Jump to content

Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010 Publicistikë me Autor Spartak Ngjela. Shtëpia botuese: UET Press. Viti i botimit 2011. Faqet e librit 640. ISBN 978-99956-39-54-8

"...koshienca njerëzore kishte krijuar qytete të lira, tregtinë e lirë, shtetin institucionale me anë të parlamentit. Ky proces kishte nisur dhe në dy shekuj e kishte përfunduar Revolucionin Industrial, në një kohë kur arti dhe letërsia kishin krijuar një moment të ri shpirtëror në jetën njerëzore. Përfundimisht, ishte krijuar njeriu i lirë, personaliteti i tij, njeriu autonom në një kohë postindustriale e postmoderne; kishte shpërthyer pluralizmi dhe dija ishte organizuar qartësisht me anën e sistemeve logjike. Intelekti po bënte jetën e vet postrelativiste. Kurse ne kishim mbetur të izoluar në një jetë të errët që mendonte për bukën e përditshme e aspak për dije dhe që bëntë jetën nën hijen e një perandorie, e cila nuk i kishte sjellë njerëzimit asgjë veç shkatërrimit të vlerave."

"Modernizmi dihet se ka këto pika kardinale në natyrën e tij: zhvillimin ekonomik industrial, ndryshim kulturor dhe ndryshim politik. Të tre këta ingredientë janë të lidhur me njëri - tjetrin, sepse nëpërmjet këtij raporti të brendshëm krijohet ndryshimi permanent i ndërgjegjies njerëzore. Zhvillimi ekonomik në Perëndim kishte qenë industrial, ndryshimi kulturor kishte qenë urban dhe ndryshimi politik thellësisht demokratik. Një treg i lirë dhe një demokraci liberale e kishin ndryshuar Europën në 20 vjet dhe, ndërkohë, po ndodhte ndryshimi i koshiencës së individualizmit drejt njeriut autonom, i cili i ka të garantuara të gjitha mundësitë që të triumfojë me idetë e krijuara prej tij në një shoqëri liberale. Kjo në fakt ishte tronditje që ndihej kudo. Kjo kishte sjellë tronditje në Pragë, në Budapest, në Varshavë, por kishte sjellë tronditje edhe në Pekin dhe në Tiranë. Ky ishte fakt tashmë, por ndryshe nga kryeqytetet e tjera, në Pekin e në Tiranë, vullnetet e sëmura kishin armiqësi patologjike me modernitetin, në një kohë kur zhvillimi i brendshëm modernitetin e kishte domosdoshmëri. Shqiptarët koha i ndëshkoi sepse, në fakt, dominoi vullneti hoxhian i izolimit."

"Jo çdo ngjarje është fakt historik, kurse vetë fakti historik ka nevojë për interpretim. Duhet ta kuptojmë botën - ka thënë Albert Anjshtajni - jo mbi bazën e gjërave që ndodhin, por mbi bazën e marrëdhënieve. Ky është relativizmi dhe sigurisht që ne jemi postrelativistë e prandaj na shqetësojnë marrëdhëniet. Por, duke u qëndruar këtyre marrëdhënieve, "A ka një logjikë të historisë?" pyet Osvald Shpengleri, e mandej shton: "Përtej gjihtë elementeve shkakësore dhe të pakalkulueshme, a ka diçka të cilën ne mund ta quajmë strukturë metafizike të humantitetit historik?...shkurt, e gjithë historia, ka një metafizikë të humantitetit historik dhe, po ashtu, e gjithë historia është e bazuar mbi arketipat e përgjithshëm biografikë."

"Kultura, nëse nuk e çliron njeriun nga skllavëria, nuk ka asnjë lloj funksioni qytetërues. Kultura perëndimore europiane e individualitetit dhe e personalitetit e mundi kulturën europiane lindore të kolektivitetit."