Shpëtim Çuçka
Shpëtim Çuçka (Tiranë, 28 dhjetor 1950̠) është përkthyes, funksionar dhe diplomat shqiptar, ndër përkthyesit më të njohur dhe më të rëndësishëm në Shqipëri. Ai përkthen nga disa gjuhë të huaja në shqip: nga gjermanishtja, italishtja, anglishtja, rusishtja, frëngjishtja si dhe nga latinishtja dhe greqishtja e vjetër.
Ndër përkthimet e tij më të rëndësishme mund të përmenden: “Jetë njerëzish të shquar” të Plutarkut, “Filoktetin” e Sofokliut, “Lutëset” e Eskilit, “Plutin” e Aristofanit, përrallat “Muku i vogël” nga Vilhelm Hauf, “Dekameronin” e Bokaços, “Zjarret e Bazentos” të Rafaele Nigros, “Si shkruhet një punim diplome” të Umberto Ekos, “Mes dy detesh” të Karmine Abates, "Faustin" e Gëtes, "Torkuato Tason" e Gëtes, "Lavjerrësin e Fukoit" të Umberto Ekos, dy vëllime me vepra të L. N. Tolstoit, "Kushtetutën e athinasve" të Aristotelit etj. (gjithsej 57 punë), të gjitha këto (me ndonjë përjashtim të rrallë) nga gjuhët origjinale. Ai është, gjithashtu, hartues i disa fjalorëve anglisht-shqip.
Fitues i çmimit “Përkthyesi i vitit” nga juritë e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në vitet 2006 (për përkthimin e Zjarreve të Bazentos) dhe 2011 (për përkthimin e Historisë së Bukurisë), i çmimit “Fan Noli” për vitin 2008 nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë (për përkthimin e Faustit), i çmimit special të përkthimit “Fan Noli” nga juria e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë në vitet 2015.
Çuçka ka punuar si përkthyes në Sh. B. "Naim Frashëri", pegadog i italishtes në Universitetin e Tiranës, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, diplomat në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë duke mbuluar disa poste si drejtor drejtorie, si ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse dhe si i ngarkuar me punë i Shqipërisë në Itali dhe Egjipt.