Matura Shtetërore

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Matura shtetërore)
Shko te: navigacion, kërko

Matura Shtetërore është një sistem i krijuar kohët e fundit në lidhje me provimet përfundimtare të nxënësve (17, 18 ose 19 vjeç) në mbarimin e shkollës së mesme. Kjo aplikohet në disa vende [1] ,në vitin 2005 u krijua në Shqipëri si një projekt i cili bën kategorizimin e nxënësve sipas vlerave.

Provimet e maturës[redakto | redakto tekstin burimor]

Të gjithë maturantët që kanë rezultuar kalues gjatë tre/katër viteve të gjimnazit, u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore, të cilat ndahen në:

  1. Provime të detyruara
  2. Provime me zgjedhje

Në provimet e detyruara bëjnë pjesë:

  1. Gjuha e huaj
  2. Gjuha shqipe dhe letërsia
  3. Matematika

Provimet me zgjedhje zgjidhen nga vetë maturanti/kandidati sipas listës së miratuar nga AKP, me kusht që numri i tyre të jetë dy dhe shuma e krediteve të jetë të paktën 8. Provimet mund të zgjidhen nga lista e mëposhtme[2]:

Nr Lënda Kredite
I. Për të gjitha shkollat e mesme
1 Gjuhë e huaj 10
2 Letërsi e thelluar 5
3 Matematikë e thelluar 5
4 Kimi bërthamë 4
5 Kimi e thelluar 6
6 Fizikë bërthamë 4
7 Fizikë e thelluar 6
8 Biologji bërthamë 4
9 Biologji e thelluar 6
10 Histori bërthamë 5
11 Histori e thelluar 9
12 Gjeografi bërthamë 5
13 Gjeografi e thelluar 7
14 Ekonomi bërthamë 2
15 Ekonomi e thelluar 4
16 Teknologji bërthamë 2
17 Teknologji e thelluar 4
18 Qytetari 3
19 Psikologji 2
20 Filozofi 2
21 Sociologji 2
II. Vetëm për shkollat artistike
22 Histori muzike 6
23 Histori arti 6
24 Histori baleti 3

Maturanti nuk mund të zgjedhë njëkohësisht edhe nivelin bërthamë edhe të thelluar të një lënde, duke përjashtuar lëndët Gjuhë shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e huaj[2].

Të gjitha provimet zhvillohen me shkrim. Provimet e detyruara zhvillohen në ditë të ndryshme. Ato përmbajnë 25 pyetje (13 me qarkim dhe 12 me arsyetim) dhe zgjasin 2 orë e 30 minuta, ndërsa provimet me zgjedhje zhvillohen në një ditë, përmbajnë 20 pyetje (10 me qarkim dhe 10 me arsyetim) dhe zgjasin 3 orë.[3] Maturanti quhet kalues kur arrin të marrë 20% të pikëve. Çdo maturant që i kalon me suskes provimet me zgjedhje dhe të detyruara pajiset me diplomë.[4]

Vlerësimi i provimeve[redakto | redakto tekstin burimor]

Vlerësimi i provimeve bëhet në qendrat e përcaktuara nga MAS. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga dy korrigjues dhe në rast se ka mospajtim ndërmjet tyre për pyetje të caktuara, atëherë është një korrigjues i tretë që vendos në lidhje me këto pyetje. Korrigjimi i testeve bëhet sipas skemës së vlerësimit të publikuar më parë nga AKP. Vlerësimi bëhet me pikë, të cilat më pas konvertohen në nota. Publikimi rezultateve bëhet jo më vonë se 15 ditë nga zhvillimi i provimit ne faqen zyrtare të MAS dhe AKP. Maturanti ka të drejtë të kërkojë fotokopjen te testit të tij, por nuk mund të kërkojë rikorrigjim të tij[4].

Aplikimi për universitet[redakto | redakto tekstin burimor]

Çdo maturant që ka përfunduar me sukses gjimnazin si dhe ka rezultuar kalues në provimet e maturës, ka të drejtë të aplikojë për studime universitare në universitet publike në Shqipëri. Secila degë ka kuota të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Përzgjedhja e maturantëve bëhet sipas parimit meritë-preferencë. Parimi i meritës ka të bëjë me rezultatet e arritura, dhe konkretisht me pikët e grumbulluara, ndërsa parimi i preferencës ka të bëjë me renditjen që u bën maturanti degëve të tij të preferuara. Maturanti ka të drejtë të hedhë deri në 10 degë gjatë aplikimit të tij. Nëse ai shpallet fitues në një preferencë të caktuar, ai nuk mund të regjistrohet në një preferencë më të ulët, pavarësisht nëse i ka pikët apo jo, por duhet të regjistrohet në atë preferencë ose të vazhdojë garën për një preferencë më të lartë në fazën e dytë të raundit të parë ose në raundin e dytë. Nëse maturanti nuk ia del të shpallet fitues në një preferencë më të lartë, atëherë ai mbetet fitues në degën fillestare. Llogaritja e pikëve të maturës bëhet sipas formulës së mëposhtme[2]:


S={[26 x M + 20 x (D1 + D2)] x K + 17 x (Z1 x F1 + Z2 x F2)} x 5


ku:
M=mesatarja e tre viteve të gjimnazit
D1=nota e shkallëzuar e letersisë
D2=nota e shkallëzuar e matematikës
K=koeficienti i shkollës
Z1=nota e shkallëzuar e provimit të parë me zgjedhje
F1=koeficienti i provimit të parë me zgjedhje
Z2=nota e shkallëzuar e provimit të dytë me zgjedhje
F2=koeficienti i provimit të dytë me zgjedhje

Siç shihet nga formula, mesatarja e tre viteve zë 26% të pikëve, provimet e detyruara nga 20% dhe ato me zgjedhje nga 17%.

Siguria[redakto | redakto tekstin burimor]

Me qëllim ruajtjen e sekretit, hartuesit e testeve izolohen gjatë hartimit të tyre dhe numri i pyetjeve të hartuara është jo më pak se 500 për provimet e detyruara dhe jo më pak se 400 për provimet me zgjedhje[4]. Gjatë zhvillimit të provimeve, nxënësit kontrollohen një për një përpara se të hyjnë në provim dhe çdo qendër provimi ka të instaluar zhurmues që shërbejnë për bllokimin e valëve të celularit.

Kritika[redakto | redakto tekstin burimor]

Çdo vit, procesi i Maturës Shtetërore shoqërohet me kritika të shumta nga nxënës, prindër dhe mësues. Kryesisht, këto kritika kanë të bëjnë më organizimin e dobët të zhvillimit të provimeve që përfshin nxjerrjen e tezave përpara zhvillimit të tyre, shitjen e tezave, apo daljen e tyre në ambjentet e jashtme përpara përfundimit të provimit, lejimin e kopjimit si dhe përdorimin e celularit gjatë zhvillimit të provimit.[5]. Gjithashtu maturantët shpesh mbeten të pakënaqur me hartimin dhe vlerësimin e testeve, sidomos të letersisë, për shkak edhe të subjektivitetit që kjo lëndë përmban.[6][7]. Procesi i Maturës kritikohet gjithashtu edhe për mungesën e rivlerësimit. [8]

Burimet[redakto | redakto tekstin burimor]

Lidhje të jashtme[redakto | redakto tekstin burimor]