Muin Çami
Muin Çami (Gjirokastër, 13 shkurt 1923 - 14 dhjetor 2011) ka qenë veprimtar i Frontit Nacional-Çlirimtar dhe historian shqiptar.[1]
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]U lind në Gjirokastër më 13 shkurt 1923, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Më 1940 nisi punën në ndërmarrjen "Selfo", në vitet 1942-43 ka punuar telegrafist në zyrat e PTT-Tepelenë. Në vitin 1944 del partizan dhe ngarkohet me detyrën e përgjegjësit të Stacionit Radiofonik të Brigadës së VIII-S, me komandant trimin Asaf Dragoti (Tahiraj). Pasçlirimit, ai vazhdon punën si radist në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për të kaluar më pas pranë Legatës së RP të Shqipërisë në Beograd, në vitet 1946-1950. Kthehet që andej në Ministrinë e Punëve të Jashtëme, ku punoi deri më 1953. Pas kësaj, emërohet shef në Sektorin e Tregëtisë së Jashtëme, për të kaluar në vitin 1955 në Institutin e Shkencave dhe më tej, në vitin 1957 në Institutin e Historisë.
Arësimin e lartë e ka kryer pa shkëputje nga puna në vitet 1951-'55. Më 1972 meriton titullin "Bashkëpunëtor i vjetër Shkencor" dhe më 1987 mbron "Doktoraturën", duke fituar gradën "Doktor i Shkencave Historike". Më 1994 i jepet titulli "Profesor".
Prof.Dr. Muin Çami i përket plejadës së historianëve më në zë të Shqipërisë. Ka botuar disa monografi në vitet 1969,1987 dhe më 1999. Është bashkautor në përgatitjen e vëllimit të dytë të Historisë së Shqipërisë (1965) dhe të tretë (1984). Është bashkëpërgatitës dhe përgjegjës i dy vëllimeve me Dokumente (1975 - 1976). Po ai është, gjithashtu, autor i një numri zerash në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, më 1985.
Ka botuar dhjetra artikuj shkencorë në revistat shkencore "Studime historike", "Studia Albanica" etj. Ka mbajtur kumtesa dhe referate në sesione shkencore, brenda dhe jashtë vendit.
Muin Çami ka dhënë ndihmesën e vet edhe në ngritjen e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, por edhe për disa muze të rretheve të ndryshme të vendit...
Ka propaganduar arritjet e historiografisë shqiptare me artikuj të shumtë publicistikë. Studimet e këtij historiani u përkasin periudhave të ndryshme historike, por veçanërisht, ato kanë të bëjnë me periudhën 1912-1924.
Botime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- “Lufta çlirimtare antiimperialiste e popullit shqiptar në vitet 1918-1920” - 1969
- “Shqipëria në marrëdhëniet ndërkombëtare” (1914-1918) - 1987
- “Shqiptarët dhe francezët në Korçë” - 2000
- “Lufta e Vlorës, faktorët e fitores” - 2000
- “Shqipëria në rrjedhat e historisë 1912-1924” - 2007
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Verli, Marenglen (2013). "In memoriam, Muin Çami (1923-2011)" (PDF). Studia Albanica (në frëngjisht). 1–2: 189–190. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 8 janar 2022. Marrë më 5 shkurt 2022.