Shko te përmbajtja

Stasha Zajoviq

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Ridrejtuar nga Staša Zajović)
Staša Zajović në 1999

Stanislava Staša Zajović (e lindur më  25 Janar 1953 në Nikshiq, në atë kohë pjesë e Jugosllavisë, sot në Mal të Zi) është një aktiviste e njohur, feministe dhe pacifiste, e cila  luan rol të rëndësishëm në lëvizjen e paqes dhe  të drejtave të grave në Serbi dhe më gjerë. Ajo është bashkëthemeluese dhe koordinatore e grupit aktivist - Gratë në  të Zeza – Women in Black (Žene u Crnom),  organizatë që angazhohet për të kundërshtuar luftën, nacionalizmin, seksizmin dhe militarizmin që nga vitet 1990. [1][2]

Arsimi dhe Fillimet e para

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Staša Zajović lindi në vitin 1953 në Nikshiq, Mal i Zi, në një familje punëtore dhe antifashiste. Ajo e vazhdoi shkollën fillore në “Braqa Ribar” dhe gjimnazin “Stojan Cerović”, ku  përfundoi degën shoqërore-humaniste. Në vitin 1972, u shpëngul në Beograd, ku filloi studimet dhe u diplomua në vitin 1977 në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Beogradit, duke studiuar gjuhët romane, veçanërisht spanjisht dhe italisht. Stasha flet spanjisht, italisht dhe anglisht. Në vitin 1977, filloi punën e saj të parë në një agjenci të Amerikës Latine, Prensa Latina. Përveç kësaj, ajo ka përfunduar edhe një shkollë turizmi dhe ka punuar si guide turistike e pavarur, përfshirë një periudhë në Ishujt Kanarie në vitin 1978. [2]

Angazhimi në Aktivizmin Feminist dhe Paqësor

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Staša Zajović ka angazhim feminist që nga vitet 1980, duke u bërë pjesë e grupit feminist “Gratë dhe Shoqëria” (Žena i društvo) në Beograd midis viteve 1985 dhe 1992. Ky grup kontribuoi në fuqizimin e grave dhe në rishikimin e roleve gjinore në shoqëri. Në vitin 1991, teksa Jugosllavia përballej me konflikte të përgjakshme, ajo ishte ndër themelueset e lëvizjes “Gratë në të Zeza” ("Žene u crnom"), e cila promovonte paqen, antimilitarizmin dhe të drejtat e grave. Në një kontekst ku nacionalizmi dhe dhuna ishin të përhapura, ky grup qëndroi kundër luftës duke përdorur protesta simbolike dhe rezistencë civile për të sfiduar narrativat agresive të kohës. [3]

Lidhja mes aktivizmit të saj dhe ngjarjeve të Vukovarit është e thellë. Gjatë pushtimit më 19 nëntor 1991, rreth 800 civilë dhe të plagosur ishin strehuar në Borovo Commerce, por pas hyrjes së agresorëve në zonë, 115 mbrojtës dhe civilë u morën me forcë, u torturuan dhe u vranë. Ditën e pushtimit, 51 persona u vranë në Borovo Naselje. Gjatë rrethimit tremujor, 176 mbrojtës dhe civilë humbën jetën, ndërsa fati i 63 të tjerëve mbetet i panjohur. [4]

Në këtë realitet të dhunës dhe padrejtësisë, lëvizja e Staša Zajović dhe “Gratë në të Zeza” sfidoi narrativat dominuese duke e kthyer ngjyrën e zezë—simbolin e dhimbjes dhe humbjes—në një shenjë subversive të rezistencës. Kur njerëzit pyetnin për veshjen e tyre, ajo shpesh theksonte: "Do t’i japim kësaj ngjyre një kuptim simbolik krejt të kundërt. Do ta kthejmë përmbys, do ta bëjmë subversive."Ky angazhim nuk ishte vetëm një protestë vizuale, por një formë e fuqishme e rezistencës kundër nacionalizmit dhe militarizmit. Duke e transformuar simbolin e zisë në një mjet për të sfiduar narrativat e dhunës, lëvizja e saj ofroi një mënyrë të re për të kundërshtuar padrejtësitë dhe për të mbështetur paqen në rajon. Aktivizmi i saj mbeti një shembull i guximit dhe këmbënguljes për drejtësi në kohëra të vështira. [2]

1985-1992: Fillimi i aktivizmit dhe angazhimi në lëvizjet feministe

Në këtë periudhë, Zajović ishte bashkëthemeluese e Linjës së Telefonit SOS për Gratë dhe Fëmijët Viktima të Dhunës, një shërbim emergjent për ata që përjetonin dhunë në familje. Ajo gjithashtu bashkë-themeloi Lobin e Grave të Beogradit, një platformë e fuqizimit të grave, si dhe Parlamentin e Grave - Beograd, një hapësirë për debatin mbi çështjet gjinore dhe të drejtat e grave. Gjatë kësaj kohe, ajo luajti një rol aktiv në Lëvizjen e Rezistencës Qytetare, duke organizuar mbi 1500 protesta dhe marshime kundër luftës, krimeve të luftës dhe diskriminimit gjinor. [5]

