Pulë e zier
Shpendët pas pastrimit rregullohen duke u futur këmbët në fund të barkut, ndërsa krahët pas kurrizit. Pastaj futen në ujë të nxehtë (1-1,5 l për 1 kg shpend), shtohen rrënjë aromatike si majdanoz e selino, qepë, kripë dhe zihen në zjarr të ngadalshëm. Koha e zierjes varet nga lloji i shpendit (nga mosha e tij), zogjtë ziejnë për 30-35 min, kurse pulat e mëdha për 1-1,5 orë.
Shpendët e zier priten në copa, ndërsa lëngu kullohet dhe përdoret për përgatitjen e salcës së bardhë.
Për salcën: kaurdiset mielli me gjalpë, shuhet me lëngun e vet, duke e përzier dhe lihet të vlojë 2-3 minuta sa të trashet, shtohet kripë e piper sipas shijes, hiqet nga zjarri dhe pasi ftohet pak rregullohet me të verdhat e vezëve e limon. Për këtë të verdhat e vezëve rrihen me lëng limoni ose limontoz të holluar me ujë, pastaj shtohet pak e nga pak salca duke e përzier derisa e gjithë masa të hidhet te salca. Në fund shtohet pak gjalpë i freskët.
Shpendët e zier e të nxehtë vendosen në pjatë, mbulohen me salcën e bërë dhe spërkaten me majdanoz të grirë hollë. Si garniturë mund të jepet oriz i zier (pilaf), patate të ziera ose makarona dore. Garnitura zakonisht spërkatet me gjalpë të shkrirë.
Për 4-5 persona duhen :
- pulë 500-600 g,
- qepë 1 kokërr,
- selino 1 rrënjë,
- 1 rrënjë majdanoz,
- kripë, piper.
Për salcën duhen :
- gjalpë 1-2 lugë gjelle,
- miell 1 lugë gjelle,
- lëng pule 2 filxhanë çaji,
- kripë, piper,
- 1 e verdhë veze,
- limon gjysmë kokrre ose një majë luge kafeje limontoz dhe majdanoz.