Luigj Gurakuqi (regjisor)
Luigj Gurakuqi lindi më 13 janar të vitit 1927. Jetën artistike e filloi si korist në Korin e përgjithshëm të Shtetit në vitin 1944.
Më pas, në vitet 1950-1955, punon në korin e Ansamblit Artistik të Ushtrisë dhe në vitin 1964 ndjek studimet e larta për regji opere në Moskë në Institutin Teatror “GITSI”. Pas ndërprerjeve të studimeve aty i vazhdon ato në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Popullor. Në vitin 1964 mbron diplomën me vënien në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit të operës “Peshkatarët e perlave”, dhe pas kësaj filloi menjëherë punë si regjisor.
Gjatë viteve në TOB ai realizoi regjinë e dhjetëra operave dhe operetave të repertorit shqiptar e atij botëror, si “Rigoleto”, “Maçoku me çizme”, “Lulja e kujtimit”, “Mrika”, “Skënderbeu”, etj. Gjithashtu firmën e tij mbajnë regjitë e të gjitha koncerteve të organizuara nga TOB, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore, deri tek koncertet e trupave amatore ku ka bërë edhe rolin e konferencierit. Puna si regjisor nuk e largoi nga mësimdhënia.
Që pas përfundimit të studimeve të larta, deri sa doli në pension, në vitin 1983 punoi si pedagog në Akademinë e Arteve, pranë klasës së kantos. Gurakuqi është përkthyes edhe i shumë libreteve të operave nga repertori botëror, romancave, arieve, mes të cilëve mund të përmendim “Cavalleria Rusticana”, “Il barbiere di Seviglia”, “Don Pasquale”, “Carmen”, “La Boheme”, etj. Por firmën e tij mbajnë edhe libretet e disa operave shqiptare si “Heroina”, “Karnavalet”, si edhe të disa teksteve të këngëve të lehta. Aktiviteti i tij shktrihet dhe në fushën e publicistikës, me dhjetëra artikuj e studime të botuara në organe të ndryshme të shtypit shqiptar. Gurakuqi është aktivizuar edhe si aktor në disa drama dhe filma shqiptarë si “Shumë zhurmë për asgjë”, “Plumba perandorit”, “Gracka”, “Mysafiri”, etj.