Një mijë diej vezullues

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Një mijë diej vezullues është roman i vitit 2007, shkruar nga autori afgano-amerikan Khaled Hosseini. Është debutimi i tij i dytë që vjen pas romanit bestseller të vitit 2003, Gjuetari i balonave. Mariami është fëmijë jashtëmartesor dhe vuan edhe si fëmijë, duke u rritur në një barakë të një fshati të largët, por edhe nga abuzimet e vazhdueshme pas martesës. Laila, e lindur një gjeneratë më pas, është relativisht e privilegjuar në rini, derisa fatet e tyre ndërlidhen kur ajo detyrohet ta pranojë propozimin për martesë që ia bën Rashidi, burri i Mariamit.

Një mijë diej vezullues
AutoriKhaled Hosseini
Titulli origjinalA Thousand Splendid Suns
PërkthyesiLedia Agolli
ShtetiSHBA
GjuhaAnglisht
Botuesi
Botimi22 maj, 2007
Botimi shqip2007
Faqe384
ISBN978-1-59448-950-1

Përmbajtja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në periferi të Heratit, një vajzë me emrin Mariam jetonte me nënën e saj të mërzitur dhe që ndihet e huaj. Babai i Mariamit, Xhalili, është një biznesmen që zotëron një kinema dhe jeton në Herat me tri bashkëshortet e tij dhe me shumë fëmijë. Ai udhëton për ta vizituar Mariamin, vajzën e tij jashtëmartesore, çdo të enjte. Në ditën e pesëmbëdhjetë, Mariami dëshiron që babai i saj ta marrë atë për të parë Pinocchion në kinemanë e tij, edhe përkundër lutjeve të nënës së saj. Kur ai nuk vjen, Mariami niset për në shtëpinë e babait të saj dhe fle në rrugë jashtë, pasi ai nuk e lejon të hyjë brenda. Pas kthimit në shtëpi, Mariami gjen se nëna e saj ka bërë vetëvrasje nga frika se vajza e saj e kishte braktisur. Mariami tani është marrë për të jetuar në shtëpinë e Xhalilit, por gratë e tij e shtyjnë atë që ta bindë Mariamin të martohet me Rashidin, një këpucar nga Kabuli i cili është tridhjetë vjet më i moshuar se ajo. Mariami kundërshton, por shpejt bindet se është nën presion për martesë dhe largohet me Rashidin. Në Kabul, Rashidi është fillimisht i sjellshëm dhe pret që ajo të përshtatet. Megjithatë, meqë Mariami ngel shtatzënë dhe dështon disa herë ta çojë deri në fund shtatzëninë, marrëdhënia e tyre acarohet dhe ai bëhet gjithnjë e më i keq dhe më abuzues ndaj paaftësisë së saj për t'i lindur atij një djalë.

Ndërkohë, një vajzë e vogël me emrin Laila rritet në një shtëpi fqinje në Kabul. Ajo është pranë babait të saj, një mësues me zemër të butë, por e shqetëson nëna e saj, e cila është në depresihon dhe nuk reagon ndaj asgjësë, prej vdekjes së dy djemve të saj në ushtri. Laila është gjithashtu shoqja e ngushtë e Tarikut, një djali fqinj, por miqësia e tyre gjithnjë e më shumë vështirësohet nga të tjerët teksa ata rriten; përkundër kësaj, ata zhvillojnë një romancë sekrete. Kur Afganistani hyn në luftë dhe Kabuli bombardohet nga sulmet me raketa, familja e Tarikut vendos të largohet nga qyteti dhe lamtumira emocionale midis tij dhe Lailës arrin kulmin dhe ata përfundojnë duke bërë dashuri. Familja e Lailës përfundimisht gjithashtu vendos të largohet nga qyteti, por një raketë shkatërron shtëpinë e tyre ndërsa po përgatiten të largohen, duke vrarë prindërit e saj dhe duke lënduar rëndë Lailën. Ajo është marrë më pas nga Rashidi dhe Mariami.

