Lufta e dytë romako-maqedonase
Lufta e dytë romako-maqedonase (200–197 p.e.s.) u zhvillua midis Maqedonisë antike, të udhëhequr nga Filipi V i Maqedonisë, dhe Republikës Romake, aleate me Pergamonin dhe Rodosin. Filipi u mund dhe u detyrua të braktiste të gjitha zotërimet në Greqinë jugore, Thrakinë dhe Azinë e Vogël. Gjatë ndërhyrjes së tyre, megjithëse romakët shpallën "lirinë e grekëve" kundër sundimit nga mbretëria maqedonase, lufta shënoi një fazë të rëndësishme në rritjen e ndërhyrjes romake në çështjet e Mesdheut lindor, gjë e cila përfundimisht do të çonte në pushtimin e Romës së gjithë rajonin.[1][2][3]
Vështrim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Paqja e Foinikes, ashtu sikurse u përfundua, i la hapur kontradiktat midis Romës dhe Maqedonisë. Pozita që ruajti Maqedonia në Iliri nuk ishte aspak e favorshme për Republikën, por ajo e bënte këtë hap vetëm e vetëm që të çlirohej dhe të përqendronte forcat për betejat e ardhme vendimtare me Hanibalin. Filipi nga ana e tij e kishte kuptuar se për të nuk kishte rrugë tjetër, veçse të forconte pozitat në Ballkan dhe në Lindje, ku ai parashikonte ndeshjen e ardhme me Romën.
Këtë drejtim morën, në fakt, edhe ngjarjet në vitet që pasuan. Ndërsa Roma ishte duke përfunduar luftën me Hanibalin, Filipi ndërmori një varg veprimesh diplomatike dhe ushtarake në Lindje: përfundoi një aleancë me Atalin III të Sirisë, zgjeroi pushtimet në Egje, duke u shtrirë deri në Helespont, shtoi presionin mbi Greqinë dhe u mori disa toka etolëve, goditi në veri dardanët dhe në kundërshtim me traktatin e Foinikes bëri pushtime të vogla në Iliri që i lejuan t’u shkëpuste romakëve parthinët. Ndërkaq në vitin 201 romakët e thyen përfundimisht Hanibalin dhe e detyruan Kartagjenën të përfundonte paqen. Fitimtarët, që edhe më parë nuk e kishin duruar Filipin, nuk mund të lejonin tani që t’u cenoheshin interesat e tyre në Iliri dhe në përgjithësi nuk mund ta shihnin me sy të mirë forcimin e pozitave të tij në Lindje.
Goditjen vendosën t’ia japin nga Iliria. Në vjeshtë të vitit 200 dy legjione zbritën në Apoloni dhe ngritën lëmin në afërsi të lumit Aps. Këtej filloi sulmi kundër pozitave të Filipit në Dasareti. U dërgua menjëherë një ekspeditë kundër Antipatreas, sepse ky qytet i rëndësishëm ishte pika më e përparuar e Filipit në Iliri dhe zinte një pozitë kyçe në rrugën që kalonte përmes luginës së Devollit për në Maqedoni. Me një sulm të shpejtë forcat romake zunë tri kështjella në rrethet e qytetit (Karagun, Geruntin dhe Orgesin) dhe sakaq u gjendën para mureve të tij. Komandanti romak u mundua të hyjë në Antipatrea me anën e marrëveshjes, por paria, duke pasur besim te madhësia e qytetit, te muret dhe pozita e tij e mbrojtur kundërshtoi të dorëzohet. Atëherë romakëve iu desh ta merrnin me sulm, gjë që u kushtoi shumë shtrenjtë. Për këtë arësye komandanti romak u soll në mënyrë barbare. Ai urdhëroi masakrimin e popullsisë prej 16 vjeç e lart dhe pasi plaçkiti qytetin, e dogji dhe i shkatërroi muret mbrojtëse të tij. Pas kësaj romakët pushtuan edhe dy qytete më të vogla në thellësi: Kodrionin dhe Knidin dhe pasi lanë një garnizon në Kodrion u kthyen në lëmin e tyre në Aps. Kjo ekspeditë e përmirësoi shumë pozitën e romakëve; ata kishin asgjësuar një bastion të Filipit siç ishte Antipatrea, kurse me vendosjen e garnizonit në Kodrion kishin shtyrë në thellësi pikën e kontaktit me armikun dhe kishin hapur rrugën për operacionet e ardhshme.
Gjatë dimrit konsulli romak u kujdes të siguronte aleatë. Thirri në lëmin e tij në Aps mbretërit e vendeve fqinje me Maqeoninë, midis të cilëve Pleuratin e Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Aleksandrin e Athamanisë dhe u mori atyre premtimet për ndihmë në luftën kundër Filipit. Por përpjekjet për të tërhequr etolët përsëri në luftë dështuan, kurse Epiri i mbeti besnik Filipit.