1993-1996: Ndihma për refugjatët dhe promovimi i antimilitarizmit

Me intensifikimin e konflikteve në ish-Jugosllavi, Zajović u angazhua në punë vullnetare për ndihmën dhe vetëfuqizimin e refugjatëve në kampet Mala Krsna, Mikulja, Kovilovo dhe Nova Pazova. Kjo nismë u shoqërua me solidaritet të fortë për refugjatët, duke bashkëpunuar me aktiviste të tjera të Grave në të Zeza. [5]

2006: Formimi i Koalicionit të Grave për Paqe

Në maj të vitit 2006, pas një dekade bashkëpunimi dhe solidariteti midis grupeve autonome të grave nga Kosova dhe Serbia, u formua Koalicioni i Grave për Paqe. Ky koalicion avokon për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, përfshirjen e grave në proceset e ndërtimit të paqes, si dhe zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. [5]

2010-2014: Gjykata e Grave – Një Qasje Feministe ndaj Drejtësisë

Në fund të vitit 2010, shtatë anëtare të Komitetit Drejtues nga të gjitha ish-republikat e Jugosllavisë nisën një iniciativë për formimin e Gjykatës së Grave, një hapësirë ku gratë mund të dëshmojnë për padrejtësitë e përjetuara gjatë luftës dhe paqes. Komiteti Drejtues u transformua në Komitetin Organizativ të Gjykatës së Grave në shkurt 2013, dhe gjykata u mbajt më 2014. Staša Zajović ishte anëtare aktive e Komitetit Drejtues të kësaj iniciative. [5] 2005 e tutje: Angazhimi në rrjete dhe koalicione rajonale Si aktiviste e palëkundur, Zajović ka qenë bashkëthemeluese dhe pjesëmarrëse aktive në disa rrjete rajonale, si:

  • G8, grup i organizatave jo qeveritare (OJQ) që avokon për llogaridhënie mbi krimet e luftës. Përbëhet nga tetë OJQ nga Beogradi (Rrethi i Beogradit, Qendra për Dekontaminim Kulturor, Iniciativat Qytetare, Qendra për të Drejtën Humanitare, Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut dhe Gratë në të Zeza).
  • Fushata për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, një iniciativë për të shpallur 11 korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë.
  • Koalicioni për një Shtet Laik, që kundërshton klerikalizimin dhe promovon karakterin laik të shtetit.
  • Lobi Rajonal i Grave për Paqe, Siguri dhe Drejtësi, që bashkon aktiviste nga Ballkani për stabilitetin në rajon.
  • Koalicioni Feminist, që bashkon grupe feministe për promovimin e të drejtave të grave.
  • Koalicione solidariteti kundër fashizmit, homofobisë, militarizmit dhe privatizimit shkatërrues, për mbrojtjen e komuniteteve të margjinalizuara. [5]

Në 2017, Staša Zajović ka nënshkruar Deklaratën për gjuhën e përbashkët të Kroatëve, Serbëve, Boshnjakëve dhe Malazezëve.  [5][6]

Staša Zajović  mbron të drejtave e  viktimave të gjenocidit, veçanërisht përkujton masakrën e Srebrenicës. Ajo ka luftuar për shpalljen e 11 korrikut si Dita e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe ka mbështetur organizatën “Gjykata e Grave”, e synon të ofrojë një qasje feministe ndaj drejtësisë. Zajović dhe grupi “Gratë në të Zeza” kanë organizuar shumë veprime rrugore për të sensibilizuar publikun për këto çështje. Gratë në të Zeza, ishin një grup aktivistesh që kundërshtuan edhe regjimin e Millosheviqit në Kosovë. Një nga mesazhet e tyre më të fuqishme ishte slogani “Shqiptaret janë motrat tona” (Albanke su Naše Sestre), që u shfaq në protestat e tyre. Përkundër presionit dhe reagimeve të ashpra nga kalimtarët, ato vazhduan të protestonin, kështu duke dëshmuar guximin dhe përkushtimin e tyre ndaj drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. [3][7]

