Nuk jam engjëll
Nuk jam engjëll Gjinia: Roman. Autore: Brunilda Zllami. Shtëpia botuese: "Dudaj". Viti i botimit 2014. Faqet e librit 436. ISBN 978-99943-0-360-1
Mbi librin
Po flitet shumë për letërsinë e angazhuar, atë letërsi që të bën të mendosh, të kuptosh dhe të reagosh. Pikërisht në këtë drejtim rrjedh romani i Brunilda Zllamit. Jetë grash të zakonshme, nga ato që hasim çdo ditë. Në karrierë apo shtëpiake, në metropol apo në zona rurale, të pavarura apo të dërrmuara nga pesha e zakoneve mesjetare, ato janë në kërkim të lumturisë, të asaj lumturie që ka formën e vet tejet personale.
Të ngërthyera në martesa të venitura, të privuara nga ëndrrat, të drobitura nga muret që sa vijnë e ngushtohen rreth tyre, të tjetërsuara nga mjedisi që iu ka caktuar rregulla që duhet të ndjekin. Gra që kërkojnë dashurinë dhe gra që s’e kanë njohur kurrë atë, gra që duan karrierën dhe gra që s’janë shkolluar kurrë, gra që duan respekt dhe gra që dhunohen çdo ditë.
Pra, çfarë është lumturia vallë? Nëse është një koncept ideal ku ndihemi të përmbushura, cila është optika që na lejon ta shikojmë dhe a duhet të ndjekim të njëjtën rrugë për ta arritur? “Nuk jam engjëll”, sigurisht nuk është një roman që tregon rrugën drejt lumturisë, por evokon dëshirën, guximin, pasionin, forcën që gjendet brenda çdo gruaje. Tek e fundit, një grua është njeri, nuk ka nevojë për etiketa. Ajo s’është statujë, s’është demon dhe kur dikush ia cenon atë që ka të çmuar, sigurisht që nuk është as engjëll.