Mbreti i Maqedonisë po përgatitej në mënyrë të ethshme për fushatën e stinës së ardhshme të vitit 199. I siguruar nga qëndrimi i Epirit dhe i Lidhjes etole në jug ai i përqendroi forcat në veri. Me qëllim që të mënjanonte rrezikun e një depërtimi dardan në Maqedoni, dërgoi forca për të mbyllur grykën e Pelagonisë. Me forcat kryesore u vendos diku në afërsi të malit Lynkus duke pritur një sulm të konsullit dhe të Pleuratit, që mendonte se do t’i vinte përmes luginës së Genusit në drejtim të Lyhnidit. Por u gabua. Konsulli nuk e ndryshoi drejtimin e tij. Duke rimarrë operacionin u shty më tej në Dasareti dhe nëpër luginën e Apsosit (Devollit) doli në fushën e Korçës. Këtu u furnizua me drithë nga hambarët e pasur të Dasaretisë dhe prej këndej mbërriti në Oresti dhe Elimioti.
Kur mësoi për drejtimin që kishte marrë konsulli, Filipi shpërnguli forcat nga Pelagonia dhe Lynku në drejtim të jugut. Por me këtë i hapi rrugën Pleuratit i cili, me sa duket, pasi çliroi parthinët, ndoqi luginën e Genusit dhe arriti në Lyhnid. Edhe dardanët vërshuan nga veriu në Maqedoni. Në këtë kohë romakët u kthyen përsëri në Dasareti dhe pushtuan qytetin Peilon. Meqenëse qyteti kishte një pozitë të përshtatshme për të sulmuar Maqedoninë, konsulli la këtu një garnizon dhe si mori me vete plaçkën dhe skllevërit, e solli ushtrinë përsëri në krahinën e qetë të Apolonisë, aty prej nga ishte nisur.
Filipit, përkundrazi, iu desh të bëjë përpjekje të mëdha për të përballuar pas kësaj, në veri ilirët e Pleuratit dhe dardanët që kishin hyrë në Maqedoni, kurse në jug athamanët dhe etolët, të cilët pas sukseseve të romakëve kishin vendosur të hynin përsëri në luftë kundër mbretit të Maqedonisë. Kështu në dy fushata gjatë viteve 200 dhe 199 Filipi u dëbua nga tokat e parthinëve dhe Dasaretia, ndërsa kundër tij u ngritën përsëri etolët dhe popullsi të tjera të vogla fqinjë.
Në vitin e tretë të luftës (198) veprimet ushtarake u shpërngulën në jug, në luginën e lumit Aos. Operacionet e dy viteve të para u kishin treguar romakëve se rruga për në Maqedoni, përmes Dasaretisë ishte e lidhur me vështirësi serioze përsa i përket furnizimit dhe rezervat e kësaj krahine nuk i përballonin dot nevojat e ushtrisë romake. Duhej kërkuar një rrugë tjetër më e sigurt. E tillë paraqitej lugina e Aosit që të çonte në Maqedoni përmes Thesalisë. Kjo krahinë ishte një hambar i sigurt për një ushtri që do të shkëputej kaq shumë nga bazat e saj. Përveç kësaj, me hyrjen e etolëve në luftë gjendja në jug ishte bërë më e favorshme për romakët, prandaj depërtimi në zemër të Greqisë përmes luginës së Aosit u siguronte romakëve bashkimin me aleatët e tyre.
Filipi që e kishte ndjerë këtë rrezik dërgoi në pranverë të vitit 198 një pjesë të forcave që të zinin grykën e Antigonesë, duke menduar se romakët mund të merrnin rrugën përmes luginës së Drinos dhe fushës së Malësisë për të dalë në Thesali. Mbas disa ditësh arriti edhe vetë me forcat kryesore dhe, si e pa gjendjen, vendosi t’ia kushtojë vëmendjen kryesore mbrojtjes së ngushticës së Aosit, e cila megjithëse nëpër një rrugë më të vështirë, por më të shkurtër, të çonte gjithashtu në Thesali. Pa lëshuar grykën e Antigonesë ai vendosi forcat në të dyja anët e lumit Aos. Mbrojtjen e krahut të majtë, nga ana e malit Asnau (mali i Golikut), dhe grykën e Antigonesë ia besoi komandantit të tij, Atenagorës, kurse krahun e djathtë, d.m.th. atë nga ana e malit Merop (mali i Shëndëlliut) dhe rrugën që kalonte nga kjo anë buzë lumit, e mbajti vetë.
