Jump to content

Michael Schmidt-Neke

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mihael Shmidt-Neke (gjerm. Michael Schmidt-Neke; Baden-Baden, 5 korrik 1956) është historian e albanolog gjerman, kryetari i shoqatës së miqësisë Gjermani-Shqipëri.

Ka lindur më 5 korrik 1956 në Baden-Baden. E vizitoi Shqipërinë për herë të parë më 1975, pasi kishte mbaruar gjimnazin. Ndoqi degën e historisë e të gjuhëve të vjetra në Universitetin e Frajburgut. Tema e disertacionit të tij ka qenë “Lindja dhe ndërtimi i diktaturës mbretërore në Shqipëri (1912-1939)”. Shqipen e mësoi vetë dhe nga viti 1980 mori pjesë dy herë në Seminarin ndërkombëtar, që mbahet në Prishtinë.

Ndihmesat e tij lidhur me historinë e Shqipërisë janë të panumërta. Në Manualin e Europës Juglindore (1988-1990) të Universitetit të Hamburgut ka redaktuar pjesën për Shqipërinë dhe ka botuar dy libra të tjerë më 2009 dhe 2015. Janë të shumtë artikujt e tij lidhur me vendin tonë. Ai ndjek posaçërisht bibliografinë për gjuhën shqipe në traditën më të mirë gjermane në këtë fushë.