Ndërsa Laila rimëkëmbet nga plagët e saj, Rashidi shpreh interes ndaj saj. Laila gjithashtu informohet se Tariku dhe familja e tij kanë vdekur në rrugën e tyre jashtë qytetit. Gjatë kësaj kohe, ajo zbulon se është shtatzënë dhe mban fëmijën e Tarikut, Laila pajtohet që të martohet me Rashidin për të mbrojtur veten dhe foshnjën. Ajo lind një vajzë dhe ia ngjet emrin Aziza, të cilën Rashidi e refuzon dhe e neglizhon pasi është vajzë. Xheloze ndaj Lailës dhe Rashidit, Mariami fillimisht është shumë e ftohtë dhe sillet keq, por gradualisht ndreqin raportet me Lailën, ndërsa përpiqet të përballet me abuzimin e Rashidit dhe fëmijës. Të dyja ato bëhen mikesha të ngushta dhe i besojnë njëra-tjetrës, duke formuluar një plan për të ikur nga Rashidi dhe për t'u larguar nga Kabuli, por akoma pa hipur në autobus kapen. Rashidi i rreh të dyja, i mbyll ato ndaras dhe ua ndalon ujin, duke vrarë thuajse Azizën.

Disa vjet më vonë, talebanët ngrihen në pushtet dhe vendosin rregulla të ashpra mbi popullsinë afgane, duke i kufizuar rëndë të drejtat e grave. Në një spital të grave që është i zhveshur nga të gjitha furnizimet, Laila është e detyruar t'i nënshtrohet një seksioni C pa anestezi për të lindur djalin e Rashidit, Zalmain. Laila dhe Mariami e rrisin Zalmain, për të cilin Rashidi tregon shumë dashuri dhe e favorizon shumë. Në ato kohë, ndodh një thatësirë dhe kushtet e jetesës në Kabul bëhen të varfëra. Punëtoria e Rashidit digjet dhe ai detyrohet të marrë punë të tjera. Ata e dërgojnë Azizën në një jetimore dhe Laila duron rrahjet nga talebanët sa herë që kapet vetëm për t'u përpjekur për ta vizituar vajzën e saj.

Një ditë Tariku shfaqet në shtëpi dhe takohet me Lailën, aty e kupton se Rashidi e kishte detyruar një njeri ta informonte Lailën për vdekjen e fiksuar të Tarikut, në mënyrë që ajo të binte dakord të martohej me të. Kur Rashidi kthehet në shtëpi nga puna, Zalmai i tregon atij për vizitorin. Dyshimi i marrëdhënieve mes Lailës dhe Tarikut e bën Rashidin ta godasë Lailën me egërsi. Ai përpiqet ta mbysë atë, por Mariami ndërhyn dhe e godet me një lopatë, duke i thënë Lailës dhe Tarikut të vrapojnë. Më pas, ajo rrëfen për vrasjen e Rashidit për të tërhequr vëmendjen nga ata dhe ekzekutohet publikisht. Laila dhe Tariku largohen për në Pakistan me Azizën dhe Zalmain dhe kalojnë ditët duke punuar në një shtëpi mysafirësh në Murre, një qytezë verore.

Pas rënies së talebanëve, Laila dhe Tariku kthehen në Afganistan. Ata ndalojnë në fshatin ku Mariami ishte rritur dhe zbulojnë një paketë që babai i Mariamit ia kishte lënë asaj para se të vdiste: një videokasetë e Pinocchios; një thes të vogël parash dhe një letër. Laila lexon letrën dhe zbulon se Xhalili kishte ardhur te shtëpia e Mariamit, por ajo s'ia kishte hapur derën. Laila dhe Tariku kthehen në Kabul dhe përdorin paratë për të riparuar jetimoren ku kishte qëndruar Aziza. Aty Laila fillon të punojë si mësuese. Ajo ngel shtatzënë dhe pret fëmijën e saj të tretë dhe nëse është vajzë, zotohet t'ia vërë emrin Mariam.