Mustafa Spahiu
Mustafa Spahiu u lind me 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Anamoravës së Gjilanit, Republika e Kosovës. Rrjedh prej një familje zejtare-bujqësore të kamur e fisnike. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. E kreu Akademinë pedagogjike - gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup. I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe. Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në "Flaka për fëmijët tanë" - Shkup. Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi - programet në gjuhën shqipe. Për 25 vjetë me rradhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionion më të dëgjuar për fëmijë "Lule më lule". Mbi 14 vjet e drejtoi emisionin letrar të koduar "Tingulli i artë i fjalës". Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve "Pushkin" në Tetovë u nderua me çmim të parë. Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave: kroatishte, boshnjakishte, maqedonishte, serbishte, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë. Është anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë. Është anëtar i Klubit të shkrimtarëve "Konstandin Kristoforidhi" të Elbasanit, R. e Shqipërisë. Është qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe Mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit. Pas 41 vjet shtazh pune është pensionist, krijon, punon, lexon, përkthen, boton dhe jeton në qytetin e Shkupit. Vendlindjen e ka burim të pashtershëm frymëzimi.
Biografi lirike e librave të autorit:
- Buzëqeshjet e okarinave - (1981)
- Ylbere lirie... - (1982)
- Mollëkuqet e blerimit - (1984)
- Fëmijët kalojnë nën ylbere - (1988)
- Nobelistët për fëmijë - (1989)
- Livadhi im - "Moja livada" - (1989)
- Buzëburimi - "Pokraj izvorot" - (1992)
- Sytë që shkrepin fëmijëri - (1994)
- Fëmijët lozin në brerore - (1994)
- ...Më ka marrë malli... - (1995)
- Rregullat e mirësjelljes (Bonton) - (1995)
- Ora që kurdiset nga ëndrrat e fëmijëve - (1996)
- Vallja e okarinave - (1999)
- Kolovajza e ëndrrës sime - (2000)
- Këngët e trishtilit - (2000)
- Sikur t'isha djalë i diellit - (2004)
- Fëmija është bilbil i shtëpisë - (2005)
- Me buzëqeshje ju dal përballë - (2005)
- Fëmijët fshihen në gjelbërim - (2007)
- Era s'ka shtëpi (haiku) - (2007)
- Fermanet e pranverës - (2009)
- Një imazh fshati më mungon - (2011)
- Çka ëndërron dallandyshja – (2011)
- Flamingo (haiku) - (2011)
- Unazë në amforë (haiku me rimë) – (2013)
- Shtëpia me melodi violinash – (2013)
- Vashëza ullinjore fsheh ishullin – (2013)
- Rreze mbi lirikën e zogut – (2015)
- Në ballë të ditës bukuritë – (2015)