Jump to content

Milan Shuflaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Milan Shuflay)
Milan Shuflaj
Fotoporteti
Emri Milan
Mbiemri Šufflay
Lindur më 9 nëntor 1879
Lindur në Lepoglavë
Vdiq më 19 shkurt 1931
Vdiq në Zagreb
Kombësia dalmate
Shtetësia kroate
Profesioni albanolog

Milan von Šufflay (shq. Milan Shuflaj; Lepoglavë, 9 nëntor 1879 - Zagreb, 19 shkurt 1931) ka qenë politikan, historian dhe nacionalist kroat. Qe ndër themeluesit e Albanologjisë si dhe autor i të parit roman fantashkencor të letërsisë kroate.[1] Ashtu edhe vepra tjetër letrare që shkroi, Kostandin Balsha është ndër romanet e para historike me tematikë shqiptare. Si nacionalist kroat u përndoq nga Mbretëria Jugosllave, dhe vrasja e tij shkaktoi jehonë ndërkombëtare.

U lind në vitin 1879 në gjirin e një familjeje të fisnikërisë së ulët,[2] në Lepoglavë të Mbretërisë së Kroaci-Slavonisë, i biri i Augustin Šufflay (1847–190?), mësues, dhe Franciska Welle von Vorstern (1847–1910), një shvabe nga Osijeku.[2] Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoron në vitin 1901. Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumenteve mesjetare nga arkivat e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”.

Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në “Österreichische Institut für Geschichtsforschung”, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha.

Në këtë vit, regjistron te Jireçeku “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, të cilat nuk ka arritur t’i përfundojë. Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë. Vendos kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore.

Në Budapest, Shuflaj botoi në revista dhe gazeta të ndryshme një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën “Szazdok” boton dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregon se dokumentet e Rabit të shekullit XI dhe XII, për Mbretin kroat Zvonimir, ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtojë shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’ia bojkotojnë leksionet! Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Talocin dhe Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, boton në dy vëllime kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull: “Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien.

Die ortodoxe Durchbruchszone im katolischen Damme”, për të vazhduar, pastaj në vitin 1920 me romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, të firmosur me pseudonimin Alba Limi. Në dhjetor të vitit 1920, burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1925 boton studimin: “Srbi i Arbanasi, njihova simbioza u srednjem vijeku”. Në vitin 1928 botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”.

Po këtë vit emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit. Për shkak se nuk kishte pasaportë, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë.

Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet nga dora e kriminelëve më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb. Për vrasjen e dr. Shuflajt kanë reaguar shumica e intelektualëve të kohës, në mesin e të cilëve edhe shkencëtari i njohur Ainshtain.[3]

  • Hrvatska i zadnja pregnuća istočne imperije pod žezlom triju Komnena (1901)
  • Die Dalmatinische Privaturkunde (1904)
  • Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia (së bashku me Jireçekun dhe Thalloczy, Vjenë, 1913. dhe 1918. përmbledhja e dytë)
  • Kostadin Balšić (1392-1401): historijski roman u 3 dijela - roman historik (1920)
  • Städte und Burgen Albaniens, hauptsächlich während des Mittelalters, 1924; përkthyer më 2009 në shqipe nga Luan Malltezi.
  • Srbi i Arbanasi, 1925; përkthyer Karl Gurakuqi dhe Zef Fekeqi (1926), nga Hasan Çipuri (2004) dhe Arben Ndreca (2022);
  • Na Pacifiku god. 2255.: metagenetički roman u četiri knjige - roman fantashkencor (shtypur pë herë të parë 1998)
  • Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike: dvanaest eseja (1928, ribotim 1999)
  • Hrvati u sredovječnom svjetskom viru (1931)
  • Izabrani eseji, prikazi i članci (1999)
  • Izabrani eseji, rasprave, prikazi, članci i korespondencija (1999)
  • Izabrani politički spisi (në edicionin Stoljeća hrvatske književnosti, 2000)
  1. ^ Nemec, Krešimir (1998). "Prvi hrvatski science-fiction" (PDF). Croatica (në kroatisht). 27 (45–46): 337–346. Marrë më 22 nëntor 2020.
  2. ^ a b Horvat, Josip (1965). Hrvatski panoptikum (në kroatisht). Stvarnost. fq. 173–174.
  3. ^ Jeste li čuli za prof. dr. Milana Šufflaya?