Jump to content

Masakra Krushës së Vogël

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Masakra e krushes se vogel)

Masakra e Krushës së Vogël

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Masakra e Krushës së Vogël është një ndër masakrat më të mëdha dhe më mizore të bëra nga ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë ndaj popullit shqiptar. Kjo ndodhi më 25 e 26 mars të vitit 1999 në fshatin "Krushë e Vogël" pjesë e komunës së Prizrenit, Kosovë, ku u vranë rreth 113 persona. Viktimat ishin të moshës trembëdhjetëveçare e deri shtatëdhjetevjeçare. Më 25 mars, u vranë rreth 10 persona, ndërsa më 26 mars 1999 u vranë 103 burra dhe djem të këtij fshati të cilët ishin: 39 burra nga familja Shehu, 22 burra nga familja Batusha,14 burra nga familja Hajdari, 7 burra nga familjet Asllani dhe Zylfiu,4 burra nga familja Limani dhe nga familje të tjera të këtij fshati[1].

Ushtria serbe e filloi masakrën në Krushë të Vogël një ditë pas sulmeve ajrore të NATO-s për të parandaluar sulmet e ushtrisë serbe ndaj popullit shqiptar. Më 26 mars1999, rreth orës 10:00, 10 policë serbë të shoqëruar nga disa serbë lokalë, rrethuan lagjen Batushë. Ata i urdhëruan civilët të mblidhen në një oborr, pastaj i veçuan 107 meshkuj të moshës ndërmjet 14 dhe 73 vjet, ndërsa gratë dhe fëmijët, me mallkime dhe fyerje, i urdhëruan të shkojnë në Shqipëri. Meshkujve të ndaluar iu morën dokumentet dhe gjëra me vlerë dhe pastaj me duart pas kokës i drejtuan në shtëpinë e Qazim Batushës. I detyruan të hyjnë në shtëpi  dhe pas gjysmë ore disa policë me armë automatikë filluan të gjuajnë nga dritaret dhe dyert duke i vrarë pothuajse të gjithë meshkujt. Njëri nga policët hyri në shtëpi dhe me armë zjarri qëlloi viktimat të cilët kishin ende shenja jete. Pas largimit të policit nga shtëpia, 5 fshatarë shpëtuan duke u hedhur nga dritarja. Pas kësaj, shtëpia u dogj dhe u minua[2].

Viktimat e kësaj masakre ishin nga fshati "Krushë e Vogël", shumica ishin meshkuj, disa të vrarë e disa të zhdukur. Gjithsej, dihet që janë rreth 113 persona të vrarë, nga mosha më e vogël 13-15 vjeç dhe deri tek mosha 70-vjeçare. Mbetjet e 85 fshatarëve nga Krusha e Vogël të vrarë më 25 e 26 mars 1999 nuk janë gjetur dhe emrat e tyre ende gjenden në listën e personave të zhdukur, KNKK. Supozohet që mbetjet e trupave të djegur janë mbledhur me buldozer dhe janë hedhur në lumin Drini i Bardhë. Mbetjet e trupave të 17 fshatarëve  të vrarë në shtëpinë  e Qazimit  apo në incidente të izoluara në fshat  janë zhvarrosur në fshat dhe në brigjet e lumit "Drini i Bardhë" në korrik të vitit 1999 nga ekipi britanik i mjekësisë ligjore në kuadër të KFOR-it të cilët janë identifikuar më pas[3].

“Ajo që pashë në fshat ishte më e keqe se filmi, më keq se Hitleri”, tha Enver Muharremi, 36 vjeç. “E pashë me sytë e mi. . ." Ai ndaloi, me fytyrën e dobësuar, sytë e tij të humbur në një vështrim mijëra miljesh. Ata menduan se rreth 50 burra ishin masakruar dhe rreth 50 burra, duke përfshirë partinë e tyre të vogël, kishin arritur të shpëtonin. Grupi prej 14 vetash kishte dalë nga Krusha e Vogël duke u shkrirë në pyll[4].

