Shko te përmbajtja

Spartak Ngjela

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Av.
Spartak Ngjela
Deputet në Kuvendin e Shqipërisë
Në detyrë
2005–2009
Njësia zgjedhoreZona 41, Qarku i Tiranës
Deputet në Kuvendin e Shqipërisë
Në detyrë
2001–2005
Njësia zgjedhoreZona 38, Qarku i Tiranës
Ministër i Drejtësisë
Në detyrë
11 mars 1997  25 korrik 1997
PresidentiSali Berisha
KryeministriBashkim Fino
Paraprirë ngaHektor Frashëri
Pasuar ngaThimio Kondi
Të dhëna vetjake
U lind më11 korrik 1948 (77 vjeç)
Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptare
Partia politikePartia Ligj dhe Drejtësi
Prindër(it)
ShkollimiUniversiteti i Tiranës
PunësimiAvokat, politikan
Nënshkrimi

Spartak Ngjela (lindur më 11 korrik 1948) është avokat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Ai ka shërbyer si Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar në vitin 1997 dhe ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë për dy legjislatura.[1]

Ngjela lindi në Tiranë në vitin 1948. Është djali i Kiço Ngjelas, një funksionar i lartë i Partisë së Punës së Shqipërisë i cili ka shërbyer si ministër i Financave dhe i Tregtisë së Jashtme gjatë periudhës komuniste. Ngjela u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës në vitin 1970.

Karriera profesionale

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas diplomimit, ai punoi si prokuror në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës (1970), dhe më pas në Prokurorinë e Durrësit (1972). Në vitin 1973, filloi punë si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë.

Arrestimi dhe burgosja

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në mars të vitit 1979, Ngjela u arrestua dhe u dënua nga Gjykata e Rrethit Fier (vendimi nr. 51, datë 23 mars 1979) me 10 vite burg për "Agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor", sipas Kodit Penal të kohës. Me zbatimin e nenit 36 të Kodit Penal, dënimi përfundimtar arriti në 13 vite burgim dhe humbje të së drejtës për të votuar për 5 vite. Ai u mbajt në burgun e Burrelit dhe u lirua në vitin 1990.[2][3][4]

I ati, Kiço Ngjela, u shkarkua gjithashtu nga funksionet që mbante deri në vitin 1975 dhe u akuzua për "veprimtari armiqësore", duke përfshirë nënshkrimin e marrëveshjeve të panevojshme me vende "revizioniste" dhe për sabotim të politikës së vetëmbështetjes. Ai u akuzua edhe si agjent i shërbimeve të huaja si UDBA, CIA dhe KGB.

Pas lirimit, Spartak Ngjela hapi zyrën e tij ligjore private, ku punoi nga viti 1991 deri në vitin 1997.

Karriera politike

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ngjela u emërua Ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar nga 11 marsi deri më 25 korrik 1997, nën presidentin Sali Berisha dhe kryeministrin Bashkim Fino.[5]

Në zgjedhjet vendore të vitit 2000, kandidoi për kryetar bashkie në Tiranë nën siglën e Partisë Demokratike, por humbi përballë Edi Ramas, i cili në atë kohë përfaqësonte Partinë Socialiste.

Më pas u zgjodh deputet në Kuvend për dy mandate. Në vitin 2001 (Legjislatura XVI), përfaqësoi Zonën 38 në qarkun Tiranë, duke fituar 6,297 vota (51.0%). Në vitin 2005 (Legjislatura XVII), përfaqësoi Zonën 41, me 5,299 vota (38.1%).[6]

Gjatë mandatit të tij parlamentar, Ngjela ka qenë nënkryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore (2001–2003), dhe më vonë kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut (shtator 2005 – prill 2006).

Më 12 dhjetor 2008, themeloi partinë politike "Partia Ligj dhe Drejtësi".[7]

Ngjela është autor i disa veprave letrare, politike dhe juridike:

  • Shpella e Vdekjes (roman, 1994)
  • Helena R (roman, 1999)
  • Reformë shqiptare: shmangia e karakterit tiranik të politikës (2006)
  • Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957–2010 (2011)
  • Pesë leksione për konstitucionalizmin (2015)
  • Hakmarrja e një gruaje (roman, 2018)
  1. "Historiku i qeverive shqiptare". Kryeministria e Republikës së Shqipërisë. Marrë më 2025-06-21.
  2. "Spartak Ngjela". Kujto.al. Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Marrë më 2025-06-21.
  3. "Spartak Ngjela rrëfen: "Vitet në burg me babanë, debatonim se kishim bindje të ndryshme politike"". BalkanWeb. 2 maj 2021. Marrë më 2025-06-21.
  4. "Spartak Ngjela: Cilat ishin "spiunët" e Sigurimit mes të dënuarve?". Panorama. Marrë më 2025-06-21.
  5. "Ishte ministër Drejtësie në '97, Spartak Ngjela: Nanon donin ta vrisnin në qeli…". Gazeta Dita. 31 gusht 2023. Marrë më 2025-06-21.
  6. "Tabela e rezultateve të kandidatëve fitues të PD dhe PS në zgjedhjet e 2005, 7 korrik 2005". TV Klan. 7 korrik 2005. Marrë më 2025-06-21.
  7. "Partia Ligj dhe Drejtësi (PLiDr)" (PDF). Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 27 qershor 2019. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 29 shtator 2023. Marrë më 2025-06-21.