Jump to content

Sylejman Pireva

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Sylejman Pireva lindur më 10.03.1950 në Lupç të Poshtëm. Pas kryerjes së shkollës normale në Prishtinë në vitin 1970, punoi si mësues në vendlindje dhe në rrethinë. Është diplomuar në vitin 1975 në Fakultetin Filozofik-dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Universiteti i Prishtinës. Në vitin shkollor 1974/1975, gjer sa ishte absolvent, punoi në shkollën e mesme teknike “Nikolla Tesalla” në Ferizaj, kurse gjatë viteve 1975-1978, si profesor në gjimnazin “Ivo LLolla Ribar”, duke dhënë në të njëjtën kohë gjuhë shqipe dhe gjuhë latine. Më 1978 u pranua në Bibliotekën Popullore “Miladin Popoviq” të Prishtinës, ku vazhdon të punojë edhe tani. Prej vitit 1999-2008 ishte drejtor i Bibliotekës Publike “Hivzi Sulejmani”, ndërsa tani është koordinator i saj.

Me krijimtari letrare ka filluar të merret qysh herët, kurse poezinë e parë për fëmijë e ka botuar në revistën “Pionieri”, si normalist. Ka botuar në disa gjini letrare: poezi për fëmijë dhe të rritur, tregime, reportazhe letrare, humor dhe satirë, kurse në këtë të fundit ka botuar me pseudonimin “Therrë Vegshi”. Merret edhe me vështrime nga lëmi i bibliotekarisë. Ka botuar në të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, ku vazhdon të botojë edhe sot. Ka botuar librin me poezi për fëmijë “Atdheu i zogut” dhe librin me titull “Biblioteka publike drejt reformave”, përmbledhje artikujsh nga profesioni i bibliotekarisë. Merret edhe me publicistikë.

Gjatë periudhës së fundit, është trajnuar për punë në lëmin e bibliotekarisë dhe menaxhimit.

Është marrë me veprimtari ilegale atdhetare. Ka qenë në treshen e ngushtë me Ahmet Haxhiun-Bacën dhe Avdyl Mustafën (Lalën). I takon organizatës së LPRK-së, kurse më 1990 bëhet veprimtar i shquar i LDK-së. Pas përfundimit të luftës, më 1999, nuk ishte anëtar i asnjë partie, derisa nuk u inkuadrua në Lëvizjen “VETËVENDOSJE” .