Jump to content

Preloc Margilaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Preloc Margilaj (1924 - 2001) intelektual dhe mësimdhënës nga shqiptar nga Nikmarashi, (Trieshi) i Komunës së Tuzit, në Mal të Zi.[1]

Preloc Margilaj u lind në Triepsh në vitin 1924 dhe pasi mbaroi shkollën fillore në Tuz, ai vazhdoi studimet në Institutin Tekno-Ushtarak të Kragujevacit, e më pas mbaroi semimaturën në Danillovgrad. Gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist të Shqipërisë (1939-1944), Preloci shkoi në Kosovë ku ndoqi mësimet në Gjimnazin e Prishtinës dhe gjatë asaj kohe ai u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste. Në atë kohë ai u arrestua nga gjermanët dhe pasi u mbajt për disa kohë në kampin e internimit në Prishtinë, u dërgua në kampet e Gjermanisë, ku mundi të lirohet vetëm pas ndëryhrjes së aleatëve anglo-amerikanë. Pas lirimit nga kampet naziste, Preloci u kthye në Kosovë ku u emërua si zëvëndës-shef i Degës së Punëve të Brendëshme të Prizrenit. Duke parë gjendjen e vështirë në të cilën trajtoheshin shqiptërët atje, Preloci u largua nga Kosova dhe u kthye në vendlindjen e tij, ku dhe u emërua mësues në shkollën fillore të Tuzit. Në atë kohë Preloci vazhdoi Institutin e Lartë Pedagogjik për Histori-Gjeografi dhe u diplomua në vitin 1948. Në vitin 1949, ai u emërua drejtor i Shkollës fillore të Tuzit dhe anëtar i Këshillit Arsimor pranë Ministrisë së Arsimit të Republikës së Malit të Zi. Po atë vit, Preloci së bashku me bashkëshorten e tij, Angjelinën, u arratisën nga Mali i Zi, duke kërkuar azil politik në Shqipëri. Pasi Tirana zyrtare i’a aprovoi azilin politik Prelocit dhe Angjelinës, ata u sistemuan edhe me punë. Preloci u caktua si redaktor në gazetën “Za Slovodu”, e cila ishte organ i emigrantëve jugosllav në Shqipëri, kurse Angjelina u caktua si spikere në Radio-Tirana për emisionin në gjuhën serbe. Gjatë asaj kohe Preloci u regjistrua dhe dha provimet në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, të cilin nuk arriti ta përfundoj, për arsye se ai u internua, pasi filloi të fliste kundër politikës që po ndiqej nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës. Pas kësaj, Prelocin së bashku me Angjelinën, i internuan në kampet e punës së detyruar në fushat e Myzeqesë, ku qëndruan për dhjetë vite duke punuar në punët më të rënda. Në vitin 1972, Prelocit dhe Angjelinës i’u mbaroi afati dhjetë vjeçar i internimit dhe duke parë kushtet e rënda ku ata jetuan në ato vite, në një zhgënjim të plotë, ata u detyruan dhe bënë kërkesën për t’u kthyer në vëndlindjen e tyre, në Malin e Zi. Nisur nga një politikë zbutjeje që kishte nisur në atë kohë në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, Prelocit i’u aprovua kërkesa për riatdhesim. Pas rikthimit në vëndlindje, Preloci jetoi në Podgoricë ku i’u kushtua vetëm studimeve mbi etnogjenezën e shqipëtarëve. Pas një pune disa vjeçare, ai arriti ta përfundonte veprën e tij me titull Ilirët flasin shqip - Shqiptarët flasin ilirisht. [2]

  1. ^ https://memorie.al/vepra-e-preloc-margilajt-pwr-iliret-eshte-padyshim-nje-monument-i-kultures-shqiptare-pasi-intervista-e-panjohur-e-moikom-zeqos-per-studjuesin-shqiptar-nga-tuzi-i-malit-te/
  2. ^ https://konica.al/2020/05/vellai-im-ne-shqiperi-punoi-si-gazetar-e-shoqja-ne-radio-por-i-internuan/