Jump to content

Hilë Lushaku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Hilë Lushaku (lindur 02.01.1954 në Mat) është një ish-nëpunës i lartë i Shtetit shqiptar, ish-drejtues madhor i strukturave të Policisë së Shtetit, ish-oficer i Forcave të Armatosura dhe autor i disa publikimeve në fushën e sigurisë.

Lindur më 2 janar 1954, rastësisht në Burrel në një fushim ushtarak, nga babai Gjon, edhe ky oficer dhe mamaja Palinë, i dyti i nëntë fëmijëve, ka kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë mes Tiranës dhe Lezhës deri ne moshën 14 vjeçare kur transferohet përfundimisht në kryeqytet për të vijuar studimet pranë shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”.

Pas përfundimit të Shkollës së Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, është diplomuar me rezultate të shkëlqyera oficer zbulimi në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, më pas ka kryer Akademinë e Mbrojtjes dhe në vijim Akademinë e Policisë.

Në periudhën 1977-1992, ishte pedagog dhe drejtues i lartë në Drejtorinë e Zbulimit të Forcave të Armatosura. Në vitin 1992, u transferua në Ministrinë e Rendit Publik dhe u emërua komandant i forcave “RENEA”, më pas drejtues në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, për të vijuar drejtor i Drejtorisë Qendrore të Forcave Speciale. Në vijim shërbeu si komandat bataljoni në Gardën e Republikës dhe më pas këshilltar i Kryeministrit për Çështje të Sigurisë Kombëtare. Pas kësaj detyre, u rikthye në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në funksionin shef i Sektorit të Planifikim-Koordinimit të Operacioneve Speciale, më pas kryespecialist në Sektorin e Analizës Strategjike, duke mbyllur karrierën policore në Shërbimin e Inspektimit dhe Auditimit, në vitin 2007.

Pas kësaj periudhe, iu përkushtua studimeve në arkiva për historinë e Policisë Shqiptare, duke kryer njëkohësisht edhe detyrën e drejtorit të Sigurisë në një shoqëri private. Ka kryer specializime të shumta në Austri, Francë, Turqi dhe brenda vendit me shumë specialistë amerikanë, italianë dhe vendeve të tjera në fushën e policimit dhe luftës kundër terrorizmit.

Nga 2 Nëntori 2017 kthehet në detyra publike ku shërben si Këshilltari i Ministrit të Brendshëm për Policinë e Shtetit dhe Çështje të Sigurisë deri në daljen ne pension në Mars 2021.

Është i njohur për studime në fushën e zbulimit, sigurisë dhe të Policisë, duke qenë autor e bashkautor i shumë punimeve profesionale dhe recensues punimesh studimore. Ai është autor dhe bashkautor i shumë shkrimeve, rregulloreve, manualeve policore dhe publikimeve në fushat e mësipërme, shumë prej të cilave përbëjnë risi në Policinë e Shtetit. Ka qene shume i afte ne punen e tij si polic edhe nje qytetar i mire

Është i martuar me znj. Lindita Lushaku, oficere policie dhe kanë dy fëmijë Paulina dhe Gjergji Lushaku. Që prej Marsit 2021 nuk kryen më funksione publike duke iu dedikuar me kohë të plotë studimeve në fushën e sigurisë. Jeton mes Italisë dhe Shqipërisë.