Jump to content

Skandali në Spitalin Onkologjik

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Në qershor 2024, Prokuroria e Tiranës zbuloi një skemë mashtrimi dhe zhvatjeje ku mjekët e Spitalit Onkologjik të QSUT, orientonin pacientët me sëmundje tumorale të shkonin drejt klinikave private. [1]Gjithashtu, aparatura e Kobalto-Terapisë, e cila shërben për radioterapitë, u la jashtë funksionit për 3 vjet. Kjo ngjarje tronditi opinionin publik shqiptar.

Mjekët dhe stafi i spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë akuzohen se krijuan një skemë abuzive për transferimin e pacientëve drejt klinikave private. Këta pacientë, të diagnostikuar me sëmundje tumorale, detyroheshin të paguanin deri në 3000 euro për shërbimin që e përfitonin falas në spitalin publik. Skema përfshinte bashkëpunimin e mjekëve, specialistëve dhe administratorëve të spitalit me klinikat private, duke mos ofruar trajtimin e duhur në spitalin Onkologjik dhe duke drejtuar pacientët drejt klinikave private për qëllime përfitimi.

Mjekët shisnin ilaçe të spitalit tek klinikat private, duke privuar pacientët e tyre nga trajtimi i duhur. Për të provuar ekzistencën e këtij dyshimi, prokuroria përdori blerje të ilaçeve të stimuluara. Kryesisht u blenë ilaçe që përdoren për kimioterapi. Këto ilaçe shiteshin jashtëzakonisht shtrenjtë dhe kushtonin deri në 1500 euro.

Aparatura e Kobalto-Terapisë, e cila shërben për trajtimin e sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale, ishte përdorur në mënyrë të papërshtatshme. Që nga viti 2021, ky aparat nuk ishte shfrytëzuar dhe ishte lënë në kushte të rrezikut për personelin mjekësor dhe për pacientët, pasi emeton rrezatime radioaktive.

Ministria e Shëndetësisë shkarkoi ish-zv.drejtoreshën e QSUT. Ndërmerren hetime nga Prokuroria e Tiranës për mjekët dhe stafin e përfshirë. Opinioni publik shqiptar është tejet i tronditur. Gjithashtu Kryeministri Edi Rama e cilësoi ngjarjen si një “krim kundër njerëzimit”.

https://shqiptarja.com/lajm/tirane-8-mjeke-te-onkologjikut-te-qsutse-ne-hetim-per-abuzim-me-ilace

https://top-channel.tv/2024/06/27/skandali-tek-onkologjiku-gjykata-e-tiranes-le-ne-fuqi-masat-ndaj-7-te-akuzuarve-dy-ne-arrest-shtepie33/

  1. ^ "Skandali tek Onkologjiku, zhvasin pacientët me tumor! I mohonin shërbimin, i orientonin tek klinika private e doktorit! 7 në hetim, mes tyre ish zv/drejtoresha e QSUT, 2 mjekë e personeli". Shqiptarja.com. Marrë më 2024-07-03.