Jump to content

Lubonja (Korçë)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Lubonjë)

Lubonja është një fshatkomunën Vithkuqrrethin e KorçësShqipërisë. Lubonja ndodhet në skajin juglindor të rrethit dhe 27 km larg qytetit të Korçës . Në lindje dhe juglindje ajo veçohet me rrethin e Kolonjës . Ka një lartësi afro nëntëqind metra mbi nivelin e detit. Relievi i saj është i mesëm dhe i lartë , i përthyer; me fusha, kodra, pllaja dhe male. Si njësi fiziko - gjeografike ajo është vazhdimësi e pllajës së Kolonjës, e cila përthyhet tek ultësira që krijohet në luginën e Osumit tek Sagjet dhe në fshatin Qafëzes , përafërsisht në një nivel me këto ultësira është edhe lugina ku ndodhet Lubonja , por pengohet e veçohet nga kodrat e Qafëzezit dhe të Dushkut, të cilat ndodhen midis lumit Osum në lindje dhe Veligës në perëndim. Lubonja e vështruar nga Korça apo fusha e Korçës duket një fshat tepër i larget , i thellë e malor.

Gjeografikisht ajo është më afër Ersekës . Në lindje Lubonja kufizohet me Qafezezin , nga jugu me Boshanjin dhe Psarin e Zi , nga jugperëndimi me Selenicën . Ne perëndim , tek vendi që quhet Kryqi , kufizohet me Vithkuqin, ndërsa nga veriu me Rehovën dhe me Roshanjin në lindje.

Fushëgropa e Lubonjës , ndoshta miliona vjet më parë, në periudhën e akullnajave , mund të ketë qënë fundi i një liqeni.

Kjo fushëgrope ka një gjatësi rreth 6 km.

Fusha e Lubonjës në pjesën perëndimore është më e lartë dhe merr formën e një pllaje , ndryshe nga pjesa lindore , që kufizohet me lumin e Veligës, e cila është më e rrafshtë .

Pjesa më pjellore e kësaj fushe është ajo përgjatë lumit të Veligës; Fusha e Vogël dhe e Madhe , Frashëri, Ara e Lukit, Shelgu, Meraja e të tjera.

Dikur në këtë fushë të çonin rrugë të gjera si arterie të rëndësishme , sidomos rruga për në Rrobas, te Çezma, në Maroto, në Rasadë si dhe në Fushë të Vogël dhe të Madhe . Prej këtyre rrugëve kryesore dilnin rrugica të dyta më të ngushta , të cilat quheshin ulica dhe te degdisnin në skajet më të thella të arave . Rrugicat dukeshin si tunele të kokolepsura nga mpleksja e kumbullave të egra , thanave , kullumbrive me ferrat . Ndërsa tokat në ngastra të vogla ndaheshin nga njera - tjetra me ledhe të forta . Nuk kishte arë pa patur te ledhi disa kumbulla të egra , thana , gorica, madje ndonjë kumbull apo goricë mund të ishte edhe në mes të saj, kur kjo kishte një sipërfaqe të madhe. Kishte edhe bujq që kishin mbjellë mollë, rrush e të tjera.

Lubonja është një fshat që ka male të pasur me shumëllojshmëri drurësh pyjore si: dushk me një siperfaqe prej treqind hektarësh. Në veçanti më i përhapur është druri i pishes, që zë nje mijë e dyqind hektarë dhe rritet kudo. Ndërsa druri i bredhit shtrihet në një sipërfaqe prej gjashtëqind hektarë ; Ahu është më i paket në sipërfaqe me rreth njëqind e pesëdhjetë hektarë. Druri i ahut ka ardhur duke u zhdukur për shkak të prerjeve të panderprera dhe pa kriter.

Gjenden edhe drurë tepër të rralle si : panja, vjenja, plepi i egër, dëllinja e zezë. Të mrekullueshme janë sheshet: i Landos, i Brezës, i Rakipit, Mejdane, i Stanit, Sheshi i Madh, Kalidhet e të tjera ku çdo shesh e ka burimin te koka.

Lubonja është një fshat me burime të shumta ujore. Në pasurinë ujore të Lubonjës kanë ndikuar malet me burimet e pashtershme natyrore e sidomos , lumi i saj . Lumi i Lubonjës buron nga Sheshi i Shqahut , merr formë te Përroi i Çobankave, më tej mbledh ujrat nga Qafa e Kumbullës, nga Kalidhet , Hija , nga Stermolli e Kuqeshi dhe nga Breza . Potershëm hyn dhe kalon përmes fshatit.

Lubonja ka edhe dy ujëmbledhës . Ujëmbledhësi i Brezes i ndërtuar pas Çlirimit dhe ai i Mehallës së Sipërme i ndërtuar në vitet 70 me kapacitet ujitje për katërqind hektarë tokë . Megjithatë , sipërfaqja e madhe e tokave , livadheve e të tjera e kanë ndjerë mungesën e ujit të bollshëm .

Emrat e vendeve ( toponimet )

Veçoria me e dallueshme tek emrat e vendeve janë emërtimet me fjalë burimore te leksikut shqip , në ndonjë rast për të spjeguar dhe sqaruar emrin e vendit na vjen në ndihmë edhe ndonjë gojëdhënë . Për spjegimin e emrit Kuqesh dhe Breze ka një legjendë që Eshtë treguar brez pas brezi dhe ka mbërritur deri në ditët tona . Dikur , në lashtësi , në vendin që tani quhet Breze , ndodhi një kasaphanë e vërtetë midis banorëve vendas dhe një hordhie barbarësh . U derdh shumë gjak dhe u vranë shumë njerëz . Një djalosh , tepër i ri , duke parë me sytë e tij ngjarjen tragjike , vrapoi me nje fryme t'u tregojë atyre që punonin në arë . Ashtu duke gulçuar , lajmëtari i dërmuar shpirtërisht , u drejtohet burrave që rrinin nën hije , kuvendonin dhe gajaseshin me historite gazmore që tregonin . - Qeshni ju . qeshni ! - u tha djaloshi . - Se tek ne ka vajtur gjaku deri në brez . Qysh atëherë , sheshi ku ndodhi gjëma u quajt Breze , ndërsa atje ku shkuleshin së qeshuri u quajt , Kuqesh .