Jump to content

Lufta e tretë romako-maqedonase

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Lufta e tretë romako-maqedonase (171–168 p.e.s.) ishte një luftë e zhvilluar midis Republikës Romake dhe mbretit Perseus të Maqedonisë. Në vitin 179 pes, Mbreti Filipi V i Maqedonisë vdiq dhe u pasua nga djali i tij ambicioz Perseu. Ai ishte antiromak dhe ngjallte ndjenja antiromake rreth Maqedonisë. Tensionet u përshkallëzuan dhe Roma i shpalli luftë Maqedonisë.

Pjesa më e madhe e luftës u zhvillua në Maqedoni, si dhe në Thesalinë fqinje , ku ishin vendosur trupat romake. Pas një beteje jo përfundimtare në Callinicus në 171 pes, dhe disa vite të tjera fushate, Roma mposhti me vendosmëri forcat maqedonase në Betejën e Pydna në 168 pes, duke e çuar luftën në fund.[1] Fitorja e Romës i dha fund dinastisë Antigonid dhe i dha fund efektivisht pavarësisë së mbretërisë helenistike të Maqedonisë, megjithëse aneksimi zyrtar ishte ende disa vite larg. Mbretëria u nda në katër republika kliente, secila në varësi të Romës. Prestigji dhe autoriteti romak në Greqi u rrit shumë si rezultat.[2]

Vështrim[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Krahas përgatitjeve diplomatike, Roma po merrte edhe masat ushtarake për të asgjësuar Maqedoninë dhe Mbretërinë Ilire që ishin dy forcat kryesore, të cilat pengonin planet e saj ekspansioniste në Ballkan.

Në nëntorin e vitit 172 senati urdhëroi dërgimin e forcave të para në brigjet e përtejme të Adriatikut, të përbëra nga 5 000 këmbësorë dhe 300 kalorës. Ky kontingjent i vogël që dërgohej si pararojë e ushtrisë konsullore, pasi zbriti në Epir, me sa duket në Orik, ngriti lëmin e vet në afërsi të Nymfeut, në tokat e Apolonisë. Këndej një njësi prej 2 000 vetash u dërgua menjëherë për të zënë, siç na thuhet, “fortesat e dasaretëve dhe të ilirëve”. Po të gjykojmë nga të dhënat e mëvonshme, forcat romake duhet të jenë vendosur në këtë kohë në Lyhnid, Uskanë dhe në disa kështjella rreth saj, aty ku prania e tyre na del papritur në ngjarjet e dimrit të vitit 170/169. Ky aksion kishte një qëllim të largët strategjik. Ai duhet të siguronte pozitat romake në Iliri, të mbante të hapura rrugët kryesore për në Maqedoni dhe të bënte presion mbi Mbretërinë Ilire, duke e ndarë atë territorialisht nga Maqedonia. Më vonë forca të pakta u dërguan në Greqi dhe u vendosën nëpër qytete si garnizone të vogla që kishin më tepër karakter simbolik. Një kontingjent i veçantë u dërgua në Thesali për të zënë Larisën si një pikë me rëndësi strategjike. Pasi ishin zënë pozitat e përparuara në Iliri e Thesali, në pranverën e vitit 171, senati vendosi të fillonte luftën kundër Perseut. Goditja do të jepej nga Thesalia. Ushtria konsullore pasi zbriti në Apoloni, përshkoi Epirin dhe ra në ultësirën thesale; këtu ajo u gjend përpara forcave të Perseut që kishin zënë rrugën e hyrjes për në Maqedoni; 40 000 ishin forcat konsullore përballë 43 000 forcave të Perseut, megjithatë të dyja palët iu shmangën betejave vendimtare dhe stina e verës së vitit 171 u mbyll pa ndonjë rezultat të shënuar, duke i lënë kundërshtarët në pozitat e mëparshme, fillestare.

Ndërkaq Roma nuk e la krejt pas dore edhe Mbretërinë Ilire. Ndërsa ushtria konsullore u nis për të zbritur në Apoloni, flota romake vuri dorë mbi 54 anije të Gentit, pa marrë pëlqimin e mbretit dhe i përfshiu në përbërjen e forcave detare që do të zinin Qefaloninë dhe do të vepronin gjatë bregdetit grek në mbështetje të forcave tokësore romake. Më vonë romakët duket se ndërmorën një aksion të dytë, shumë të rëndësishëm, kundër Mbretërisë Ilire. Ndërsa po zhvillohej fushata verore në Thesali, konsulli urdhëroi të nënshtroheshin disa qytete në Iliri. Midis tyre Karnunti, një qytet i paidentifikuar, u bëri një qëndresë të fortë pushtuesve, prandaj pretori që komandonte forcat romake, urdhëroi plaçkitjen e këtyre qyteteve. Nuk është thënë qartë për ç’qëllim u organizua kjo fushatë, megjithatë një ngjarje që ndoshta mund të lidhej me të, do të ishte ajo që ka të bëjë me ndryshimet në kufirin jugor të Mbretërisë Ilire. Duke qenë në marrëdhënie të ndera me Gentin dhe pasi dështuan përpjekjet për ta bërë atë për vete, senati urdhëroi aneksimin e tokave dhe të qyteteve parthine që i pat njohur Pleuratit më 196 dhe e shtyu kufirin e Mbretërisë Ilire nga Genusi në Ardaksan, aty ku shënohet disa vite më vonë. Në këtë rast Karnunti dhe qytetet e tjera që u sulmuan bashkë me të duhen kërkuar në veri të Genusit. Është për t’u shënuar se si për rastin e grabitjes së anijeve, ashtu dhe për ndryshimet që ndodhën në kufirin jugor të mbretërisë, sundimtari ilir nuk jep asnjë shenjë kundërshtimi, sepse, me sa duket, nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Erskine, Andrew (2003). A Companion to the Hellenistic World. Oxford: Blackwell Publishing. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Ginouvès, René dhe Hatzopoulos, Miltiades B., red. (1993). Macedonia: From Philip II to the Roman conquest. Përkthyer nga David Hardy. Athens, Greece: Ekdotike Athenon. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Howe, Timothy; Müller, Sabine; dhe Stoneman, Richard (2017). Ancient Historiography On War and Empire. Havertown, PA: Oxbow Books. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Lane Fox, Robin (2011). Brill's Companion to Ancient Macedon: Studies In the Archaeology and History of Macedon, 650 BC–300 AD. Leiden: Brill. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Roisman, Joseph dhe Worthington, Ian (2011). A Companion to Ancient Macedonia. Somerset, UK: Wiley. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Waterfield, Robin (2014). Taken At the Flood: The Roman Conquest of Greece. New York: Oxford University Press. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  • Waterfield, Robin (2018). Creators, Conquerors, and Citizens: A History of Ancient Greece. New York: Oxford University Press. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Erdkamp, Paul (2017-04-21), "The Third Macedonian War, 171-168 BC", The Encyclopedia of Ancient Battles, Oxford, UK: John Wiley & Sons, Ltd, fq. 1–5, doi:10.1002/9781119099000.wbabat0380, marrë më 2022-03-26 {{citation}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ Burton, Paul J. (2017). Rome and the Third Macedonian War. Cambridge University Press. fq. 38. ISBN 9781316221631. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)