Jump to content

Pandi Mele

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Pandi Mele lindi në vitin 1939 në Korçë. Ndoqi Liceun Artistik në Tiranë për pikturë, në drejtimin e pedagogëve Abdulla Cangonji, Sadik Kaceli, Qamil Grezda, Abdurrahim Buza, Kristina (Koljaka) Hoshi. Studioji dy vite për grafikë në Akademinë “I.E.Rjepin” në Shën Petërburg (Rusi) në ateljenë e S.M.Vasiljeviç dhe u diplomua në Tiranë në vitin1964. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm si pedagog i grafikës në Ish- Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, sot Universiteti i Arteve, duke drejtuar për shumë vite atelienë e grafikës.

Ekspozoi për herë të parë në moshën 17 vjeçare “Porteti i gjyshes” (1956, GKA,Tiranë). Pandi Mele ishte i pari artist grafist shqiptar që aplikoi ciklet grafike (kompozime) duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare (cikli “Motive Migjeniane” 1964 (GKA, Tiranë); serinë grafike “Shtypi i partisë” 1984; cikli “Rozafa”, 1999, studio artistit). Mele vazhdoi traditën e grafikës shqiptare (në linoleum) të filluar nga piktori Sadik Kaceli, duke e modernizuar atë edhe në teknika të tjera (litografi, akuaforte, gdhëndje në dru). Me veprën e tij Pandi Mele ndikoi dukshëm në realizimin e një grafike bashkëkohore si në teknikë ashtu dhe në konceptimin e saj.