Republika e Teksasit
Teksasi (anglisht: Texas; spanjisht: Texas ose Tejas), zyrtarisht Republika e Teksasit (anglisht: Republic of Texas; spanjisht: República de Texas), ishte shtet sovran dhe i pavarur në Amerikën Veriore, i ndodhur mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, gjatë viteve 1836–1846. Republika pretendonte truallin e sotëm të Shtetit të Teksasit si dhe pjesë të Niumeksikos, Oklahomës, Kansasit, Kolorados, dhe Uajomingut. Qytetarët e saj njiheshin si teksianë.
Provinca e Teksasit, e njohur në literaturën amerikane si Teksasi Meksikan, shpalli pavarësinë nga Meksika gjatë Revolucionit të 1836-s. Lufta për pavarësi mbaroi më 21 prill 1836, por Meksika refuzoi me e njohë Republikën e Teksasit, dhe konflikte të herëpashershme vijuan mes dy vendeve deri në të 1840-at. Shtetet e Bashkuara e njohën Republikën e Teksasit në mars 1837, por nuk pranuan me e aneksu.
Republika mbështeste pretendimet për kufijtë e saj në Traktatet e Velascos, marrëveshjet që Teksasi kishte nënshkru në fund të luftës me kryetarin e mundur dhe të zënë rob të Meksikës, Antonio López de Santa Anna. Kufiri lindor qe caktu me Traktatin Adams–Onís të 1819-s mes Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës, i cili njihte lumin Sabinë si kufi lindor të Teksasit spanjoll dhe kufi perëndimor të territorit të Mizurit. Sipas Traktatit Adams–Onís, Shtetet e Bashkuara kishin heqë dorë nga pretendimet mbi tokat spanjolle në lindje të Maleve Roki dhe në veri të lumit Riogrande, të cilat pretendonte se i takonin sipas Blerjes së Luizianës më 1803.
Kufijtë jugorë dhe perëndimorë me Meksikën vijuan me u kontestu gjatë gjithë kohës sa ekzistoi republika. Teksasi pretendonte Riogranden si kufi jugor, ndërsa Meksika këmbëngulte në vijëndarëse mbi lumin Nueces. Shtetet e Bashkuara e aneksuan Teksasin më 29 dhjetor 1845, dhe e pranuan si shtetin e 28-të të Bashkimit. Zyrtarisht, republika ia barti pushtetin shtetit të sapoformuar më 19 shkurt 1846. Por Shtetet e Bashkuara trashëguan mosmarrëveshjen rreth kufijve jugorë e perëndimorë me Meksikën, çka çoi drejt Luftës Meksikë–ShBA të viteve 1846–48.
Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |