Jump to content

Rahmi Tuda

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Dr. Rahmi Tuda (1934-2003)

Rahmi Tuda - (19342003) ishte një shkrimtar shqiptar, mbledhës e studiues i letërsisë gojore, pedagog, bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik në Prishtinë, anëtar i SHSH të Kosovës ( më parë ), kurse më vonë anëtar SHSHSH në Maqedoni, ka shkruar poezi për fëmijë e të rritur, prozë për të rritur e për fëmijë, drama, studime nga lëmia e letërsisë së shkruar dhe ajo gojore - aforizma, ese, trajtesa, artikuj, recensione, vështrime filozofike, punime kritike, kumtesa, artikuj etj.

Rahmiu si mbledhës dhe studiues i folklorit me kumtesat nga fusha e folklorit,  ka marrë pjesë në simpoziume, sesione, tribuna e konferenca shkencore të organizuara nga Instituti Albanologjik në Prishtinë, në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, në simpoziume shkencore siç është ai që u mbajt në Shkup në temën Shqiptarët e Maqedonisë (më 20 - 22) dhjetor të vitit 1991, në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare në Sankt Peterburg  (12-15.V.1997) etj.

Rahmiu lindi në Veleshtë të Strugës më 9 mars 1934. Shkollën fillore, Rahmiu e kreu në Strugë, kurse të mesmen, Shkollën Normale dhe fakultetin (filozofinë e thjeshtë) në Shkup. Magjistroi dhe doktoroi në shkencat filologjike në Universitetin e Kosovës.

Si arsimtar, në Veleshtë punoi nga viti 1956-1959, kurse gjatë vitit 1960 (disa muaj) punoi në fshatin Dollogozhdë. Në periudhën 1962-1968, ligjëroi filozofinë dhe sociologjinë në Gjimnazin e Strugës. Nga viti 1969-1973 - profesor i filozofisë në Shkollën Normale “Zenel Hajdini” në Ferizaj. Gjatë vitit 1973  (disa muaj) ligjëroi filozofinë dhe logjikën në Gjimnazin e Ferizajt. Nga viti 1973 -1991 punoi si pedagog për delikuencë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj. Në vitet 1993 e 1994, punoi në Gjimnazin e mëvetësishëm “Hajdar Dushi” në Ladorisht të Strugës, kurse me votat e popullit shqiptar të zonës së Strugës në vitet 1994 - 1998 ishte deputet në Kuvendin e Maqedonisë. Si njëri nga nismëtarët për themelimin e Universitetit të Tetovës, po në këtë periudhë (1994-1998), ushtroi detyrën e Dekanit në Fakultetin Filologjik, ku ligjëroi Bazat e filozofisë dhe Letërsinë popullore.

Librin e parë për fëmijë me titull, Kronika e stinëve, e botoi në vitin 1965, librin e dytë, Vallja e lumit, e botoi në vitin 1984, kurse Pulëbardhat fluturojnë (Vjersha dhe tregime për fëmijë - 2001), është libri i tretë ( për fëmijë ) i këtij autori. Rahmiu, botoi edhe veprat poetike për të rritur: Kah dita (1965), Juve ju këndoj (1971), Zgjime (1972), Me sytë e argusit (1993), Metafora e kurmit (2001), përmbledhjen me aforizma Vegime (1979), dramën, Dilema (1997), si dhe veprat shkencore folklorike: Vlerat estetike të poezisë sonë legjendare (1993), Çështje paremiologjike (1994) Vlerësime folklorike (1998) Larmia  e disa formave dhe motiveve folklorike ( 2000 ),Përimtime (2001) etj.

Gjatë punës së tij, këtë shkrimtar dhe studiues shkencor që nga viti 1968 e deri në vitin 1986 Rahmiun e kanë ndjekur Organet e Sigurimit të Jugosllavisë dhe të Maqedonisë – për çështje politike dhe ideologjike (thuhet në Dosjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RM). Katër herë gjatë punës së tij, strukturat moniste obskurantiste antishqiptare të ish – Jugosllavisë, Rahmiun e larguan nga puna. Në vitin 1968 e larguan nga arsimi (Gjimnazi i Strugës) për kohë të pacaktuar. Në vitin 1973 e larguan nga Shkolla Normale "Zenel Hajdini" në Ferizaj. Në vitin 1981 e izoluan për dy muaj në Lipjan dhe në Mitrovicë. Në vitin 1991 e larguan nga puna e pedagogut për delikuencë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.[1]

Rahmiu ishte aktiv në krijimtarinë letrare, artistike dhe shkencore. Ndërroi jetë me 31 mars të vitit 2003.

  1. ^ FEK, 2, fq. 1682-1683