Prend Buzhala

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Prend Buzhala u lind më 1 nëntor 1951 në ÇabiqKlina. Filloren e kreu në Ujëmirë, gjimnazin në Klinë, fakultetin filologjik (gjuhë e letërsi shqipe) në Prishtinë. I ndoqi edhe studimet postdiplomike, po për shkak të burgosjes politike më 1982, iu ndërprenë nga regjimi i kohës, ashtu siç iu ndalua edhe botimi i shkrimeve dhe e drejta e punësimit. Shkrime letrare botoi prej vitit 1967. Shkruan poezi, prozë, kritika e studime letrare, publicistikë. Gjatë tri dekadave të fundit ishte i angazhuar në lëvizjet nacionale, politike e kulturore të kohës. Për këtë arsye, për dy dekada rresht u përndoq nga organet shtetërore të ish Jugosllavisë e sidomos nga ato serbe, kështu që gjatë viteve '90 të shekullit që e lamë pas, u arrestua e u keqtrajtua dhjetëra e dhjetëra herë nga milicia e paramilitarët serbianë. Gjatë luftës së fundit në Kosovë, raportonte nga zonat e luftës për disa media. Punoi profesor i gjuhës e letërsisë shqipe në shkollën e mesme të Klinës (1976-1982, 1992-1996), drejtues i arsimit komunal të Klinës (1995-1999), redaktor në gazetat “Fjala” (1990) e “Bashkimi” (1991) të Prishtinës, korrespondent i gazetave “Bujku” e “Rilindja” (1995-shkurt 2002), pastaj te “Epoka e re”, Radio Rilindja, “Express” i Prishtinës, redaktor i faqeve të kulturë në të përjavshmen “Focus” të Prishtinës (2006-2008). Punoi edhe zyrtar arsimi (2001-2003). Tash është drejtues i Bibliotekës Publike “Kongresi i Manastirit” në Klinë. Ka qenë ndër themeluesit e themelues i disa revistave lokale të Klinës, si “Jehona e Dukajginit “ (vitet ’70 e këndej), “Ylli”, “Synimet”, “Tribuna”, “Profili” etj. Është redaktor e recensues i qindra botimeve në dy dekadat e fundit.