Shqipëria dhe Kosova - Si janë dhe si do të duhej të jenë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shqipëria dhe Kosova - Si janë dhe si do të duhej të jenë Autori: Rexhep Qosja. Shtëpia Botuese "Toena". Viti i botimit 2013. Faqet e librit 472.

Në këtë vepër janë përmbledhur shkrime për politikën dhe krijimtarinë letrare e shkencore, për krijues e vetje të tjera, për ngjarje, dukuri e veprime të ndryshme politike në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë.

Për arsye të çështjeve e të temave kaq të ndryshme të trajtuara në këto shkrime nuk e kisha të lehtë për të gjetur titullin me të cilin do të mbulohej domethënia e të gjithave.

Dhe, si do të ishte e mundshme të gjendej titulli me të cilin do të mbulohej domethënia e të gjithave, derisa libri fillon me trajtimin e sjelljeve, veprimeve, të bërave të një dhunëtari politik në politikën shqiptare sot dhe përfundon me trajtimin e jetës dhe krijimtarisë letrare e publicistike të një idealisti në jetën kombëtare sot?

Prej radhës së titujve, ndër të cilët më përkatësit më dukeshin titujt Koha e ngadhënjimit të dhunëtarëve dhe e humbjes së idealistëve dhe Shqipëria dhe Kosova - si janë dhe si do të duhej të jenë, më në fund do të përzgjedh të dytin.

Frymëzimi për titullin e parë Koha e ngadhënjimit të dhunëtarëve dhe e humbjes së idealistëve do të më vijë prej të këqijave të shumta e të shumëllojshme në jetën politike e shtetërore, së cilës vulën e tyre ia kanë vënë dhunëtarë, të korruptuar e mashtrues, ndër të cilët janë radhitur edhe ish-idealistë, që tani kanë braktisur çdo idealizëm, ndërsa frymëzimi për titullin e dytë Shqipëria dhe Kosova - si janë dhe si do të duhej të jenë do të më vijë prej veprës programore të Sami Frashërit Shqipëria ç’ka qenë, ç’ësht’ e ç’do të bëhetë? e botuar në vitin 1899, domethënë trembëdhjetë vjet para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Shqiptarët nuk janë më të pushtuar prej Perandorisë Otomane, siç ishin në atë kohën kur do të shkruhej e do të botohej vepra e Sami Frashërit, por, siç po shohim dhe siç po bindemi çdo ditë, në jetën e tyre ende nuk janë arritur vlerat e ëndërruara politike, shoqërore dhe kombëtare të rilindësve të mëdhenj.

Vlerat demokratike - shteti i së drejtës, përgjegjshmëria e zyrtarëve, barazia e dinjiteteve e të tjera, edhe më tej mbesin dëshira të ëndërruara në jetën shqiptare