të mbante ato lidhje aq të domosdoshme me botën shqiptare. Për fat të keq, nga tërë kjo mori letrash kanë arritur vetëm disa qindra. Letërkëmbimi i Fan Nolit shtrihet në një periudhë kohore afro gjashtëdhjetëvjeçare (1906-1965), pas së cilës qëndron historia shqiptare e gjysmës së parë të shekullit XX.

Është kjo koha e ngjarjeve të mëdha në jetën e popullit tonë, e kthesave historike. Letërkëmbimi i Nolit, i ngjan një varianti të detajuar të Autobiografisë, pasi ndjek e reflekton në një farë mënyre jetën e tij nga mosha e rinisë deri në pleqëri të thellë. Letërkëmbimi i Nolit është pasqyrë e personalitetit të tij. Një pasqyrë besnike, ku ai e zbulon veten në rrafsh diakronik e sinkronik, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, pa u fshehur dhe pa u zbuluar.

Letërkëmbim i personaliteteve të shquara mund të vështrohet me një optikë të dyfishtë: me optikën e historisë dhe me atë të psikologjisë njerëzore. Te Noli, këto dy këndvështrime, duke konverguar drejt një synimi, jo vetëm na e ofrojnë dhe konkretizojnë figurën e tij, por e nxjerrin atë në një reliev shumëplanësh. Në faqet e letrave të Fan Nolit janë derdhur vlera njerëzore nga më të çmuarat, vlera mendore e shpirtërore, morale e intelektuale, artistike dhe historike. Fjala e tij e shkruar, edhe në epistolar rrezaton atdhedashuri e progres, fisnikëri e bukuri.

Letrat mund t’i ndanim përafërsisht në katër grupe: Letrat e viteve 1906-1912, shkruar në hullinë e ngjarjeve dhe të problemeve të fundit të Rilindjes shqiptare. Letrat e viteve 1912-1924, që lidhen me veprimtarinë e Nolit për mëkëmbjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për një regjim demokratik në Shqipëri. Letrat e viteve 1925-1939, që përfshijnë kohën e emigracionit politik, tërheqjen nga jeta politike dhe përkushtimin pas studimeve. Letrat e viteve 1940-1965, që pasqyrojnë kthimin e tij në jetën politike gjate Luftës së Dytë Botërore dhe lidhjet me Shqipërinë socialiste.

Nuk mund të lëmë mënjanë faktin se epistolari i Nolit ka një shtrirje gjithëshqiptare. Gjurmët të çojnë në tërë diasporën, te shqiptarët e Italisë dhe ata të Amerikës Latine, por dhe tek intelektualë kosovarë (letërkëmbimi me Ali Rexhën dhe Rexhep Lagjin).

Ato përshkohen nga ndjenja vëllazërore, nga gatishmëria për ndihmë, nga dialogu kulturor. Letërkëmbimi i Fan Nolit, duke qenë i pazbuluar deri në fund, mbetet gjithnjë i hapur. Por edhe kështu siç paraqitet, ai është një komponent i rëndësishëm i biografisë së tij dhe përfaqëson një trashëgimi letrare-kulturore me vlera.