Në udhën e shqiptarizmës
Në udhën e shqiptarizmës Gjinia: Shkenca politike. Autori: Vangjel Koça. Shtëpia botuese: "Plejad". Viti i botimit 2010. Faqet e librit 376. ISBN 978-99956-57-37-6
Fragmente nga libri
Po! E drejta e mendjes është një detyrë e çdo njeriu të lirë. Ose më mirë: ka të drejtë të mendjes ai njeri që ndjen edhe një detyrë që i përgjigjet kësaj të drejte. Brenda në shoqëri s'mund të kuptohet e drejta pa detyrë. Në një tërësi shoqërore harmonike s'ka të drejtë që të mos kundërpeshohet me një detyrë.
Çdo pjesëtar i shoqërisë ka të drejtë të mendjes. Kjo do të thotë: çdo njeri është i lirë të ketë një mendje, duke e blerë këtë të drejtë me ndjenjën e përgjegjësisë së kësaj mendjeje. Kur mungon kjo ndjenjë, e drejta bie poshtë, siç bie edhe disku i peshores kur s'ka një peshë analoge në diskun tjetër.
Për "Idenë e Madhe" mund të kenë mbetur akoma tokat shqiptare të Jugut... Por shpejt Greqia do të kuptojë njëherë e mirë se dhe këto toka, bashkë me disa të tjera që ajo ka akoma padrejtësisht në dorë të saj, janë mall i pakontestueshëm dhe i paparashkrueshëm i banorëve më të vjetër e më trima të Gadishullit Ballkanik, me gjakun e të cilëve është formuar akoma edhe shteti i sotëm grek.
Përpjekjet shqiptare do t'i japin "utopisë" greke shuplakën e fundit dhe do ta detyrojnë popullin grek të gjejë udhën e tij të drejtë, atë udhë që do t'i takojë në Ballkanin e ri sipas mundësisë dhe zotësisë së tij.