Jump to content

Ministrat e brendshëm 1912-2007 (Volumi 1)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ministrat e brendshëm 1912-2007 (Volumi 1) me Autor Hilë Lushaku. Shtëpia botuese "ILAR", viti i botimit 2009. ISBN 978-99956-07-42-5

Libri "Ministrat e Brendshëm 1912-2007", përshkruan realisht jetën e protagonistëve të dikasterit të cilësuar "i frikshëm", për të cilin janë tjerrur në vite legjendime intriguese makbethiane e është folur me hamendje të pafundme. Me emrat e tyre janë lidhur shumë fate apo jetë njerëzore, që u kalbën burgjeve apo u tretën në internime. Në 964 faqe të librit, shkruar konciz, pasqyrohen karakteret, formimi, përkushtimi në detyrë, aktiviteti politik e atdhetar i ministrave por edhe kritikat e vlerësimet që u janë bërë. Shumë prej tyre janë shquar për tharme të forta e qëndrim agresiv ndaj njëri-tjetrit. Disa inatçorë apo bajraktarë, të tjerë egoistë apo karrieristë, dikush kryelartë apo pari kanë qenë të tillë edhe në detyrë. Nuk përjashtohen servilët ndaj të huajve apo kryeqeveritarëve, por në shumë prej tyre spikatin cilësi të larta atdhetarie, bindje ndaj ligjit, shpirti demokratik, ndjeshmëria ndaj problemeve të popullit. Në libër nuk ka gjykime apo vlerësime të jetëve të ministrave të Brendshëm nga autori, por ka skeda me fakte, me informacione, me të dhëna të panjohura, hulumtuar në arkiva e biblioteka, por edhe duke "gërmuar" në biseda me ministrat që janë të gjallë. Nëpërmjet pasqyrimit të jetëshkrimeve plotësohet më tej Historia e Shtetit modern shqiptar, pasurohet informacioni për përplasjet ndërmjet shqiptarëve sipas ndarjeve klanore apo lidhjeve politike, paraqiten prova të ndëshkimit çnjerëzor dhe hakmarrjeve mesjetare, prezantohen akrobacitë politike në shkeljet ligjore deri në ekstrem, shpalosen intriga e pazare politike, madje edhe në dëm të çështjeve kombëtare. Lexuesi do të gjej në këtë libër të dhëna për veprimet e sjelljet kontradiktore të shumë ministrave, të kahershëm dhe të tanishëm, dikur miq, më pas armiq për vdekje, dikur kundërshtarë e më pas në një klan kundër të tjerëve. Kjo dukuri, e politikanëve me etje pushtetari, e bën tërheqës librin, sidomos kur prezantohen dokumente arkivore të panjohura deri më sot. Libri duket si një skenë ku aktrojnë radhazi politikanë, me skenarë "misterioze", duke zbuluar të vërteta, shumë të panjohura për një periudhë 95 vjeçare, pas së cilës nuk duhet të ndizen polemika për vlerat apo antivlerat e tyre. Libri nuk retushon, është i drejtpërdrejtë, larg ndikimeve politike apo simpative për individë, hap kapakët e pluhurosur të shumë gjërave të panjohura, ndriçon tunelin ku janë futur e errësuar shumë personalitete politike e atdhetare që meritojnë të paraqiten sikur kanë qenë, burra shteti apo politologë, diplomatë apo poliglotë, studiues apo mediokër, atdhetarë apo njerëz të klasës, profesionistë apo karrieristë, pjesë e elitës apo shërbëtorë të politikës, etj. Libri qartëson pozicionin e secilit ministër të Brendshëm në vendimmarrjen politike shqiptare që nga koha e Ismail Qemalit e deri më tani, duke shpalosur para publikut integritetin e personalitetin e tyre. Nëpërmjet jetëshkrimeve përshkruhen edhe rrethanat tërësore që ka kaluar dikasteri blu, shumë herë e influencuar nga politika e jashtme apo gjendja e rëndë ekonomike e politike në vend. Libri ndihmon rishikimin e historisë tonë mbasi faktet e paraqitura rrezatojnë fort shumë gjëra të shikuara në optikën e prirjeve të individëve apo të interesave të grupimeve politike. Në qerthullin kohor të shtetit, nga pavarësia e deri tani, ministrat e brendshëm janë linçuar nga politika, shumë quhen ende