Jump to content

Ag Apolloni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ag Apolloni
U lind më13 qershor 1982
Kaçanik, Kosovë
KombësiaShqipëria shqiptar
EdukimiUniversiteti i Prishtinës
Gjinitë letrareProzë, poezi, dramë, kritikë
Punët e shquara
ÇmimeÇmimi "Katarina Josipi" (2016)[1]
Vite aktiv2009-sot

Ag Apolloni (13 qershor 1982) është prozator, poet, dramaturg, studiues dhe eseist shqiptar. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës. Veprat letrare të tij dallohen për dimensionin dramatik, trajtimin filozofik dhe qëndrimin kritik ndaj historisë, politikës dhe shoqërisë.

U lind më 13 qershor 1982, në Kaçanik. Shkollën fillore dhe gjimnazin i ka kryer në vendlindje, kurse studimet për Dramaturgji dhe studimet për Letërsi, i ka mbaruar në vitin 2005, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2008, Ag Apolloni merr titullin Master i Shkencave Filologjike, kurse në 2012 merr titullin Doktor i Shkencave Filologjike. Apolloni aktualisht është profesor në Universitetin e Prishtinës, ku punon që nga viti 2008.

Apolloni ka punuar si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta ditore dhe revista letrare dhe kulturore në Prishtinë. Në vitin 2010 e ka riaktivizuar dhe e ka udhëhequr për tre vjet revistën më të vjetër letrare në Kosovë, “Jeta e Re” (e themeluar më 1949), e cila ka qenë mbyllur më 2006. Në vitin 2013, themelon revistën kulturore “Symbol”, në të cilën ka realizuar intervista me: Linda Hutcheon, Jonathan Culler, Rita Dove, Raoul Eshelman, Gottfried Helnwein, Andreas Huyssen, Mieke Bal, D. M. Thomas, Javier Cercas etj. Tekste dhe vepra të Apollonit janë përkthyer në disa gjuhë, si: anglisht, gjermanisht, italisht, çekisht, maqedonisht, serbisht etj. Apolloni është shpërblyer disa herë me çmime kombëtare për veprat e tij fiksionale dhe studimore.

Ag Apolloni ka filluar të shkruajë në vitin 2003. Në një kafene kishte dëgjuar një histori lufte për një kriminel që kishte koleksionuar sytë e viktimave të tij dhe kjo histori e kishte tronditur aq thellë sa që për këtë e kishte krijuar një monodramë brenda nate. Gjatë studimeve ka mbajtur një ditar poetik, të cilin në vitin 2009 e ka botuar me titullin “Zomb”. Ndërsa, në vitin 2013 boton romanin “Ulurima e ujkut”, ku, nëpërmjet formës postmoderne, kombinon dhimbjen me tërbimin. I provokuar nga përvojat personale, mllefi i madh në këtë roman shpesh merr përmasa planetare. Autori nuk kursen askënd, ai kritikon të gjithë: veten, familjen, shoqërinë, kombin, botën dhe Zotin. Pas këtij romani, shkruan novelën “Zazen” si një homazh për një shok të tij, i cili, pas mbarimit të studimeve në Degën e Filozofisë, në pamundësi për të gjetur punë në vendlindje, i mllefosur me të gjithë, kishte vendosur të zhdukej dhe, pas disa ditësh, ishte gjetur i vdekur në një humnerë. Derisa dramat e Apollonit provokojnë frikë dhe mëshirë, ndërsa poezitë e tij e transformojnë jetën intime në art, proza e tij është ankim dhe tërbim. Kurse, në studimet “Parabola postmoderne” (2010), “Paradigma e Proteut” (2012) dhe në kritikat e botuara nëpër periodikë, shihet një tendencë për të hapur shtigje të reja kërkimi.

"Zomb" (2009) është libër me madrigale. Përmban gjithsej 100 poezi dhe një pasthënie në formë epistule. Libri fillon me një kushtim provokativ ("Gruas së shokut tim"), ka si moto dy vargje të poetit anglez John Milton (“Në qoftë se vdekja m’bashkon me ty/ ajo do të jetë për mue vetë jeta”), ndërsa ndahet në gjashtë njësi: Ouverture, Vals edenik, Sonatë dionisiane, Simfona e sirenave, Requiem Erosit dhe Coda. “Zomb” është një libër me temë erotike, i ndërtuar sipas parimeve të madrigalit mesjetar. Ai është libër që përmban në vete elemente të shumta nga muzika klasike, jazz, bluz, rock, pop etj.; nga kinematografia botërore, nga letërsia antike, mesjetare, moderniste, bashkëkohore dhe gjithashtu nga religjionet, si: budizmi, totemizmi, judaizmi, kristianizmi dhe islamizmi.

