Jump to content

Myzafere Krasniqi Limani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Myzafere Limani)

Myzafere Krasniqi-Limani (1954, Pejë) është inxhiniere dhe profesoreshë universitare kosovare, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.[1]

Myzafere Krasniqi u lind në Pejë më 1954. Në vitet 1973-1978 studion në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës në fushën e elektronikës dhe telekomunikacionit. Studimet pasuniversitare të magjistraturës i mbaroi në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Beogradit, në vitin 1988 ndërsa studimet e doktoratës i përfundon në Universitetin e Prishtinës në vitin 2000. Në vitet 1978-1979 ka punuar si drejtoreshë teknike në ndërmarrjen PTT në Pejë. Nga marsi i vitit 1979 ka qenë pjesë e stafit të rregullt akademik të Fakultetit të inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës si profesor i rregulltë deri në vitin 2020. Ka qenë shefe e departamentit të elektronikës në FIEK, në dy periudha 1997-2006 dhe 2012-2020, prodekan në FIEK në vitet 1995-1997, dekan i FIEK në periudhën 2006-1012, ndërsa më 2006/07 anëtare e Grupit të Ekspertëve për Politikat në Shkollimin e Lartë pranë MASHT–it, Kryesuese e Këshillit Shtetëror për Arsim të Lartë pranë MASHT nga viti 2009, nënkryetare e Këshillit për Shkencë të MASHT (2010 2015), kryetare e Këshillit Shkencor të MAShT nga viti (2015–2019), anëtare e Këshillit të Universitetit të Prishtinës (mars 2020 qershor 2020). Në vitin 2022 zgjedhet kryetare e Këshillit Kombëtar të Shkencës të Kosovës.

Merret me hulumtimin e problemeve shkencore në lëmin e elektronikës se aplikuar, elektroakustikës dhe përpunimit të audio sinjaleve, dhe ka punime shkencore të publikuara në revista ndërkombëtare dhe kombëtare si dhe kongrese, simpoziume dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Është dalluar si profesioniste me projekte që janë në eksploatim në industrinë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ka përvojë të pasur të bashkëpunimit ndërkombëtar. Ka realizuar vizita studimore, mbajtje të ligjëratave dhe bashkëpunim në projekte me universitete të jashtme, nga të cilat veçohen: Universiteti i Korinthit, Greqi; Universiteti i La Rochellit, Francë; Universiteti i Shkencave të Aplikuara, Regensburg, Gjermani; Universiteti i Shkencave të Aplikuara, Joanneum, Grac, Austri; Universiteti i Pittsburgh-ut, SHBA; Universiteti Politeknik i Katalonisë, Barcelonë, Spanjë; Universiteti Corvinus Budapest, Hungari; Universiteti La Sapienca, Romë, Itali; Universiteti i Zagrebit, Kroaci; Universiteti Politeknik i Tiranës, Shqipëri; Universiteti i Gavles, Suedi; Universiteti i Shkupit, Maqedoni; Universiteti i Splitit, Kroaci; Universiteti teknik i Goteborgut, Suedi; Qendra e Metrologjisë Paris, Francë; dhe Universiteti i Lubjanës, Slloveni.[2]

  • “Detyra të zgjedhura nga Elektronika”, FT, UP, Prishtinë, 1981
  • “Ushtrime laboratorike nga Elektronika II”, FT, UP, Prishtinë, 1982
  • “Ushtrime laboratorike nga Elektronika me Telekomunikacion”, FT, UP, Prishtinë, 1983
  • “Elektronika Industriale”, FET, UP, Prishtinë, 1995
  • “Elektronika Fizike”, FET, UP, Prishtinë, 1999
  • “Elektronika Energjetike”, UP, Prishtinë, 2002
  • “Bazat e Multimedias”, UP dhe WUS Austria, Prishtinë, 2008
  • “Detyra të zgjedhura nga Elektronika”, Prishtinë, 1981
  • “Ushtrime laboratorike nga Elektronika II”, Prishtinë, 1982
  • “Ushtrime laboratorike nga Elektronika me Telekomunikacion”, Prishtinë, 1983
  • “Elektronika Industriale”, Prishtinë, 1995
  • “Elektronika Fizike”, Prishtinë, 1999
  • “Elektronika” FET, Prishtinë, 2003
  • “Elektronika analoge” FET, Prishtinë, 2003
  • “Recent Advances in Systems, Communications & Computers”, (kapitull i librit), WSEAS, New York, 2008
  • “Sfidat e planifikimit Multiparametrik të rrjeteve komunikuese pa tela”, ASHAK, Prishtinë, 2021
  1. ^ "Myzafere Limani". EngineerGirl (në anglisht). Marrë më 2024-02-18.
  2. ^ "Myzafere Krasniqi - Limani". ashak.org. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Marrë më 2024-02-18.