Provokacionet greke 1949

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Greket rrethuan trupat. Kishte hyrë në tokën shqiptare natën. Na sulmuan. E prisnim prej disa ditësh pasi kishte njoftime se greku do të na godiste. Saktësisht nuk e dinim se ku, por që do të ndodhte sulmi grek dihej dhe pritej nga të gjithë ne ushtarët e oficerët. Komanda na kishte caktuar secilit vendin e tij, pozicionin e luftimit, objektin dhe çdo gjë tjetër. Të gjithë dinim mirë se ishte koha e përballjes mes jetës dhe vdekjes. Sulmi grek ishte shumë i befasishëm dhe i rreptë.

Na qëlluan me armë këmbsorie, me topa e me avion luftarak. Me të dëgjuar shpërthimet e para të artilerisë na kanë urdhëruar të marrim armët tona e të niseshim në front, në pikat e caktuara më parë. Gjithandej dëgjohej thirrja “Para, në front”, “Para, në sulm”. Nuk tërhiqeshim se po të ndodhtë tërheqja greku ishte gati. Terreni ynë ishte i hapur. Vetëm një kanal shërbente si fortifikim dhe vetëm kaq. Luftimet i bënim barkas dhe në vend të hapur, pra të pambrojtur. Greku e kishte zgjedhur qëllimisht atë pikë për të shkelur tokën tonë. Nuk kishte shkëmbinj, barrikada, pemë të mëdha, kodrina, objekte të ndryshme për t’u mbrojtur. Sa për fillim ditë më parë kishim hapur një vijë, kanal që shërbeu si vijë e parë. Më pas u hodhëm disa metra më pranë kufirit pasi ne nuk donim të lejonim që kufiri ynë të shkelej. Greku këtë kishte si qëllim, provokacionet e tij synonin të futeshin në tokën shqiptare

Reparti i Kapshticës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Reparti kishte 15-20 ushtarë. Të tjerët u shpërndanë në pika e vende të ndryshme. Kaq ishte reparti në Kapshticë. Aty na kanë dërguar disa ditë para se të nisnin provokacionet. E prisnim se kur do të vinte greku për të na goditur. Sulmoi menjëherë. Erdhi Mehmet Shehu dhe na tha “Luftë, na sulmoi greku”. U ngitëm e u shpërndamë nëpër pika. Zumë vijën e parë të sulmit. Në fillim ushtarët grek i kishim 100-150 metër larg. Nga atje edhe qëllonte, edhe na shante. Nuk linte gjë pa na thënë me sharje. Çfarë nuk na thonin. Shanin shqiptarët me fjalë të pista dhe me fjalor fyes për nënat, gratë, motrat, qeverinë, Enver Hoxhën. Fillimisht ishim në vijën e dytë. Zumë pozicionet por pa hapur zjarr. Nuk kishim marrë urdhër të shtinim. Kishim zënë vend në pikat e caktuara më parë. I dinim të gjitha përmendsh pasi kishim bërë përgatitje prej disa kohësh. Prisnim urdhërin nga komanda për veprim. Distanca nuk ishte edhe e afërt. Mua më ishte caktuar një pikë në anë të një kodre të vogël, por gjatë luftimeve do e ndërroja disa herë sipas zhvillimeve të betejës. Me të përfunduar artileria, greku hapi zjarr me trupat e saj drejt vendit ku ishim ne. Për orë të tëra dëgjoheshin vetëm shpërthime, bombardime nga toka e ajri, tym, flakë, britma të ushtarëve grekë. Në të afruar nata greku na doli nga pas. U fut në tokën tonë. Shumë ushtarë grek kishin hyrë në Kapshticë. Ata mbulonin me zjarr krahët e tyre dhe kjo u dha mundësi të marrin fillimisht njërën anë të fshatit. Veç këmbsorisë e cila hapte zjarr në të gjithë drejtimet, grekët mbështeteshin nga topat. Ata bombarduan kuzhinën dhe repartin tonë. Gjithandej dilte tym e flakë. Era e barutit dhe e objekteve që digjeshin ndihej ngado. Sulmet e befasishme, të forta dhe të mbështetura nga armë të rënda dhe aviacioni grek, krijoi për pak kohë njëfarë zemërimi tek rradhët tona. Ne ishim të gjithë ushtarë, në moshë të re dhe të paprovuar me luftën. Komandanët dhe komisarin i kishim edhe të përgatitur, edhe me përvojë në luftë pasi kishin qenë në luftën për çlirimin e vendit. Ata e kuptuan gjendjen tonë psikologjike dhe duke kaluar pranë secilit ushtarë thonin se strategjia jonë do të ishte ajo e mësymjes në një kohë më të përshtatshme. Ata kishin një siguri të madhe se beteja do të fitohej nga ne. ndoshta ishte edhe përvoja, ndoshta shikonin se si lëviznin dhe vepronin grekët.

Armatimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Posta jonë afër Kapshticës kishte vetëm 15-20 vetë, por në të gjithë gjatësinë e kufirit kishte me dhjetra ushtarë si ne në mbrojtje të kufirit. Ishim të paisur me armatim të lehtë e të rëndë të këmbsorisë si dhe me topa. Pushkë, automatik, granata, mitraloz të lehtë e të rëndë, kundërajror, mina kundërtanke dhe kundërkëmbsorisë, flakhedhës deri tek murtajat e topat. Të gjitha i kishim. Ishim edhe të përgatitur. Komanda na kishte treguar se çfarë përgatitej nga ana e grekëve. Kjo na dha mundësi të njiheshim dhe të përgatiteshim për çdo variant sulmi. Nuk ishte e vështirë të dalloje përforcimet në kufirin grek. Por topat nuk dukeshin pasi ishte zonë e pyllëzuar dhe ata u lanë në një distancë jo shumë afër brezit të kufirit së bashku me forca të tjera të shumta greke.

Rrjedha e betejes[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lufta zgjati dy-tre ditë e netë. Fillimisht greku qëlloi vetëm me topa duke goditur jo vetëm pikat tona ushtarake dhe strategjike të armatimit e strehimit, por edhe popullësinë civile, shtëpitë, objektet e fshatit. Gjithandej vendi digjej.

Ditën e dytë të luftimeve ne u rrethuam. Këtë e mësuam shumë shpejt. Avionët shkonin e vinin duke bombarduar mbi kokat tona, ndërsa ne me anë të artilerisë kundërajrore mbroheshim me të gjitha mundësitë e forcat. Vendi kishte marrë flakë ngado. Deri në thellësi të fshatrave ndëgjoheshin bombardimet greke. Popullësia përreth ishte shpërngulur më parë pasi provokacioni pritej nga çasti në çast. Megjithatë kishte në fshat shumë banorë që kujdeseshin për shtëpitë e bagëtitë, një pjesë erdhën në front me ne. Pasi shkelën në tokën shqiptare disa metër në brendësi grekët bën rrethimin tonë në formë patkoi. Duke qenë me Gulinov lëvizjet e mia e të ndihmësit ishin shumë më të kufizuara, më të pakta. Tërheqjet dhe lëvizjet ne i bënim me komandë, ndërsa mungesa e fortifikimeve e bëntë shumë të vështirë përballjen me armikun pasi ishim në fushë të hapur. Rrethimi ynë ndodhi në kohën që ne ishim afër me brezin e kufirit. Grekët lanë mesin e fushës së betejes dhe morën dy krahët tona për të na izoluar. U futëm në një gropë, vend disi i mbrojtur. Mbetëm aty. Armatim kisha mjaft. Nuk i trembesha asgjëje. Pastaj unë qëlloja me objektiv dhe jo kot më kot. Kështu ruaja sa mundja të mos shpenzoja më pa vend e pa shenjë armatimin. Përpiqesha të kapja shenjën. Natën e rrethimit greku nuk lëvizte por qëllonte e bombardonte pa u ndalur. Me të zbardhur mëngjesi situata ndryshoi, fronti u kontrollua nga forcat tona të ushtrisë. Formacione të reja nga Korça e Tirana erdhën në vijën e parë. Komanda jonë e frontit e kishte menduar se ne kishim mbetur në betejë pasi gjithë natën unë e ndihmësi qëllonim rrallë me mitraloz. Sulmi ushtrisë sonë erdhi nga vija e dytë në të parën, atje ku gjendeshim edhe ne me mitralozin. Ata nuk e dinin se ne ishim gjallë. Sapo pashë mësymjen e tyre unë e ndihmësi u ngritëm në këmbë. Shumë prej tyre na u afruan duke thërritur “jemi bashkë”, “para të gjithë”, “jemi shqiptarë”. U bashkuam dhe morëm drejt kufirit që ishte vetëm disa hapa përtej vendit ku qëndrova gjithë natën. Sulmi ishte shumë i fortë. Greku u mundua të rezistojë, por pas gjysmë orë la të gjithë zonën e futur nën kontroll në mbrëmjen e një nate të kaluar dhe u tërhoq brenda kufirit të vet. Ishim lodhur pa masë. Uria na kishte këputur. Ishte dita e tretë që shkëmbenim zjarr me palën e ushtarëve grekë. Ata kishin nxjerrë jashtë funksioni kuzhinën e repartit. Në këto kushte ne shkonim me rradhë tek arat e misrit aty pranë, këpusnim misër të njomë dhe shuanim urinë e etjen në vend të bukës e të ujit. Ushqimin e kemi parë vetëm kur u kthyem në postë. Me ardhjen e përforcimeve, ushtarët tanë na morën në krah, na dhanë forcë e besim dhe morën armatimet e mitralozin tonë duke na ndihmuar për ta vendosur atë në pikën e duhur. Kjo na lehtësoi dhe për pak minuta pushuam të ulur aty në një anë të kodrës jashtë mundësisë së grekëve për të na qëlluar. Për ushtarët e komandën e repartit tonë unë e ndihmësi rezultonim të vdekur.

