Rexhep Qosja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Rexhep Qosja
Ditëlindja:25 qershor, 1936
Vendlindja:Vuthaj, Mbretëria Jugosllave
Nënshtetësia:Kosova kosovar(e)
Kombësia:Shqipëria shqiptar
Zhanri:histori letërsie, kritikë letrare

Rexhep Qosja (25 qershor 1936, Vuthaj) është historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist dhe akademik shqiptar.[1] Është anëtar i rregullt dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,[2] dhe ka qenë i angazhuar në politikën kosovare të pasluftës.[3]

Më 2006 u përfshi në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë, debati zgjati për muaj të tërë dhe përfshiu gati të gjithë intelektualët publikë shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporë.[4]

Biografia[redakto | redakto tekstin burimor]

U lind në Vuthaj, në krahinën e Malësisë asokohe nën Mbretërinë Jugosllave. Katër klasat e para të fi­llores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmë­maturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gju­hës dhe të Letërsisë Shqipe të Fa­kultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albano­logjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Univer­sitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin "Asdreni, jeta dhe vepra e tij" në studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Beogradit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Al­banologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re.[2] Më 1989 iu propozua që të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por Qosja refuzoi.[5]

Pas ndryshimeve politike më 1990 në Shqipëri, Qosja u bë ndër kritikët më të zëshëm të kulturës dhe elitës politike si derivat gjenealogjik i nomenklaturës komuniste.[6]

Dhjetëvjeçarin para Luftës së Kosovës mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke e themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambouillet në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas luftës Qosja mori pjesë në Këshillin Administrativ Interim vendosur më 15 dhjetor 1999. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqjen nga kryetarësia e LDB-së pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.[3]

Vepra[redakto | redakto tekstin burimor]

Dëshmitar në kohë historike 1966-1974 - Ditar I

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.[2]

Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.[nevojitet citimi]

Mbi identitetin shqiptar[redakto | redakto tekstin burimor]

Me botimin e vëllimit Identiteti evropian i shqiptarëve nga Ismail Kadare më 2006 u bë shkas për rrahjen e kësaj teme, Qosja iu përgjigj brenda vitit me esetë Idetë raciste të Kadaresë, Ideologjia e shpërbërjes dhe Realiteti i shpërfillur.[7] Kundëpërgjigjja e Qosjes çoi Kadarenë drejt reagimit dhe kështu u zhvillua një debat mbi identitetin kombëtar. Qendra e mendimit të Qosjes është se identiteti mbarëshqiptar në gjerësinë e tij ngërthen elemente të të dy qytetërimeve, si atij perëndimor, si atij lindor.[8] Mendimit të Kadaresë se shqiptarët janë më afër Evropës dhe Evropa është superiore ndaj Lindjes, Qosja ia lexon si racizëm dhe se nuk mund të injorohet identiteti i shumicës muslimane të shqiptarëve dhe e sheh Islamin si pjesë të identitetit shqiptar duke radhitur si argument kulturën e gatimit, veshjet kombëtare, këngët dhe vallet, ceremonitë e lindjeve dhe vdekjeve, kultura gjinore, ligji e morali, arti popullor që ka ngjashmëri me atë turk e arab; letërsia fetare, iluministe, pedagogjike e morale e shkruar në arabisht; arkitektura e qyteteve shqiptare, urat, xhamitë, teqet dhe tyrbet Qosja i sheh të gjitha si pjesë të civilizimit islam. Përkundrejt mendimit të Kadaresë se Perandoria Osmane përfaqësonte Islamin, mbrapambetjen, jotolerancën dhe fanatizmin, Qosja është i mendimit se perandoria ka qenë edhe "fetarisht tolerante" dhe se ishte po aq barbare sa perandoritë evropiane, duke e quajtur Kadarenë "orientalist" dhe "muslimanist". Për të shqiptarët me përkatësi të ndryshme konfesionale i përbashkon identiteti kombëtar, duke u përpjekur të thurë një pamje reale të gjendjes religjioze shqiptare; ndërsa Kadare kthehet mbrapa në histori që të gjejë fenë shqiptare të krishterë "të pandryshuar". Qosja ia konsideronte raciste pikëpamjet mbi "lëkurën e bardhë" që kanë të ngjashme shqiptarët me evropianët, duke qenë se sipas tij, Evropa i kishte tejkaluar dhe ka në përbërje njerëz me ngjyra të ndryshme që gëzojnë njëjtat të drejta.[7]

Qosja me Kadarenë së toku kritikojnë Fuqitë e Mëdha për shpërfilljen e tyre për të mbrojtur Shqipërinë dhe hezitimin e tyre për ta njohur si shtet-komb, të dy kritikojnë Evropën për neglizhencën e saj ndaj çështjes shqiptare, të dy shprehen kundër gjithë atyre shqiptarëve që punojnë kundër interesit kombëtar dhe të dy çmojnë lart shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare. Përsiatjet e tyre sillen rreth "tjerëve fajtorëve" të njëjtë për identitetin shqiptar, me vetëm një përjashtim: turqit osmanë dhe fenë e tyre.[7]