Veprimatria Ndërkombëtare dhe Kontributi në Paqe

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zajović është aktiviste  me eksperiencë të gjatë në organizimin e aksioneve të ndryshme, protestave për të drejtat e refugjatëve dhe të grave. Ajo ka themeluar iniciativat Rrjeti i Grave për Paqen, Anti-militarizmi në Serbi, dhe Koalicioni për një shtet laik. Angazhimi i saj në lëvizjen “Gratë në të Zeza”, ka ndikim shumë të madh në ëvizjen globale për paqe. Ajo ka organizuar një sërë aktivitetesh edukative, me fokus në të drejtat e grave, gratë për paqe, solidariteti ndër-etnik dhe ndër-kulturor, gratë dhe pushteti si dhe anti-militarizmi. Angazhimi i saj në lëvizjen Women in Black ka pasur ndikim shumë të madh në gjithë lëvizjen globale. Përshembull, Carmen Magallon në librin Mujeres en pie de paz shkruan se vizita e Zajović në Spanjë në 1993, idetë e saj dhe angazhimi ndikuan në themelimin e grupit “Gratë në të Zeza” (Women in Black) në Spanjë. [8]

Staša Zajović është autore dhe redaktore e shumë botimeve mbi feminizmin, paqen dhe antimilitarizmin. Ajo ka publikuar ese dhe artikuj në media lokale, rajonale dhe ndërkombëtare, duke trajtuar çështje si roli i grave në politikë, të drejtat riprodhuese, lufta, nacionalizmi, militarizmi dhe rezistenca e grave ndaj dhunës. [8] Gjithashtu është edhe aturoja e librit Uvek neposlušne (Gjithmonë i pabindur).[9]

Çmime dhe Nderime

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Staša Zajović ka marrë disa çmime prestigjioze për aktivizmin e saj, duke përfshirë Millennium Peace Prize, titullin Qytetare Nderi e Tutinit dhe Qytetare Nderi e Granadës. Ajo ka fituar Çmimin e Mijëvjeçarit nga UNIFEM dhe është nominuar për Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2005. [8] Në vitin 2007, gazeta serbe Danas e vlerësoi si Personalitetin e Vitit, duke njohur kontributin e saj të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe promovimin e paqes. [6][10]

Aktivizmi dhe Rrjetet Rajonale dhe Ndërkombëtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Staša Zajović është gjithashtu e përfshirë në rrjetet dhe koalicionet rajonale dhe ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me organizata nga Ballkani dhe më gjerë për të promovuar paqen dhe të drejtat e grave. Ajo ka kontribuar në formimin e Rrjetit Ndërkombëtar të Solidaritetit të Grave Kundër Luftës, ka mbështetur iniciativat për ndihmën dhe fuqizimin e refugjatëve, dhe ka qenë pjesëmarrëse në shumë protesta dhe aksione rrugore që synojnë të ndihmojnë në zgjidhjen e krizave humanitare dhe të drejtat e minoriteteve. [5]

Staša Zajović ushtron aktivizëm të rëndesishëm në luftën për paqe, të drejtat e grave dhe drejtësinë sociale, duke u angazhuar në mënyrë të palëkundur kundër dhunës dhe diskriminimit. Aktivizmi i saj ka një ndikim jo vetëm në rajonin e Ballkanit, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke inspiruar breza të tërë aktivistësh dhe duke krijuar mundësi për një të ardhme më të drejtë dhe paqësore. Përmes veprimtarive të saj, Zajović ka treguar se çdo protestë, sa e thjeshtë dhe simbolike të jetë, mund të jetë një forcë e fuqishme për ndryshim.

  1. "STASA ZAJOVIĆ". RWLSEE (në anglisht). Marrë më 2025-06-03.
  2. 1 2 3 Krasniqi, Korab; Kadiri, Rina; Hajrullahu, Vjollca Islami (2024). Rezistenca: Gratë e paqes dhe të drejtësisë në Ish-Jugosllavi dhe Shqipëri. ForumZFD. ISBN 9789951775212.
  3. 1 2 "Staša Zajović: Otrovom nacionalizma se sprječava pobuna – DW – 07.10.2019". dw.com (në kroatisht). Marrë më 2025-06-03.
  4. "Staša Zajović iz Žena u crnom: U Srbiji dominantno nacionalističko javno mnijenje". tportal.hr. Marrë më 2025-06-03. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. 1 2 3 4 5 6 7 "Curriculum vitae Stasa Zajovic - Žene u crnom". zeneucrnom.org. Marrë më 2025-06-03. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. 1 2 "Deklaracija o zajedničkom jeziku (одговори)". Google Docs. Marrë më 2025-06-03. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. Rudi, Zana (2024-10-01). "FemArt 12: "MOTËRZIMI: N'Kohë Lufte dhe Paqe"". Kosovo Women's Network. Marrë më 2025-06-03.
  8. Magallón, Carmen (2006). Mujeres en pie de paz. Madrid: Siglo XXI. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. https://plus.cobiss.net/cobiss/bh/en/bib/kbtz/137132300
  10. "Staša Zajović". RWLSEE (në anglisht). Marrë më 2025-06-03.