Neki Babamusta
Neki Babamusta ka lindur në Kavajë, Shqipëri. Ka punuar për 40 vjet si profesor i historisë botërore dhe shqiptare si dhe i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Në vitin 1957 pushohet nga puna si mësues, si i padëshiruar nga Diktatura për idetë perëndimore. Në 1994 dekorohet me titullin e lartë “Mësues i Merituar” nga demokracia shqiptare për njohjen e vlerave arsimore dhe letrare.
Fisi Babamusta dhe i gruas, Cani ishin bashkëluftëtarë të Rilindjes dhe të baca Bajram Currit, si dhe në bashkëpunime me dipllomacinë Anglo-Amerikane. Gjatë Luftës II Botërore, dy fiset u lidhën me organizatën antikomuniste “Fronti i Rezistencës” në aleancë me Anglo-Amerikanët (v. ’44 – ‘46) nën drejtimin e Hamdi Frashërit e Dill Canit, për rrëzimin e komunizmit. Dyert e dy fiseve plot bujari pritën e përcollën drejtues dhe kapedanë të Kombit si Ismail Qemali, Aqif Pashë Elbasani, Avdi Bej Toptani, Avni Rustemi, Shyqyri Peza, Mustafa Gjinishi, etj.
Gjatë punës së tij si mësues dhe hulumtues historie Neki Babamusta ka shkruar mbi 100 kumtesa dhe referate shkencore historike.Për të zhvilluar lëvizjen arsimore në Shqipërinë e Mesme dhe Kosovë, Neki Babamusta ka mbajtur disa kumtesa dhe ka përgatitur materiale historike. Në kumtesat historike në Durrës dhe Tiranë (tek Ministria e Arsimit) z. Neki Babamusta ka dhënë mendime për ndryshimin e teksteve të historisë dhe organizimin e metodave të mësimdhënies, sipas profilit perëndimor. Gjithashtu ka dërguar materiale për ngjarje historike tek Instituti i Historisë në Tiranë.
Në 2004, Kongresi Amerikan, në emër të Qeverisë Amerikane dhe të nderuarit Senator Tom Harkin dhe Anëtari i Kongresit Mark Kennedy, i dhanë vlerësim të lartë për aktivitetin afro 100-vjeçar të familjeve Babamusta dhe Cani duke i dekoruar me medaljen më të lartë dhe valëvitjen e flamurit Amerikan në majë të Kongresit Amerikan si respekt dhe vlerësim të aktiviteteve të tyre diplomatike.
Në 4 korrik 2013 me rastin e pavarësisë të Sh.B.A.-ve, Senatori Harry Reid, Kryetar i Maxhorancës të Senatit Amerikan dekoroi Neki Babamustën me titullin "Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë" dhe vajzën e tij Ermira Babamusta me titullin "Gruaja Ndërkombëtre Humanitare". Me kërkesë të senatorit Harry Reid dy flamuj u ngritën në majë të Kongresit Amerikan për të njohur punën e familjes Babamusta për paqe, demokraci dhe forcim midis lidhjes shqiptaro-amerikane. DEKORIME
(1965, 1968, 1973) – “Mësues Shembullor”, ngritja e 3 kabineteve mësimore shembullore historike në shkallë republike, ku mësues nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë vinin për trajnim dhe marrje eksperience (1965 në gjimnazin e Kavajës, 1968 në shkollën Fiqiri Kurti, Kavajë dhe 1973 në shkollën Mehmet Babamusta, Kavajë).
(1988) – Titulli “Mësues për Ndërgjegje të Lartë” për metoda bashkëkohore në mësimdhënie” me kërkesë të kolektivit.
(1994) – Titulli “Mësues i Merituar” me fitoren e demokracisë në Shqipëri për vlera të larta patriotike dhe demokratike.
(korrik 2003) – Pritja nga Senatori Tom Harkin, Kongresi Amerikan i cili përgëzoi familjen në emër të qeverisë dhe kongresit amerikan për kontributin dhe miqësinë SHBA- Shqipëri.
(2004) Dekorim dhe ngritja e Flamurit Amerikan në Kongresin Amerikan për rivendosjen/forcimin e lidhjes së miqësisë Shqipëri-SHBA dhe fitoren e Demokracisë për Neki Babamustën dhe familjen Babamusta, si dhe vëllanë Qemalin, ish bashkëpunëtor me dëshmorin Mehmet Babamusta, dhe Mustafa Gjinishi pranë Shtabit të Përgjithshëm, në Pezë, Shqipëri, pranë oficerëve anglezë.
(2004) Dekorim dhe ngritja e Flamurit Amerikan dhe mbajtje zi 1 minutë, te Kongresi Amerikan për patriotin nacionalist Kastriot Cani (i ati i bashkëshortes, Suzana Babamusta dhe biri i Patriotit të Kombit, Ramazan Cani – Hero Popullor/Mësues i Popullit, eshtrat e tij prehen tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Elbasan), si pjesëmarrës në Frontin e Rezistencës 1944 dhe ish-adjutant i Mustafa Gjinishit (ish-bashkëpunëtori numër 1 me oficerët anglezë pranë Shtabit të Përgjithshëm.
(2004) Dekorim dhe ngritja e Flamurit Amerikan në Kongresin Amerikan për vajzën, Ermira Babamusta, për veprimtarinë në fushën diplomatike, të paqes dhe politikë.
(2013) Dekorim "Mbrojtës Ndërkombëtar i Demokracisë" dhe ngritja e Flamurit Amerikan në Kongresin Amerikan për mbrojtjen e vlerave demokratike. Vajzës së tij, Ermira Babamusta iu dha titulli "Gruaja Ndërkombëtre Humanitare" dhe u ngrit Flamuri Amerikan në Kongresin Amerikan për punën e saj diplomatike-kulturore në Kosovë dhe botë.