Jump to content

Shkëlqim Lazaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shkëlqim Lazaj ka lindur në vitin 1945 në Tiranë. Në vitin 1963 ai përfundon arsimin e mesëm mjekësor dhe rastësisht ka qenë në një klasë me Kryeministrin aktual, Berisha. Po atë vit, ai fillon punë si ndihmësmjek në shkollën e oficerëve rezervistë, në Zall-Herr të Tiranës, ku punoi deri në vitin 1966. Pas kësaj, po në të njëjtin funksion, ai vijoi të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak, të cilin e përfundoi në vitin 1968. Gjatë kohës që shërbeu në shëndetësi si ushtar, Shkëlqim Lazaj bëri jehonë të madhe në medien e asaj kohe si njeri korrekt dhe i përkushtuar. Për portretin e tij në ato vite shkruanin gazetat më prestigjioze të asaj kohe siç ishin; “Zëri i popullit”, “Zëri i rinisë”, “Drita” etj. Çuditërisht, kjo gjë kishte bërë përshtypje tek udhëheqja më e lartë e shtetit dhe pas kësaj ishte bërë rekomandimi që ndihmësmjeku Shkëlqim Lazaj, të transferohej me punë pranë klinikës që ishte në dispozicion të udhëheqjes më të lartë të shtetit. Si efektiv i asaj klinike, Lazaj u caktua të ishte si ndihmësmjek personal i Kryeministrit Mehmet Shehu. Pra, të kishte nën mbikëqyrje për regjimin e barnave, vetë Kryeministrin. Në këtë mënyrë, viti 1968 shënoi për Lazaj, jo vetëm përfundimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, por edhe fillimin e punës së tij pranë udhëheqjes më të lartë, fillimisht si ndihmësmjek dhe më pas si një ndër oficerët më të besuar të drejtorisë së dytë. Si ndihmësmjek në klinikën speciale të udhëheqjes, ai punoi deri në vitin 1972. Më pas ai do të kalonte oficer i parë i sigurimit personal të Kadri Hazbiut. Në vitin 1974 edhe pse vazhdonte të figuronte si truproje kryesore e Kadri Hazbiut, ai fillon kualifikimin 4-vjeçar në shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Sauk të Tiranës, ku në vitin 1978 diplomohet oficer aktiv i Sigurimit të Shtetit.