Lin Loci
Lin Loci ka lindur në fshatin Lufaj të komunës së Selitës në Mirditë, më 20 mars të vitit 1948. Pasi mbaron shkollën e mesme në Rrëshen, fiton të drejtën për studime të mëtejshme pranë Akademisë së Arteve (ish instituti i lartë i Arteve), studime të cilat i mbaron në vitin 1972. Ka mjaft petagogë të tij, të cilët edhe sot e kujtojnë Lin Locin si një student dhe koleg me cilësi të larta dhe virtyte të shkëlqyera. Piktori Lin Loci ka marrë pjesë në shumë prej ekspozitave kombëtare në Galerinë e Arteve në Tiranë. Ka organizur dhe drejtuar të gjitha ekspozitat e arteve figurative që janë zhvilluar në qytetin e Rrëshenit, duke paraqitur punime të kryera me mjaft cilësi. Por kontributi i Lin Locit nuk ishte vetëm në fushën e pikturës, pasi ai ishte një njohës mjaft i mirë i etnografisë. Ka marrë pjesë në shumë prej festivaleve folklorike kombëtare, në drejtimin e etnografisë mirditore. Në iventarin e punës së piktorit Lin Loci, numërohen katër ekspozita vetiake, ndërsa pas viteve 90-të me ardhjen e demokracisë, ka vazhduar punën me përkushtim dhe përmbajtje cilësore në pikturë dhe etnografi. Pas viteve 90-të Lini ka punuar edhe jashtë vëndit, në vënde fqinje si Itali dhe Greqi në ideimin dhe kompozimin e afreskave në Kretë dhe Bolonja. Por puna ka edhe shpërblimin e saj. Disa herë piktori Loci është vlerësuar me diploma nderi, ndërsa në vitin 1984 nderohet me medaljen “Naim Frashëri” në fushën e etnografisë. Është dekoruar si piktor në gjininë e arteve figurative, me urdhërin e klasit të III-të Naim Frashëri, për kontributin në gjallërimin e jetës kulturore e artistike në Mirditë. Ndërsa në vitin 1996 Lin Loci emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Kulturore për Mirditën. Pikërisht në këtë kohë fillon një rikonstruksion i godinës së Pallatit të Kulturës, ndërsa në trazirat e vitit 97-të, falë kontributit personal të Lin Locit, në këtë pallat nuk u thye as edhe një xham. Lin Loci u nda nga jeta pas një ataku kardiak në moshën 53-vjeçare, pikërisht më 3 mars të vitit 2001.