tradhtarë, agjentë e poliagjentë, disa janë internuar, 19 janë detyruar për të emigruar jashtë vendit, 21 të tjerë janë burgosur, 6 janë pushkatuar, 4 janë ekzekutuar jashtë atdheut, 4 janë vrarë në përballje me strukturat e shtetit. Ende disa janë të mbuluar nga hija e urrejtjes për krimet e sistemeve politike, aq sa pas promovimit të librit, pinjollë të tyre shprehen të pakënaqur përse ky libër nuk u sistemua sipas sistemeve politike. Harrojnë ata se krimet nuk i bëri ministri, por sistemi. Ata duhet të mësojnë, dhe kjo mundësohet nga ky libër, se burgosjet, internimet, djegiet e shtëpive, sekuestrimet e pasurisë, internimet, etj, u ligjëruan qysh në qeverinë e parë të shtetit shqiptar, kur Mufid bej Libohova e Mehdi bej Frashri, hartuan ligjet e urdhëresat e para për sigurinë në vend. Libri shuan kuriozitetet apo shumë hamendje nëse qenë tradhtarë Ahmet Zogu, Mehdi Frashri, Mufid Libohova, Musa Juka, Esad Toptani, Koço Kota, Kolë Bib Mirakaj, Fejzi Alizoti, Mustafa Kruja, Maliq Bushati, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu apo Kadri Hazbiu, etj. Po kështu, ai hedh dritë edhe për veprimtarinë e ministrave të Brendshëm në të gjitha ngjarjet historike, që nga roli i tyre në shpalljen e pavarësisë, mbështetjen e Vilhelm Vidit, qeverinë e Durrësit, kongresin e Lushnjës, revolucionin e qershorit, ardhjen e "Legalitetit", sundimin e mbretërisë zogiste, pushtimin fashist e nazist, regjimin komunist e tranzicionin demokratik aktual. Jo më pas është edhe aktiviteti e qëndrimi i ministrave në kohën e kryengritjes së Haxhi Qamilit, në përpjekjet për autonomi në periudhën e zotërimit të internatit, në lëvizjen esadiste më 1920, në kryengritjen e Mirditës në vitin 1921, në lëvizjen e marsit 1922, në krizën politike të vitit 1923, në kryengritjen e Dukagjinit më 1926, në lëvizjen e Vlorës më 1932 dhe atë të Fierit më 1935, situatën politike më 1937, pragpushtimin italian, lëvizjen komuniste në vend, etj. Me shumë interes janë të dhënat për protagonistët e gjyqit special më 1945 dhe më 1946, ilustruar me akuza, me dëshmi e prova të padëgjuara, për gjyqet e mëvonshme ku veçohen ato të Koçi Xoxes, të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, etj. Duke u njohur me jetën e 60 ministrave të Brendshëm lexuesi kupton se sa e ashpër është lufta për pushtet, sidomos në Shqipëri. Kjo duket në kritikat e akuzat ndaj ministrave të Brendshëm, bërë nga pasardhësit në detyrë ose nga kundërshtarët politikë, nga të cilat nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre. Jetëshkrimet prezantojnë gjëra të pathëna, të cilat janë ende enigma për publikun e gjerë. Shumë ministra kanë qenë në postin e ministrit të Brendshëm në disa kabinete qeveritare, ku spikatin Mufid Libohova, Esad Toptani, Mehdi Frashri, Ahmet Zogu, Rauf Fico, Musa Juka, Fiqiri Dine, Abdurrahman Dibra, Kostaq Kota, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu (25 vjet aq sa edhe Zhozef Fushe në Francë), Hekuran Isaj. Libri zbulon lidhje interesante ndërmjet ish ministrave të paraçlirimit të vendit, sikur janë Aqif Pasha me Ibrahim Biçakçiun (babë e bir), Mufid Libohova me Eqeremin (vëllezër) kanë qenë kushërinj të I. Qemalit, Shefqet Vërlaci ishte baxhanak me Aqi Pashën (kundërshtarë për vdekje), Ceno Kryeziu qe martuar me motrën e Zogut, Zogu qe gati 7 vjet dhëndër i Sh. Vërlacit, Esad Toptani ishte kushëri me Aqif Pashën, Mehdi Frashri qe kushëri me A.Zogun, M.Frashëri dhëndër i D.Biçakut i cili ishte kushëri me Aqif Pashën, Luigj Gurakuqi ishte mik me Luigj Gurakuqin, L.Gurakuqi ishte mik me Kolë Bib Mirakaj e Rexhep Shalën, S.Vllamasi ishte baxhanak me Riza Danin, etj.