Shpendi Topollaj
Shpendi Topollaj ushtarak shqiptar, ka lindur më 14 shkurt të vitit 1947 në Berat. Babaj i tij Hulësiu, partizan nga të parët, e më pas oficer, jurist dhe shkrimtar, ishte nga Novosela e Kolonjës, kurse e ëma Hatiqeja, ishte nga fisi i dëgjuar për atdhetari i Agallinjve në Vlorë. Fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Shkodër dhe Tiranë. Sot, punon e banon në Durrës prej më se pesëdhjetë vjetësh. Me të përfunduar shkollën shtatëvjeçare “Misto Mame”, nis studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, të cilën e mbaron në vitin 1964. Më tej vazhdon shkollën e Bashkuar të Oficerëve, dhe në vitin 1966 titullohet oficer këmbësorie. Emërohet në repartet e Durrësit, ku kryen detyra të ndryshme, si instruktor i stërvitjes me universitarët, shef i strërvitjes së Brigadës së Katërt të Mbrojtjes Bregdetare, komandant batalioni. Por duke qënë se i ati i tij goditet rëndë, si bashkëpunëtor i “grupit puçist”, me argumentin se kishte shkruar dhjetë vjet më parë një libër për luftën Nacionalçlirimtare, ku lartësonte figurën e Heroit të Popullit, Petrit Dume dhe të drejtuesve të tjerë të kësaj lufte në Kolonjë, ndëshkohet me pretekstin se ka lexuar një libër me kritika letrare të prof. dr. Rexhep Qosjes dhe pas një sërë masash, çohet me një detyrë të ulët, në një repart të largët, ku qëndron i harruar për rreth njëzet vjet. Me formimin i tij intelektual, edukatën e marrë në familje dhe përkushtimin në detyrë, ai dallohet për rezultate shumë të larta. Të gjithë që e njohën apo punuan me të, e kujtojnë si një kuadër të talentuar, të kulturuar, të guximshëm, të ndershëm dhe me shpirt krijues që e donte ushtrinë me gjithë zemër. Ai gëzonte respektin e veçantë të shokëve dhe vartësve të tij, oficerë dhe ushtarë.
Ndërkohë, kryen studimet në Universitetin shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e shkencave Politike – Juridike dhe studion me pasion, jo vetëm artin ushtarak, por edhe në fushën e letërsisë, artit, historisë etj. Me gjithë vështirësitë e njohura, ai është nga të parët kuadro të ushtrisë që mbështeti me entuziazëm proceset demokratike në vend, duke predikuar gjithmonë mirëkuptim mes vëllezërve të një gjaku. Duke parë aftësitë e spikatura të tij, pas përmbysjes së diktaturës, i jepet grada nënkolonel dhe emërohet shef i Mbrojtjes Civile të rrethit të Durrësit. Pas largimit nga ushtria, caktohet në detyrën e Shefit të Seksionit të Mbrojtjes Shoqërore në Këshillin e Rrethit. Bëhet promotor i organizimit dhe zhvillimit të dhjetëra e dhjetëra veprimtarive, kushtuar figurave të shquara, të goditura dhe lënë qëllimisht në hije apo të promovimit të krijimtarisë letrare të autorëve të ndryshëm, sidomos durrsakë. Puna e tij në këtë drejtim është krahasuar me atë të një institucioni të tërë. Këto veprimtari kanë qenë përherë mbresëlënëse dhe janë pasqyruar gjerësisht në të gjitha stacionet televizive, në radio apo gazeta të ndryshme. Mbas suprimimit të seksionit që drejtonte, duke qenë jurist, fillon punë në Gjykatën e Rrethit, ku qëndron për shtatë vjet dhe prej dymbëdhjetë vjetësh, kryen detyrën e Përmbaruesit gjyqësor, gjersa doli në pension. Nuk ka reshtur së kryeri dhe detyrat shoqërore, si anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, nënkryetar i Shoqatës kombëtare “Skënderbegasi”, kryetar i degës së kësaj shoqate në Durrës, anëtar i Kryesisë së shoqatës të miqësisë Shqipëri – Rusi, nënkryetar i degës së SHKUR – it, sekretar i shoqatës së Intelektualëve në Durrës, kryetar i Bordit drejtues të teatrit “A. Moisiu” dhe është zgjedhur Ambasador i Paqes. Pas viteve nëntëdhjetë, fillon të shkruajë dhe botojë krijimtari të mirëfilltë letrare, thuajse të të gjitha zhanreve të letërsisë, si poezi, tregime, novela, romane, publicistikë, kritikë letrare etj. dhe qindra e qindra artikuj të shkruar e botuar nga ai, në shtypin e kohës, gjë që e bën të njohur kudo. Shumë nga librat dhe krijimet e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, janë botuar jashtë shtetit dhe janë vlerësuar shumë nga kritika e specializuar dhe lexuesit. Në Nëntor të vitit 2015 nga ana e Lidhjes dhe Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë i është akorduar çmimi “Pushkin” me motivacionin “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”. Për të dhe krijimtarinë e tij, janë botuar librat voluminozë “Të shkruash në liri – Shpendi Topollaj: poeti, prozatori, kritiku, njeriu”, dhe “Liria e të shkruarit”. Ai është vlerësuar shumë lart për cilësitë e tij të rralla artistike, tematikën e zgjedhur dhe mesazhet që përcjell, nga penat tona më të njohura. Në një nga librat e fundit, “Ishte koha kur…”, kritiku Kostaq Xoxa duke folur për të shkruan: “Autori i palodhur dhe i talentuar i letrave shqipe të kohës së pasdiktaturës, Shpendi Topollaj, të befason me prodhimtarinë e tij aq të shumëllojshme në gjinitë letrare më të larmishme: në poezitë, në tregimet, në novelat, dhe në romanet e tij; në kritikën letrare, në zbulimin, e thesareve të lashtësisë …” [1] [2] [3]
Botime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]– Lirikat e Zemrës – poezi (përkthyer në italisht) 1996
– Gjithë dashuritë e mia – poezi 1996
– Akropol për të gjithë – poezi (përkthyer në greqisht) 2000
– Biri i Golëmit, Adem Meta – roman 2015
– Urat e librave – kritika letrare 2017
– Purgatori i librave – kritika letrare 2018
– Flas për ju – kritika letrare 2019
– Flas për ju – kritika letrare 2019
– Esse rreth shprehjeve mitologjike 2019
– Dantja… e të tjerë – kritika letrare 2020
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ https://telegraf.al/speciale/shpend-topollaj-feston-me-librat-e-tij-te-rinj/
- ^ https://liberale.al/e-papritura-e-drames-shqip-te-shpendi-topollajt/
- ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 27 tetor 2020. Marrë më 24 tetor 2020.
{{cite web}}
: Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)