Libri "Drama: Stefani, Halloween, Judita, Mat" (2010) përmban tri drama tragjike, të cilat për nga radhitja e numrit të personazheve shfaqin haptazi referencën te zanafilla e dramës dhe e teatrit antik grek (te Stefani, që ka vetëm një personazh, fantazia të çon te karroca e Tespisit; te Halloween futet edhe personazhi i dytë, sipas modelit të Eskilit, kurse te Judita hyn edhe personazhi i tretë, sipas modelit të Sofokliut), si dhe një tekst të frymës së Aristofanit, si relaksim për publikun. Monodrama Stefani, historia e një koleksionisti të syve, është një histori tronditëse e një koleksionisti të syve që jeton në qilarin e tij me 4998 sytë e mbledhur gjatë luftës në Bosnjë dhe Kosovë. Këtë vepër Apolloni e ka shkruar në moshën 21 vjeçare si “një elegji për dekadën e fundit të shekullit të kaluar, përkatësisht një tekst përkujtues për krimet që tronditën botën. Monodrama është histori që trajton dashurinë dhe krimin, jetën dhe vdekjen si një binom që mund të tronditë publikun.” Halloween është një histori incestuoze për natën e Halloween-it. Këtë dramë Apolloni e ka shkruar i nxitur nga leximi i një fejtoni mbi jetën e vrasësit serik Ted Bundy. Judita është dramë me motive biblike e trajtuar si një histori mitike për konfliktin mes Lindjes dhe Perëndimit, për moskuptimin mes njeriut dhe Zotit, si dhe për nënshtrimin dhe guximin. Komedia Mat është një pastish i ndërtuar mbi veprat e regjisorëve Ingmar Bergman dhe Woody Allen, mbi përballjen qesharake mes njeriut dhe vdekjes.

Romani "Ulurima e ujkut" (2013) trajton shumë tema nga kënde dhe forma të ndryshme. Mes të tjerash, romani trajton edhe ndarjet e dhimbshme me të gjallët dhe të vdekurit. Romani përshkohet gjithandej nga një dëshpërim dhe tërbim, i shoqëruar edhe me një dozë humori, me shumë referenca nga muzika, piktura, filmi dhe teatri. Ngjarjet vendosen në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Itali dhe Vjenë, ku edhe është përfunduar romani.

"Zazen" (2014) trajton fatin e një të riu kosovar, shok i autorit, që pasi mbaron studimet, kthehet në vendlindje, por ky kthim bëhet tragjik për të, pasi ai si shkollar shpërfillet nga komuna, keqkuptohet nga katundi, shpallet i çmendur nga familja. "Zazen" ndërlidh një shumësi temash: sociale, filozofike, politike, nacionale, religjioze etj. Në të rrëfehet ankthi dhe jeta tragjikomike e Zen Zabelit, i cili ka shumë ide, pak kërkesa e aspak mundësi.

Hamleti simbas Horacit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

"Hamleti simbas Horacit"është tragjedi psikanalitike ku mishërohen idetë teorike të Frojdit për të dhënë një histori të mundshme të Hamletit, duke prekur temën e incestit të dyfishtë (vëlla-motër, nënë-bir) dhe temën e tradhtisë së shumëfishtë. Hamleti simbas Horacit është një pastish, apo hipertekst dramatik i ndërtuar mbi Hamletin e Shekspirit dhe mbi interpretimet e Frojdit për Hamletin si një Edip të pakryer. Tematikisht, Hamleti simbas Horacit është një histori alternative, e cila vjen si jehonë nga Orestia, Edipi mbret dhe Hamleti.[nevojitet citimi] Kjo dramë është shpallur fituese e çmimit vjetor për dramë "Katarina Josipi".[2]

Skenderbeu: Manuskripti i Marlout

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

"Skenderbeu: Manuskripti i Marlout" është një dramë e shkruar sipas parimit postmodern të dorëshkrimit, pra si gjetje e një drame elizabetiane të shekullit 16 e cila konsiderohet dramë e humbur. Për shkrimin e kësaj drame autori ka shfrytëzuar shumë materiale historike, letrare, kinematografike dhe teatrore, për të krijuar një realitet të besueshëm të kohës skenderbegiane. Këtu heroi paraqitet mes mitit dhe realitetit, si një figurë sa e madhe, aq edhe njerëzore.[3]

Është libër me ese autobiografike, i cilësuar edhe si autobiografi narrative-eseistike.[4] Libri përbëhet nga 10 ese me tituj latinë: Obscura, Vulgus, Doctrina, Pelegrin, Allegoria, Persona, Schisma, Templarius, Inquisitio dhe Memento, të cilat trajtojnë jetën e autorit dhe aktualitetin e sotëm kosovar.[5]

