Jump to content

Stavri Dajo

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Stavri J. Dajo është minoritar grek, nga Dropulli i Sipërm, doktor i shkencave historike i Universitetit "Aristoteli" të Selanikut, studiues, përkthyes,dhe padagog i gjuhës shqipe, i njohur dhe si njeri i biznesit me banim në Selanik, Greqi. Objekti i tij i studimit është historia bashkëkohore e Ballkanit dhe veçanërisht marrëdhëniet shqiptaro-greke pas Luftës së Dytë Botërore. Ka botuar disa monografi studimore, ndër të cilat më e spikatur është: “Greqia dhe Shqipëria, 50 vjet mosbesimi reciprok, marrëdhëniet dypalëshe dhe minoriteti  etnik grek 1945-1991” (Botime Literatus, 2015). Vepra tjetër “Konflikti Enver Hoxha – Josif B. Tito dhe përmasat ndërkombëtare të luftës civile greke, 1945-1949” (Selanik 2005) i referohet faktorit shqiptar në evoluimet greke të kohës, sipas dokumentacionit arkivistik. Stavri Dajo është pjesëmarrës në disa vepra të tjera kolektive me të njëjtën objekt studimi.

Vepër me rendësi e tij konsiderohet studimi për këngët popullore të minoritetit etnik grek në Shqipëri (1997).

Stavri Dajo ka shqipëruar me sukses kryeveprën "Jeta e Aleksis Zorba" të Nikos Kazantzakis (Botimi i 1-rë 1996, botimi i 2-të 2001), e vlerësuar si punë shumë e kujdesshme dhe e zellshme për pasurinë leksikore të shqipes nga kritikët dhe specialistët edhe është afirmuar në përkthimin e veprave letrare nga poetë, prozatorë, shkrimtarë e nobelistë të tjerë grekë dhe qipriotë. Ka përkthyer, gjithashtu, dhe shkrimtarë shqiptarë në greqisht. Krahas Perikli Jorgonit, Niko Kacalidhës, Robert Goros, Luan Zykës, por edhe më të hershmit, Spiro Çomora, Aleks Çaçi, e deri tek Nonda Bulka, Dajo ka krijuar profilin e tij të veçantë duke zotëruar e folur mirë edhe anglisht, italisht e frëngjisht. Nisma të tij të guximshme ishin dhe dy përkthime veprash antologjike në të cilat morën pjesë dhe shumë krijues të tjerë të diasporës shqiptare në Greqi: “Antologjia e tregimit qipriot” (Tiranë 2003) dhe “Antologjia e poezisë qipriote" (Tiranë 2000).

Stavri Dajo, si studiues, përkthyes dhe intelektual i njohur, bashkëpunon me shtypin prestigjioz shqiptar dhe grek, ndërsa shpesh diskuton në mënyrë aktive në emisione të veçanta në kanale televizive greke dhe shqiptare duke dhënë mendime për çështje të ndryshme historike, të emigracionit, marrëdhëniet mes dy vendeve fqinjë, me akte e dokumente historike për periudha e kohë të ndryshme, për çështje të letërsisë shqiptare të diasporës, të gjuhës shqipe dhe asaj greke etj. Mendimet dhe ndihmesën e tij intelektuale e ka dhënë dhe për organizime shtetërore e bamirëse në Shqipëri, Kosovë, FYROM.

Stavri Dajo është pronar i qendrës së aplikimeve gjuhësore dhe botimeve Literatus në Selanik.

  • “Dega e Blertë” shoqata e krijuesve të Selanikut e ka anëtar të saj.