Gjykimet e krimeve në Krushë të Vogël

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fondi  për të Drejtën Humanitare (FDH) më 14 mars 2013 i dorëzoi Prokurorisë për krime lufte të Serbisë kallëzimin penal kundër një personi për krime të luftës kundër popullit civil të kryera më 28 mars 1999 në fshatin Krushë  e Vogël (komuna e Prizrenit).

Kallëzimi penal është bërë kundër pjesëtarit të MPB-së për shkak të dyshimit të bazuar që në datë 28 mars 1999 në fshatin Krushë të Vogël (komuna Prizren) ka vrarë dy burra civilë shqiptarë në prani të shumë dëshmitarëve.

Në periudhën prej 25-28 mars  në komunat e Rahovecit dhe Prizrenit pjesëtarët e UJ-së (Brigada e motorizuar 549) dhe pjesëtarët e MPB-së (njësitet speciale 4, 5, dhe 37 të policisë) kanë ndërmarrë aksionin meqë janë vrarë 660 civilë shqiptarë prej të cilëve 318 ende konsiderohen të zhdukur. Shkalla e Parë e Gjykatës së Tribunalit të Hagës i ka dënuar zyrtarët më të lartë të ushtrisë dhe policisë së atëhershme të Federatës së Republikës së Jugosllavisë (rasti Shainoviq dhe të tjerët) për më shumë vrasje masive të cilat pjesëtarët e forcave serbe  i kanë kryer në komunën e Rahovecit dhe atë të Prizrenit gjatë periudhës në fjalë[5].

Prokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, në përputhje me autoritetin e saj sipas nenit 18 të Statutit të Tribunalit, akuzon:

  1. Slobodan Millosheviqi
  2. Milan Millutinoviqi
  3. Nikola Sainoviqi
  4. Dragoljub Ojdanic
  5. Vlajko Stojilkoviqi

me KRIME KUNDËR NJERËZIMIT dhe SHKELJE TË LIGJEVE APO ZAKONEVE TË LUFTËS.

Gjatë gjithë kohës që lidhet me këtë aktakuzë në Kosovë në RFJ ka ekzistuar një gjendje konflikti të armatosur.

Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e akuzuara si krime kundër njerëzimit ishin pjesë e një sulmi të gjerë apo sistematik të drejtuar kundër popullatës civile shqiptare të Kosovës në RFJ[6].

Një pjesëtar i njësitit 23 cili mori pjesë në bllokadën e Krushë së Vogël/ Mala Kruša, dëshmoi para Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë [ICTY} nën masa mbrojtëse [dëshmitari K-25], më 9 e 10 korrik 1999 në gjykimin e Sllobodan Millosheviçit [IT-02-54, Millosheviq], dhe më 11 dhe 12 tetor 2006, në gjykimin e Milan Milutinoviç dhe të tjerëve [IT-05-87, Milutinoviç et al] ku ndër të tjera e përshkroi vrasjen e fshatarëve të arrestuar më 25 mars 1999[7].

  1. ^ Masakra e fshatit Krushë e Vogël (në anglisht), marrë më 2022-01-09
  2. ^ "Cases | International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia". www.icty.org (në anglisht). Marrë më 2022-01-09.
  3. ^ "Cases | International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia". www.icty.org (në anglisht). Marrë më 2022-01-09.
  4. ^ Staff, Guardian (1999-04-04). "Little Krushe's darkest day". the Guardian (në anglisht). Marrë më 2022-01-10.
  5. ^ "Cases | International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia". www.icty.org (në anglisht). Marrë më 2022-01-09.
  6. ^ "BBC News | EUROPE | Milosevic Indictment: Text". news.bbc.co.uk (në anglisht). Marrë më 2022-01-10.
  7. ^ "Cases | International Criminal Tribunal for the former Yugoslavia". www.icty.org (në anglisht). Marrë më 2022-01-09.