Krahas letërsisë artistike, Ag Apolloni merret edhe me studime letrare. Deri tani ka botuar dy libra studimorë: Parabola postmoderne dhe Paradigma e Proteut. Studimi i parë, një zgjerim i tezës së tij të masterit, është një monografi për prozën e parë postmoderne shqipe. Ndërsa, studimi i dytë, që është mbrojtur si tezë doktorate, është një monografi për romanin e parë modern të letërsisë shqipe. Gjithashtu, në vitin 2016 ka botuar librin “Koferi i Konicës”, që është një përmbledhje esesh ku trajtohen çështje të ndryshme të letërsisë shqipe, si: gjuha, vlera, temat dhe funksionet e saj propagandistike, historike, politike, religjioze etj. Në të flitet për autorët, veprat dhe fenomenet kryesore të kësaj letërsie.

Krijimtaria e Apollonit është shpërblyer me disa çmime letrare kombëtare, si:

  • 2010 Libri më i mirë poetik i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Zomb”;[6]
  • 2013 Libri më i mirë kritik i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin “Paradigma e Proteut”;
  • 2013 Romani më i mirë i vitit (çmimi “Rexhai Surroi”), për librin “Ulurima e ujkut”;
  • 2017 Drama më e mirë e vitit nga Teatri Kombëtar i Kosovës, për dramën “Hamleti simbas Horacit”.
  • 2020 Romani më i mirë i vitit nga Ministria e Kulturës (Kosovë), për librin "Një fije shprese, një fije shkrepëse"
  • Drama: Stefani, Halloween, Judita, Mat (2010)
  • Hamleti simbas Horacit (2017)
  • Skenderbeu: Manuskripti i Marlout (2018)
  • Parabola postmoderne (2010)
  • Paradigma e Proteut (2012)
  • Koferi i Konicës (2016)
  • Commentum (2019)
  • Mesjeta ime (2019)


In Other Languages

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

1. German: - Die Geschichte eines Augensammlers, translated by Andrea Grill. Published in “Lichtungen”, Graz, No 126, 2011.

2. Macedonian: - Завивањето на волкот, translated by Mirjana Ilieva Jashari. Goten, Skopje, 2015.

3. Czech: - Vytí vlka, vlka vytí, translated by Orkida Backus Borshi. Kniha Zlín, Prague, 2019

4. Dutch: - Een sprankje hoop, een lont, translated by Jan Jansen. Het Wereldvenster, Utrecht, 2022.

5. Montenegrin: - Vučji urlik, translated by Danilo Brajović. Zavoda za udžbenike i nastavna sredstva, Podgorica, 2022.

  1. ^ https://www.mkrs-ks.org/?page=2,6,1608#.XVnLMcmfw0M
  2. ^ "Ag Apolloni fitues i Çmimit "Katarina Josipi"". KultPlus. 27 tetor 2017. Marrë më 15 nëntor 2017.
  3. ^ "'Skenderbeu: Manuskripti i Marlout' i Ag Apollonit". Zëri. 2018-06-01. Marrë më 2018-06-02.
  4. ^ "Doli nga shtypi "Mesjeta ime" i Ag Apollonit". Rtv 21. 2019-02-11. Arkivuar nga origjinali më 12 shkurt 2019. Marrë më 2019-03-06.
  5. ^ Isa Vatovci (2019-02-28). "Doli nga shtypi "Mesjeta ime" i Ag Apollonit". Kallxo.com. Arkivuar nga origjinali më 8 janar 2020. Marrë më 2019-03-06.
  6. ^ https://www.mkrs-ks.org/?page=1,65

[1] [2] [3] [4] [5] [6] [7]

  1. ^ Revista kulturore “Symbol”: , "OM Publisher"
  2. ^ “Stefani” e Apollonit botohet në Austri:, "Koha.net" Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine
  3. ^ Романот „Завивањето на волкот“ од Аг Аполони доби превод на македонски јазик:,"Завивањето на волкот" Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine
  4. ^ “Zazen”, që nis me qiellin e përfundon me token: ,"Kultplus.com"
  5. ^ “Ulurima e ujkut” e Ag Apollonit një roman revolte: ,"Koha.net" Arkivuar 23 janar 2020 tek Wayback Machine
  6. ^ “Paradigma e Proteut”: ,"Shekulli.com.al"[lidhje e vdekur]
  7. ^ “Zazen”: ,"Sbunker.net" Arkivuar 29 qershor 2016 tek Wayback Machine