Jump to content

Murat Gecaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Prof. Murat Gecaj, studiues e publicist shqiptar. Ka lindur në fshatin Bujan, të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), më 29 mars 1940, në një familje me tradita atdhetare. Pasi kreu studimet e larta me vlerësimin “shumë mirë”, për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në vitet 1963-1965 punoi redaktor në gazetën javore të fëmijëve “Pionieri”. Ka studiuar e botuar dhe vazhdon punimet e tij për historinë e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, veçanërisht nga Kosova. Në vitin 1992, mbrojti disertacionin në këtë fushë dhe mori gradën “Doktor i shkencave pedagogjike”. Në vijim të punës së bërë, në vitin 1996 iu dha titulli shkencor “Profesor i asociuar”. Në 2011, është përfshirë në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, me qendër në Tiranë, me detyrën përgjegjës i sektorit të shtypit e i marrëdhënjeve me publikun.

Për një periudhë afër 55-vjeçare, është autor i mjaft shkrimeve e studimeve, në gazeta e revista shqiptare. Ka mbajtur një kumtesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972). Eshtë autor i disa zërave për arsimin e shtypin, në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë, 1985) dhe ribotimi (Tiranë, 2010); bashkautor i veprës “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar” (Tiranë, 2002), si dhe bashkautor në botime të tjera: arsimore, historike, folklorike etj.

Një vit pas luftës në Kosovë, e vizitoi këtë për herë të parë. Përshtypjet e tij i botoi në librin “Si e pashë unë Kosovën” (Tiranë, 2000), i cili mori vlerësimin “Mirënjohje e Kombit”. Në vazhdim, publikoi librat: “Nëpër udhët e shkollës shqipe”(Tiranë, 2001; ribotuar më 2008), “Pishtarë të parë të Normales së Shkupit”(Kumanovë, 2002) e “Filologë që nuk harrohen”(Tiranë, 2002) dhe “Salih Myftar Kolgeci-monografi” (Tiranë, 2006; librin jetëshkrimor ”Ëndrrat ’e grisura’ të jetës sime”(Tiranë, 2010),”Bedri Dedja: Në kujtesën tonë”-përmbledhje kujtimesh(Tiranë, 2010) dhe ”Rrahin zemrat arbërore” (Tiranë, 2011).