Sytë e Simonidës
Sytë e Simonidës roman, Autori: Dhimitër Shuteriqi. Botuesi: "Toena". Tiranë, 2009. Faqet e librit 294.
Mesjeta ka gjetur në penën e Dhimitër S. Shuteriqit autoritetin më të përgatitur për këtë temë. Njohës i thelluar i kësaj epoke të ndërlikuar, specialist i afirmuar me hulumtime dhe studime medievale, falë talentit të fuqishëm dhe përvojës së pasur krijuese, Shuteriqi ka arritur t’i japë letërsisë shqiptare një roman me vlera të shquara ideoartistike. Përmes udhëtimit të Simonidës, nuses së kral Urosh Milutinit, nga Kostandinopoja në Rashë, duket sikur vëmendja e autorit është përqendruar tek oborri i Andronikut, perandorit të Bizantit dhe njerëzve të kralit Urosh të Serbisë, por, në të vërtetë, ideja themelore që i përcillet lexuesit, është ajo e mbijetesës arbërore e "rabanëve", siç i quanin shqiptarët në Mesjetë, kundër asimilimit të tmerrshëm – asimilimit sllav. Kjo e vërtetë, e dokumentuar historikisht, na përcjell artistikisht një mesazh patriotik, ku ngërthehen ngjarje, personazhe, konflikte nga segmente të rëndësishme të historisë së Mesjetës, duke fokusuar fytyrën e një epoke të egër, djallëzore e të pabesë të jetës perandorake, të mekanizmit mizor të shtetit bizantin dhe serb. ?Romani është i mbushur tejembanë me një informacion të begatë historik e social, me hollësi në fusha të ndryshme, me të dhëna në një kontekst të gjallë jetësor dhe mbi të gjitha na zbulon psikologjinë e kohës, të mëshiruar në një galeri të vërtetë personazhesh që përfaqëson kategori të ndryshme të piramidës perandorake.