Komanda kishte bërë përpjekje natën për të na kërkuar duke dërguar deri fare pranë nesh disa ushtarë me shpresë për të në gjetur e për të na thënë se duhej të tërhiqeshim. Por ne pa ditur gjë kishim hyrë në mes të grekëve. Natën qëlloja rrallë dhe në drejtime të ndryshme. Doja të gënjeja armikun duke dashur të tregoja se ishim shumë ushtarë në mbrojtje dhe në pozicione të ndryshme. Ata nuk qëllonin dot me top pasi kishin frikë mos godisnin forcat e veta, aq afër ishim. Megjithatë nata na ndihmoi për të mos u diktuar. Por më së shumti hapnim sytë se mos na vinte ndonjë ushtarë apo grup ushtarësh grekë e na kapnim apo na vrisnin pranë mitralozit. Në fund të fundit do të qëllonim deri sa të vriteshim. E sigurtë ishte se nuk binim të gjallë në duart e ushtrisë greke. Kishim bërë betimin dhe qemë të vendosur ta mbanim këtë betim si unë edhe ndihmësat e mi. Që ishim të rrethuar e kuptuar shpejt. Në mesnatë, lamë mitralozin dhe hapëm veshët duke pritur zbardhjen e ditës. Nuk bëhej fjalë për të vënë gjumë në sy.

Të rënët[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një regjiment u vra në frontin e luftës kundër tentativës greke për të hyrë në tokën shqiptare. Repartet tona thuasje ishin shkatërruar plotësisht, Tek-tuk kishte mbetur ndonjë ushtarë gjallë. Erdhën përforcime edhe nga Tirana. Nuk e lëshonim frontin. Greku në fillim e mori lehtë. Mendoi se duke na bombarduar me topa dhe duke na luftuar edhe me avionë do e kishte të lehtë për të shkelur tokën tonë. Por nuk i kishin bërë mirë llogaritë. Nga repartet tona në Bilisht e Kapshticë mbetën 4-5 ushtarë, të tjerët e vranë. Lufta përfundoi në përleshjen bajonetë më bajonetë. Një këmbsori e tëra u shkri për të mos lejuar grekun të na pushtojë. Për ne kishte shumë vështirësi në njohjen e ushtarëve tanë nga ata grek pasi uniforma ishte thuasje e njëjtë, me fare pak dallime, edhe ato të padukshme në një front lufte. Rrobat tonë e ato të grekut kishin gjyrë kafe. Beteja trup më trup u zhvillua në vijën kufitare. Ne bënë shumë përparim ditën e fundit të sulmit. Në çastet finale ne me mitraloz të rëndë kishim zënë pozicionet dhe qëllonim drejt kufirit për të mos lejuar që në vijën e parë të sulmit grekëve t’u vinin përforcime. Pjesa më e madhe e betejës u zhvillu në zonën e pyllëzuar në kufi. Greku la shumë forca, më shumë se ne pasi ata nuk e kishin marrë parasysh se ushtria jonë do të kacafytej trup më trup me ta. Hedhja në mësymje e forcave tona i çorientoi grekët. Shumë ikën dhe lanë frontin për të shpëtuar kokën, ndërsa të tjetër mbetën sit ë zënë në qark pasi ushtarët tanë u sulën me forcë shumë të madhe e të shpejtë duke mos u lënë kohë grekëve të ikin. Fusha, lugina e vogël dhe pylli u mbushën me të vrarë. Aq betejë e përgjakshme ka qenë sa edhe pas një javë, dy javësh gjendeshin e mblidheshin trupa të vrarë si nga ne edhe nga pala greke. Ditët e para e kishim të pamundur të kalonim pa prekur e pa shkelur të vrarët, aq shumë të mbetur në luftë kishte në atë betejë. Ushtria, shokët, prindërit mblidhin të rënët në këto provokacione të fashistëve grekë. Komandanti dhe komisari u vranë, jo në pikën ku isha unë po diku tjetër. U hidhërova shumë kur mësova për fatin e tij, të komandantit dhe shokëve të tjerë. Por kjo ishte luftë dhe atë e fituam, ndonëse me sakrificë. Grekët morën një mësim shumë të madh duke lënë në këtë provokacion qindra të vrarë.

Te dhenat[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas evidentimit të betejës në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në atë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në faqen 273 të Inventarit/I, mësohet se trupat greke lanë të vrarë në tokën shqiptare 300 ushtarë, 500 të plagosur dhe 270 robër. Sipas botimeve ne shtyp, prej datës 2 gusht, deri në orën 12.00 të datës 15 gusht 1949, mbetën të vrarë 29 ushtarë dhe oficerë të ushtrisë tonë dhe u plagosën 127 të tjerë.