Muzeu “Shtëpia Kadare”
Muzeu “Shtëpia Kadare” ndodhet në Gjirokastër, dhe është banesa ku lindi shkrimtari i njohur shqiptar nga gjirokastra Ismail Kadare. Muzeu hapi dyert për vizitorët në 28 janar të vitit 2016. Shtëpia daton në vitin 1799 dhe u rindërtua pas djegies aksidentale në vitin 1999, sipas përshkrimit që i bën vetë Kadare. Projekti i rindërtimit u mundësua me fondet e UNESCO’S dhe qeverisë shqiptare. Banesa ndodhet brenda qendrës historike në lagjen “Palorto”. Ka statusin monument kulture i kategorisë së parë, shërben edhe si qendër kulturore ku zhvillohen aktivitete të shumta.
Restaurimi i është përmbajtur plotësisht projektit fillestar të ndërtesës që përbëhet nga dy kate, nga qilari që ndodhet në katin përdhes ku mbaheshin zahiret (rezerva ushqimore) të dimrit. Ky kat shërbeu edhe si vendstrehim gjatë bombardimeve në Luftën e Dytë Botërore. Në themelet e shtëpisë ndodhet sterna e ujit që grumbullon ujin e shiut nga hulluqet e çatisë dhe është origjinale. Në katin e parë (nëndivani) janë hajatet që përdoreshin për kafshët dhe veglat e punës.
Në katin e dytë ndodhen ambientet e banueshme të shtëpisë. Dy oda të mëdha ku qëndronin miqtë dhe dy oda të vogla “dimërore” që përdoreshin nga familja. Brenda shtëpisë gjenden disa sende origjinale të familjes si mangall, sënduk, një helmetë e Luftës së Vietnamit ku Ismail Kadare ka qenë reporter. "Shtëpia Kadare" është bërë e njohur për vizitorët falë romanit “Kronikë në gur” ku shkrimtari përshkruan çdo detaj të saj.