Debati të cilin Aurel Plasari e ka cilësuar shumë të rëndësishëm për kombin,[7] ndërsa Kasëm Trebeshina e cilësoi temën e debatit të kthjelluar që me rilindasit dhe e sheh si abuzim demokracie kërkesën me çdo kusht të organizimit të konversioneve dhe rekonkuistave duke harruar rilindasit.[9]

Mbi shtetarët shqiptarë[redakto | redakto tekstin burimor]

Me rastin 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar në një intervistë televizive u shpreh se "Enver Hoxha ishte diktator, por ndërtoi një shtet bashkëkohor" duke thënë se "në Shqipëri dhuna qe në përpjestime më të vogla"[10] dhe duke qenë se po rivarroseshin eshtrat e Mbretit Zog I e quajti periudhën qeverisëse të tijën "rend feudal". Kjo solli një valë reagimesh që e cilësuan Qosen sikur po "vetëzbulohej si despot dhe enverist",[11] dhe qëndrimet e tij si "shpalosja e radhës e enverizmit dhe përçarja e kombit shqiptar".[12]

Bibliografia[redakto | redakto tekstin burimor]

Vepra[redakto | redakto tekstin burimor]

Vepra të përkthyera[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Živa sfinga, Jedinstvo, Priština, 1976.
  • Smrt vreba iz očiju, Narodna knjiga, Beograd, 1976.
  • Književnost i kritika, Prosveta, Beograd, Jedinstvo, Priština, 1979.
  • Smrt preži v očeg, Mladinska knjiga, Ljubljana, 1979.
  • Smrta mi ide ot takiva oči , Hristo Danov, Plovdiv, 1982.
  • Beselam pse më flijojnë (arabisht), Kuvajt, 1983.
  • La mort me vient de ces yeux là, Gallimard, Paris, 1994.
  • La question Albanaise, Fayard, Paris, 1995.
  • In solchen Augen lieg der Tod, Hayman Verlag, Innsbruck, 1995.
  • Die ogen en de dood, Van Genep, Amsterdam, 1996.

Nderime[redakto | redakto tekstin burimor]

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë - 7 Korriku, më 1975. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë Rexhep Mejdani i dha çmimin “Nderi i Kombit”.[2]

Për romanin "Bijtë e askujt" iu dha çmimi “Pjetër Bogdani” më 2010. Më 22 qershor 2012 iu dorëzua çmimi letrar Beqir Musliu.[nevojitet citimi]

Familja[redakto | redakto tekstin burimor]

I vëllai, Isa Qosja është regjisor.[3]

Referencat[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Zija Xholi, Ylli Vejsiu (2009). Fjalor enciklopedik shqiptar: N-Zh dhe një shtojcë. f. 2187. 
  2. ^ a b c d "Rexhep Qosja, anëtar i ASHAK,". ashak.org. 
  3. ^ a b c Elsie, Robert (2004). Historical Dictionary of Kosova. Scarecrow Press. f. 147.  9780810853096. 
  4. ^ Sulstarova, Enis (2012). Iacob, Bogdan, red. Constructing Albanian Communist Identitety Through Literature. History of Communism in Europe. 3. Zeta Books. f. 145.  9786068266275. 
  5. ^ Judah, Tim (2008). Kosovo: What Everyone Needs to Know. Oxford University Press. f. 72.  9780199741038. 
  6. ^ Trencsenyi, Balázs (2018). A History of Modern Political Thought in East Central Europe. 2. Oxford University Press. f. 206.  9780198829607. 
  7. ^ a b c d Xhaferi, Përparim (21 janar 2017). "The Political Contribution of Albanian Writers in Defining Albanian Identity: the Debate between Ismail Kadare and Rexhep Qosja" (PDF). European Journal of Language and Literature. 3: 121–128.  2411-4103. 
  8. ^ Brisku, Adrian (2013). Bittersweet Europe: Albanian and Georgian Discourses on Europe, 1878-2008. Berghahn Books. f. 184.  9780857459855. 
  9. ^ Trebeshina, Kasëm. "Debati Qosja - Kadare: [identiteti i shqiptarëve]". Metropol ("Metropol suplement", suplement). 973: 1–7. 
  10. ^ Qosja, Rexhep (19 November 2012). "Enver Hoxha ishte diktator, por ndertoi nje shtet bashkekohor". Marrë më 4 December 2018. 
  11. ^ Dervishi, Kastriot (21 nëntor 2012). "Rexhep Qosja vetëzbulohet si despot dhe Enverist: analiza politike për figurat historike". 55. 322: 16–17. 
  12. ^ Kareco, Theodor (17 dhjetor 2012). "Ideologu enverist Rexhep Qosja përçan shqiptarët në 100 vjetorin e pavarësisë". 55. 347: 21.