Jump to content

Shkëlzen Maliqi - Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shkëlzen Maliqi - Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera (dialog me Baton Haxhiun), me Autor Baton Haxhiu. Shtëpia botuese: UET Press. Viti i botimit 2011. Faqet e librit 256. ISBN 978-99956-39-57-0

Libri i Shkëlzen Maliqit, një dialog me Baton Haxhiun, është një mënyrë për ta parë Kosovën ashtu siç është në të vërtetë: një çështje shumë e ndërlikuar. Një rrëfim dhe refleksion i gjatë, i ushqyer ndërsjelltësisht nga rrëfyesi dhe pyetësi, i cili nga nuancat është i hollë tamam siç i takon një vepre intelektuale, një refleksion intelektual.

Në fakt që në fillim të viteve 90', kur nga bota kosovare ende në atë kohë nën shtypjen serbe, të përforcuar dhe bërë mizore nga Millosheviçi, u shfaqën në median shqiptare zëra nga Kosova. Shkëlzen Maliqi se ç'kishte një mënyrë tjetër të shkruari dhe të foluri, jashtë një patetizmi patriotik e natyrshëm lidhur me Kosovën, që kishte shpërthyer anembanë kufirit. Shkëlzen Maliqi shkruante me një gjuhë tjetër, me një mënyrë tjetër, e cila nuk ngjante me shabllonin patriotik apo folklorik të së folurës korrente për Kosovën.

Maliqi, një filozof dhe eseist i klasit të parë në hapëisrën shqiptare reflektonte vetëpërmbajtjen intelektuale, nuk i binte shkurt dhe thjesht çështjes së ish- Jugosllavisë dhe Kosovës, nuk binte në stampa dhe patetizma, por ishte realist, i thellë, me skepticizmin që ka një filozof për të parë ngrehinën e tij konceptuale në është realiste, e fortë, racionale, inventive, pa të çara të logjikës. Por sidomos pa rënë në kurthin ku biem shpesh kur mendojmë thjesht e shpejt: i kthejmë dëshirat në tregim. Edhe pse në dukje njeri i moderuar dhe i arsyeshëm, Shkëlzen Maliqi ka bërë akte të forta intelektuale në jetën e tij: nga debati me nacionalistët serbë në shtypin e Beogradit e deri tek qëndrimt e tij në fund të viteve 80' e në vazhim për Kosovën. Të gjitha këto i japin atij statusin e dikujt që mirëvendoset në rebusin mes universalizmit dhe kozmopolitizmit tipik për intelektualin dhe patriotzmit të tij si shqiptar. Shumëkush tjetër e ka humbur një prej këtyre betejave: është bërë patriot duke humbur intelektualin apo intelektual duke humbu atdheun.