Njerëz të varfër
Autor | Fjodor Dostojevski |
---|---|
Titulli origjinal | Бедные люди (tr. Bednye lyudi) |
Shteti | Rusi |
Gjuha | Rusisht |
Zhanri | Roman epistolar |
Data e botimit | 1846 |
Njerëz të varfër (rusisht: Бедные люди, Bednye lyudi) është romani i parë i Fjodor Dostojevskit, i shkruar për nëntë muaj në vitet 1844 dhe 1845. Dostojevski kishte vështirësi financiare për shkak të stilit të jetesës dhe varësisë së tij në lojërat e fatit; megjithëse kishte bërë disa përkthime të romaneve të huaja, ato patën pak sukses dhe ai vendosi të shkruajë një roman të tijin për të mbledhur fonde.
Frymëzuar nga veprat e Gogolit, Pushkinit dhe Karamzinit, si dhe nga autorët anglezë dhe francezë, romani Njerëz të varfër është shkruar në formë të letrave mes dy personazheve kryesore, Makar Devushkini dhe Varvara Dobroselova, varfanjakë, të cilët janë kushërinj të tretë me dallim për dy gjenerata. Romani tregon jetën e njerëzve të varfër, marrëdhëniet e tyre me njerëzit e pasur dhe varfërinë në përgjithësi, të gjitha tema të zakonshme të natyralizmit letrar. Mes tyre zhvillohet një miqësi e thellë, por e çuditshme, derisa Dobroselova humb interesin e saj për letërsinë, dhe më vonë edhe komunikimin me Devushkinin, pasi një i ve i pasur, Bikovi i propozon martesë. Devushkini, prototip i nëpunësit që gjendet në shumë vepra të letërsisë natyraliste të asaj kohe, ruan karakteristikat e tij sentimentale; Dobroselova braktis artin, ndërsa Devushkini nuk mund të jetojë pa letërsi.
Kritikët bashkëkohorë e kanë lavdëruar romanin Njerëz të varfër për temat e tij humanitare. Vissarion Belinsky e ka quajtur "romani i parë social" i Rusisë dhe Alexander Herzen e ka quajtur një vepër të madhe socialiste, ndërsa kritikë të tjerë kanë vërejtur parodi dhe satirë. Romani përdor një polifoni të ndërlikuar zërash nga këndvështrime dhe rrëfyes të ndryshëm. Fillimisht, Dostojevski ia ka ofruar dorëshkrimin revistës Fatherland Notes, dhe është botuar në listën Përmbledhja e Shën Petersburgut, më 15 janar 1846. Prej aty, libri u bë një sukses i madh në mbarë vendin.