Midis dy Rilindjesh
Midis dy Rilindjesh me Autor: Shaban Sinani. Shtëpia Botuese: "Naimi". Viti i botimit 2010. Faqet e librit 300.
Teza themelore që bashkon studimet e këtij vëllimi është se midis kultit dhe kulturës, midis klerit dhe letërsisë, nuk ka dhe nuk mund të ketë ndarje, deri në epokën moderne të shekullarizimit. Pikërisht kjo sjellje metodologjike parimore shkencërisht e provuar për frytshmërinë e saj e ka nxitur autorin të bashkojë në një vëllim studime që shtrojnë një pyetje themelore për dijet albanologjike:
A ishin shqiptarët e periudhës arbërore pjesë e Rilindjes Europiane dhe a ka lidhje Rilindja e tyre Kombëtare me idetë e këtij "tërmeti të madh epokal", sikurse e quan autori?
A ka një vazhdimësi midis periudhës humaniste europiane dhe ideve romantike kombëtare?
Në mos më shumë, autori ka identifikuar disa prej kryemiteve të përbashkët të dy periudhave: mitin e origjinës, mitin e hershmërisë, mitin e vendlindjes, mitin e gjuhës amtare, mitin e heroit, mitin e Arbërit - diku si realitet parësor historik e diku si kujtim i të parëve në "Motin e madh". Prandaj, "Midis dy Rilindjesh" mund të kuptohet edhe si një përpjekje për të provuar se humanizmi europian dhe humanizmi shqiptar i shekullit të 19-të, ndonëse kronologjikisht me shekuj ndërmjet, në frymë ishin evokim dhe rikthim i njëri-tjetrit.
Kanë shumë interes për lexuesin ato studime që vështrojnë raportet e fenomeneve kulturore ndërkombëtare, perandorake, të shfaqura për shkak të një fryme të përbashkët apo të një politike kulturore të përbashkët. Libri "Midis dy Rilindjesh" është origjinal në llojin e vet. Ai do t’u shërbejë studiuesve të historisë, të qytetërimit, të kulturës, të letrave shqipe, të gjuhës amtare.
"Midis dy Rilindjesh" është një studim që kap në vështrim disa çështje të rëndësishme të lidhura me historinë, kulturën dhe letërsinë shqiptare. Me shumë interes kreu ku autori sjell në vështrim gjendjen kishtare në Shqipërinë e shekullit të 14-të - 15-të, duke e parë atë si rrjedhojë e një tradite, që bën lidhjen nga një periudhë ku krishterimi ishte në kulmin e vet të sundimit në këtë vend dhe të asaj periudhe, kur kishte filluar jo vetëm ndarja e kishës romane nga ajo bizantine, por kur edhe trysnia e islamizimit po ndihej e fortë.
Po ashtu, nëpërmjet dokumenteve të ndryshëm autori argumenton faktin që shoqëria shqiptare e kohës ishte e organizuar si ajo e të gjitha vendeve të tjera europiane dhe jeta e qyteteve bashkë me marrëdhëniet në to rregulloheshin me statute dhe rregullore, të cilat janë të dokumentuara dhe ruhen në arkiva të ndryshme, në dallim nga jeta e rrethinave, ku marrëdhëniet mes njerëzve rregulloheshin nëpërmjet kanuneve dhe të cilët janë ruajtur si pasuri zakonore gojore.
Statutet e qyteteve shqiptare duket se kanë qenë të një niveli të lartë dhe kjo tregon dhe nivelin e lartë të zhvillimit të kësaj shoqërie të krahasueshme me vendet e tjera të kohës. Në funksion të argumentimit të kësaj ideje autori vëren se jeta e fisnikërisë së kohës: heraldika, titujt, emblemat, stemat, vulat etj., por dhe marrëdhëniet diplomatike, tregtare, ekonomike, fetare etj. me vendet e tjera, të cilat analizohen me hollësi (kemi parasysh lidhje të tilla si Topiajt me anzhuinët, paria e Himarës me Papatin, Kastriotët me Mbretin e Napolit etj.) janë të një niveli të lartë.
Dokumentacioni i gjerë që shoqëron arsyetimin e autorit është shumë i vlefshëm në këtë rast dhe burim për teza të ndryshme shkencore në kuadër të idesë që kjo pjesë e botës ka qenë e mirintegruar në atë sistem të madh vlerash të asaj kohe a më mire epoke që quhet Rilindje Europiane.