Shqiptarët (Mit'hat Frashëri)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Shqiptarët (Mit'hat Frashëri).gif

"Shqiptarët" me Autor Mit'hat Frashëri (Lumo Skëndo).

I njohur si polemist, si njeri që nuk tutej të përballej me këdo, të thoshte hapur mendimin e tij, në vitin 1919, në Lozanë, një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë së fillim shekullit XX, ulet të shkruajë për cilësitë e shqiptarëve. “Shqiptarët” (“Les albanais dans leur pays et à l’etranger”) titullohet vepra e Mit’hat Frashërit (Lumo Skëndo), e cila vjen në shqip si pjesë e koleksionit “Memorie” të shtëpisë botuese “Zenit”. “Shqiptarët”, i përkthyer nga origjinali në gjuhën frënge nga Ferdi Tirana, është një lloj apologjie që mendimtari shqiptar i bën bashkëkombësve të vet, në një kohë të trazuar. Vende-vende mund të duket patetik, por kjo për një kauzë të drejtë. Është viti 1919, Shqipëria ka kaluar kohëra të turbullta në dy dekadat e para të shek. XX, copëtime territoriale, ndërrime qeverish, princër të dështuar, luftëra ballkanike e botërore. Dhe Frashëri merr përsipër t’u tregojë të gjithë atyre që shqiptarët i quanin “barbarë, të egër, etj”, se kjo nuk është e vërtetë. Dhe këtë e bën jo thjesht duke u bazuar në mendimin e tij personal, por duke cituar studiues, historianë, udhëtarë të huaj, që kanë kaluar në Shqipëri, apo kanë shkruar për të. Libri paraprihet nga një parathënie të Eugene Pittard, i cili e vlerëson shumë kërkesën që Frashëri i bëri aso kohe për të shkruar disa reshta për librin e tij. Në këtë libër të shkurtër Frashëri mundohet të vërë në dukje cilësitë më të mira të shqiptarëve, si nderi, sqima, solidariteti, etj, por nuk ka sesi të mos ngrenë krye edhe prapambetja, mentaliteti mesjetar, etj. Mit’hat Frashëri na kujton edhe ca tradita të mira, që në kohërat moderne kanë filluar të zbehen.

Përktheu nga origjinali në frëngjisht nga Ferdi Tirana. Shtëpia botuese "Zenit", viti i botimit 2005. Faqet e librit 80. ISBN 99943-811-0-5