Sejdin Cekani
Sejdin Cekani Gazetar dhe redaktor shqiptar në fushën e botimeve.
Ka lindur më 10 gusht të vitit 1959 në Librazhd. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren i kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Elbasan (shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi”). Në vitin 1983 përfundoi studimet universitare në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, dega gjuhë - letërsi shqipe.
Me gazetari ka filluar të merret që kur ishte student, si bashkëpunëtor në gazetat “Studenti” dhe “Bashkimi”. Që nga viti 1983, kur u diplomua, e deri më 1996-ën, për 13 vjet pa ndërprerje, ka punuar gazetar në redaksinë e së përditshmes “Zëri i Popullit” dhe si korrespondent në rrethet Elbasan, Librazhd e Gramsh. Disa prej shkrimeve të tij janë nënshkruar me pseudonimet Gjergj Polisi dhe Martin Teli.
Në vitet ’90-të ka bashkëpunuar edhe me organe të tjera të shtypit dhe për dy vjet (1999-2001), ka qenë redaktor letrar në revistën “Spektër”.
Për tre vjet ka qenë pedagog i jashtëm pranë katedrës së letërsisë në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Që nga viti 2000, është kryeredaktor i revistës periodike "Studime Sociale", botim i Institutit të Socioligjisë.
Që prej vitit 1996 vijon të japë ndihmesën e vet si redaktor në fushën e botimeve (në shtëpitë botuese “Onufri”, “Rinia”, atë të Ushtrisë, si dhe bashkëpunëtor i disa shtëpive të tjera botuese në Tiranë e Shkup) dhe është redaktor i më se 300 librave, kryesisht nga fusha e letërsisë.
Për disa vjet ka kryer detyrën e kryeredaktorit të shtëpisë botuese “Max” dhe tani kryen po këtë detyrë në shtëpinë botuese “Dudaj”.