Jump to content

Salajdin Salihu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Salajdin Salihu, lindur më 26 maj të vitit 1970Tetovë, është shkrimtar shqiptar.

Ka botuar librat me poezi dhe tregime:

  • Vdes pas gjërave të imëta, (Aza- Tetovë 1996)
  • Nata e parë e pushtimit, (Klubi letrar - Tetovë 1998)
  • Panteoni i utopisë, ("Shkupi 1997), ese
  • Gjurmë, (Flaka, 2000), ese
  • Gënjeshtër e sinqertë, (Prokultura, 2004), poezi
  • Natë e blertë vetmie/zelenata noc na samosta, (Serembe,2006)
  • Digresione, (Milenium, 2008)

Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë përfshirë në shumë antologji dhe panorama poetike në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja.

Thanë për S. Salihun

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ai i përket brezit të rokut, i çliruar nga komplekset dhe i zhveshur nga iluzionet; me pikëpamje dhe qëndrime më liberale ndaj jetës, që thinjet para baballarëve të tyre. “Ndoshta ngaqë baballarët e tyre besonin në parulla, kurse ata nuk besojnë”... Në poezinë e Salajdin Salihut hetohet qartë gërshetimi i dy përvojave: i përvojës së jetës së përditshme në mjedisin në të cilin jeton subjekti lirik dhe i përvojës së leximit, pra i përvojës empirike dhe asaj artistike... ,Agim Vinca[nevojitet citimi]

Natyra krijuese e Salajdin Salihut, e shpalosur bind­shëm në librin e tij të parë, njësoj si te dy ciklet e tjera të këtij që kemi në dorë, para se gjithash si poet meditativ, do të jetë tharm edhe në ciklin erotik. Për folësin lirik, me këtë rast, dashuria shndërrohet në kështjellë strehimi nga brutaliteti dhe agresiviteti i përditshmërisë. Ajo është oazë që të mbron nga rruga me sy të lig, nga smira dhe urrejtja, aq me tepricë përreth folësit lirik. Në krahët e këtyre dy jehonave, autori artikulon ekspresion modern në lirikën e vet intime. Në mbështetje të të dy ngasjeve, poeti arrin të shpalosë thellësive mjegullore të dashurisë, të tërheqë rezonanca kuptimore për jetën dhe botën e njeriut., Ali Aliu[nevojitet citimi]

...Salajdin Salihi është poeti që adhuroj... , Parid Teferiçi[nevojitet citimi]

I zënë gand në trishtimet e boshësisë, në çastet e vetmisë supreme, kur ndjen vetëm praninë e kufomave që ecin, krijuesi i kthehet dashurisë, magjisë së pafundme të ekstazës, ngushëllimit të bukur që e shpëton nga kotësia. Në lartësitë ku vdekja shikohet vëngër me dashurinë, këngëtimi shkel sinorët e kërleshjes ballkanike dhe lëshohet në frymën mediterane duke përftuar imazhet e një tjetërbote të largët, që vjen e stolisur me gjethe dafine dhe me një siluetë vashe me sy të ullinjtë. Bardhyl Zaimi[nevojitet citimi]

Salajdin Salihu është autor i një diksioni poetik rezonant... krijon jo vetëm një imazh filozofik, por edhe një “koncentrat” të paharrueshëm ekonomik në poezinë e shkurtër “Sytë”... Germat ose “qeniet e zeza” janë një “lidhje” e “syve të rinj”. E kur “i verbëri” shikon nëpërmjet tyre atëherë kjo është më kristalorja deri në përsosmëri: është mendimi, poezia, sikurse edhe vdekja! Kristina Nikolovska[nevojitet citimi]

Një zë i spikatun individual në poezinë e brezit të ri. Çmimi Serembe 2008[nevojitet citimi]