Romakët që kishin ngritur lëmin e tyre përballë të dyja grykave qëndruan për një kohë të gjatë të pavendosur për të sulmuar, sepse pozitat e mbretit maqedon ishin shumë të forta. Gjatë kësaj kohe nuk munguan edhe përpjekjet për të arritur në një marrëveshje, por Filipi shpresonte në rezultate më të mira dhe nuk i pranoi kushtet e konsullit.
Ndërkaq romakët mundën të siguronin një dalje në shpinë të Filipit me ndihmën e njërit prej parisë epirotase. I zënë në befasi nga mbrapa dhe i goditur me forcë në ballë, Filipi u detyrua të lërë pozicionet e tij të fuqishme dhe të tërhiqej me humbje të mëdha. Duke ndjekur armikun, romakët u bënë shumë shpejt zotër të një pjese të mirë të Greqisë Qendrore.
Pas kësaj Lidhja Epirote, deri tani aleate e Filipit, por që nuk kishte hyrë në konflikt të armatosur, u afrua me romakët. Së shpejti edhe Lidhja Epirote-Ahease u shkëput nga aleanca me Maqedoninë.
Në vitin 197 ushtria romake dhe ajo e aleatëve ishin përqendruar në Thesali. Në betejën që u zhvillua në afërsi të Kinoskefales, Filipi mori goditjen vendimtare dhe u detyrua të kërkonte paqe. Kushtet e paqes qenë shumë të rënda. Filipi detyrohej të hiqte dorë nga gjithë Greqia dhe nga zotërimet e tij aziatike, t’u kthente romakëve tokat e pushtuara në Iliri që ishin njohur nga paqja e Foinikes dhe të prishte flotën, duke e zbritur atë në pesë anije. Për të kënaqur kërkesat e aleatëve të tyre, romakët bënë shumë ndryshime territoriale dhe u njohën autonominë disa krahinave të vogla, të cilat ishin ngritur kundër Filipit, gjë që e thelloi edhe më tepër përçarjen politike në Greqi. Me pushtimin e Dasaretisë dhe të Atintanisë, romakët i zgjeruan zotërimet e tyre në Iliri dhe e shtynë kontaktin me Maqedoninë në thellësi. Pleuratit i njohën të drejtën mbi parthinët dhe Lyhnidin dhe me këtë i zgjeruan kufijtë e shtetit ilir nga jugu deri në Genus, kurse në lindje përfshinë penestët deri te liqenet Lynkeste, duke vënë kështu edhe shtetin ilir në kontakt direkt me Maqedoninë në kufijtë e vjetër lindorë.
Por duke e detyruar Filipin të kthehej në kufijtë e vjetër e të ngushtë të Maqedonisë dhe duke u asgjësuar si fuqi detare, romakët nuk kishin ndërmend të asgjësonin tani për tani shtetin maqedon dhe as të shfarosnin vetë Filipin. Duke iu përgjigjur shqetësimeve të aleatëve grekë lidhur me këtë çështje, konsulli u tha se “ishte e qartë se liria e Greqisë kërcënohej nga forca e mbretërve maqedonë, por po të shkatërrohej kjo mbretëri ... trakët, ilirët, grekët ... do të dyndeshin në Greqi”.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Literatura
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Erskine, Andrew (2003). A Companion to the Hellenistic World. Oxford: Blackwell Publishing.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Ginouvès, René dhe Hatzopoulos, Miltiades B., red. (1993). Macedonia: From Philip II to the Roman conquest. Përkthyer nga David Hardy. Athens, Greece: Ekdotike Athenon.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Howe, Timothy; Müller, Sabine; dhe Stoneman, Richard (2017). Ancient Historiography On War and Empire. Havertown, PA: Oxbow Books.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Lane Fox, Robin (2011). Brill's Companion to Ancient Macedon: Studies In the Archaeology and History of Macedon, 650 BC–300 AD. Leiden: Brill.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Roisman, Joseph dhe Worthington, Ian (2011). A Companion to Ancient Macedonia. Somerset, UK: Wiley.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Waterfield, Robin (2014). Taken At the Flood: The Roman Conquest of Greece. New York: Oxford University Press.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - Waterfield, Robin (2018). Creators, Conquerors, and Citizens: A History of Ancient Greece. New York: Oxford University Press.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Erdkamp, Paul (1998). Hunger and the sword: warfare and food supply in Roman Republican wars (264-30 B.C.). Dutch monographs on ancient history and archaeology. Vëll. 20. Gieben. ISBN 978-90-50-63608-7.
{{cite book}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Will, Edouard, L'histoire politique du monde hellénistique (Editions du Seuil, 2003 ed.), Tome II, pp. 121–178.
- ^ Green, Peter, Alexander to Actium, the historical evolution of the Hellenistic Age, 1993, pp. 305–311.