Roza Allabashi
Roza Allabashi është studiuese dhe profesoreshë në Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (University of Natural Resources and Life Sciences),[1] në Vjenë, Austri.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Dr. Allabashi kreu studimet e larta në Universitetin Teknik të Vjenës, ku në vitin 1985 mbron diplomën me rezultate të shkëlqyera dhe merr titullin “Inxhiniere e Diplomuar” (DI). Gjatë viteve 1985-1992 punon si profesoreshë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në Katedrën e Kimisë Analitike. Në vitin 1996 mbron me sukses Doktoraturën në Universitetin Teknik të Vjenës, ku punon si punonjëse mësimore-shkencore deri në vitin 1998. Prej këtij viti Roza është punonjëse shkencore në Universitetin e Shkencave të Jetës dhe Burimeve Natyrore (BOKU) në Vjenë, Austri, në Departamentin Ujërat-Atmosfera-Mjedisi, në Institutin e inxhinierisë Sanitare dhe Kontrollit të Ndotjes së Ujërave (Institute of Sanitary Engineering and Water Pollution Control-SIG, BOKU), ku drejton punën shkencore në grupin e kimisë së ujërave si dhe laboratorin përkatës të analizave kimike. Krahas kësaj ajo është e angazhuar në procesin e mësimdhënies në këtë universitet. Gjatë karrierës së saj profesionale, Roza ka kontribuar në rreth 50 projekte shkencore kombëtare e ndërkombëtare në fushën e monitorimit të cilësisë së ujërave, vlerësimin e teknologjive inovative për pastrimin e ujërave, menaxhimin e qëndrueshëm të tyre në zonat urbane, si dhe analizën e mikrondotësve në ujin e pijshëm e burimet ujore mjedisore. Roza ka qenë iniciatore e disa projekteve të përbashkëta midis Universitetit ku punon me Universitetin Politeknik dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës, duke kontribuar në rritjen e nivelit mësimor e shkencor në universitetet shqiptare dhe përfshirjen e tyre në zgjidhjen e problemeve të vendit. Roza ështe anëtare aktive e Shoqatës Ndërkombëtare të Ujërave (IWA), Shoqatës së Kimistëve të Austrisë (GÖCh) dhe të Gjermanisë (GDCh), në seksionet përkatëse të kimisë së ujërave dhe mjedisit.[2]
Dr. Roza Allabashi është anëtare e Institutit Alb-Shkenca qysh në themelimin e tij dhe ka marrë pjesë në shumë aktivitete të organizuara në këtë kuadër, si dhe në botimin e revistës AKTET. Me ekspertizën e saj të gjatë, Roza ka dhënë e jep kontributin e saj në organizimin e drejtimin e sektorit të mjedisit.[3]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ "Roza Allabashi - BOKU FIS". forschung.boku.ac.at (në anglisht). Marrë më 2024-11-13.
- ^ Mustafa Ibrahimi (red.) Instituti Alb-Shkenca ndër vite 2002-2023 (Monografi), fq. 79, ISBN 9789951518208
- ^ Albinfo (2019-03-20). "Dr.Roza Allabashi, shkencëtarja shqiptare në kiminë e ujit". Albinfo. Marrë më 2024-11-13.