Jump to content

Sytë e Sofisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Sytë e Sofisë roman, Autori: Nasi Lera. Botuesi: Toena. Faqet e librit 385.

Rikthehet fuqishëm në tregun letrar Nasi Lera me romanin "Sytë e Sofisë". Ky roman do të zërë padyshim vend në letërsinë shqipe si përçues i vlerave më të mira letrare e artistike. Figurat stilistike, rrëfimi që të lë gjithmonë në pritje të diçkaje tronditëse, imtësia e zgjedhjes së fjalëve, dialogët e kursyer, personazhe për të cilët dimë aq pak së jashtmi, por aq shumë për brendinë e tyre.

Metaforat domethënëse si ajo e qenit të verbër; e shenjtes Sofi që i kanë nxjerrë sytë; e dëborës që duket sikur bie për të mbuluar çdo gjurmë e çdo fjalë, e rrugëtojnë mendjen e lexuesit në labirinte nga të cilat duket se duhet të gjejnë çelësin për të dalë. Në qoftë se do të duhej një fjalë për ta përshkruar këtë roman do të ishte: tronditës. E tillë është historia e mësueses Sofi e gjendur e vetme, vejushë në këtë qytet të harruar e të mbuluar nga bora.

E tillë është historia e Andreas kthyer nga Parisi në një realitet të cilin duket se e kishte harruar. Tronditëse janë verbimi i qenit, vrasja e tij; rrëmbimi i vezëve të zogjve të lejlekut dhe zëvendësimi me vezë të ziera, derisa ai vdiq aty i mbuluar nga bora; reagimi i banorëve përpara vrasjes së një vajze të re etj. Në një qytet të vogël ngërthehet e gjithë jeta e shqiptarëve.

Romani rrëfen për një qytet të Shqipërisë i paidentifikuar, ose i identifikuar me emrin qyteti H. Që në fillim autori na prezanton me dy personazhe që i lidh pashmangshmërisht vetmia e tyre: burri dhe qeni. Janë vitet e tranzicionit ku papritur personazhi kryesor e gjen veten në vendlindjen e harruar: H, në shtëpinë ku prindërit e tij kanë kaluar të lumtur jetën e tyre dhe ku ai duket se është i arratisur prej Parisit prej një kërcënimi misterioz.

Rrugët e kryqëzojnë me Sofinë, mësuesen e bukur të qytetit të vogël e cila mbart dhimbjen e humbjes së të shoqit. Ky qytet i vogël, i heshtur e monoton fsheh mistere të cilat autori i zbulon dalëngadalë.