Jump to content

Sfidat e poetit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sfidat e poetit libër kushtuar Xhevahir Spahiut, me Autor shkrimtar dhe studiues Nuri Dragoj. Shtëpia botuese: AlbPaper. Viti i botimit 2012. Faqet e librit 416. ISBN 978-9928-05-056-4

Xhevahiri lindi në një kohë të trazuar, në mesin e shekullit të luftërave, atëherë kur lokomotiva duket se bën një ndalesë, hedh vështrimin mbi gjurmët e qindvjeçarit që ende s'janë fshirë, pastaj largohet në binarët e trasesë, e cila zgjatet mbi kufomat e ëndrrave të patretura. Mori jetë atje ku qëndrojnë perënditë, në lartësitë e natyrës dhe madhështisë së korieve, atje ku e mat veten me malet, ku kuvendon me hyjnitë.

Dhe ka shkruar për vendin e tij, që ka gëlltitur ngjarjet pas mënyrës së vet, duke mbetur ashtu, i virgjër në kryeneçësinë e tij, i lirë brenda hapësirave të veta, përsëri miqësor, edhe me ata që i kanë treguar bajonetat dhe zjarrin, ushqyer nga fisnikëria, jo nga përulja apo ndjenja e të qenit i vogël.

Vargjet e Xhevahirit tregojnë se ky popull s'ka qenë në gjumë asnjëherë. S'ka qenë memec. Ka folur me krisma, por ka thënë edhe fjalën e tij, atëherë dhe atje ku duhej, aq sa ka mundur, me zëdhënësit e tij, dijetarë e diplomatë, që kanë ideuar perandori, filozofë që kanë ndriçuar mendjet njerëzore.